Pronat, PR rrëzon projektligjin e qeverisë
BLEDAR HOTI
Republikanët rrëzojnë maxhorancën për votimin e projektligjit për dhënien e tokës së pronësisë pa shpërblim. Mungesa e deputetëve të opozitës ka sjellë edhe numrat e pakët të votave, ç’ka ka detyruar republikanët të marrin vendimin ekstrem, të mos marrjes pjesë në votim e këtij projektligji. Edhe pse nuk ishte parashikuar në rendin e ditës, maxhoranca futi në votim një projektligj që e kishte shqyrtuar që në muajin mars të vitit 2008, atë të “Për kalimin në pronësi të tokave bujqësore, të dhëna pa shpërblim”. Gjatë shqyrtimit të këtij projektligji, kreu i grupit parlamentar të PR-së, Arjan Madhi deklaroi se “republikanët janë kundër miratimit të një ligji të tillë, pasi është kundër interesave të pronarëve”. “Në momentin e votimit ne do të dalim nga seanca, duke mos marrë pjesë në këtë votim që është kundër interesave të pronarëve”, deklaroi Madhi. Ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana e kontestoi qëndrimin e republikanëve, duke u shprehur se “kjo do të shërbejë vetëm për një kategori të vogël personash”. Në momentin e votimit të këtij projektligji, Madhi ka dalë nga seanca dhe ka kërkuar verifikimin e kuorumit në sallën e Parlamentit. Kryeparlamentarja Topalli pas këtij votimi, ka rezultuar që në sallë kanë qenë 68 deputetë, duke mos u krijuar numri i nevojshëm prej 71 kartonash. Nisur nga kjo, kryeparlamentarja ka mbyllur seancën duke mos e votuar në seancë një projektligj të tillë. Ndërsa republikanët kanë bashkuar votat për projektligjin “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, duke u votuar me 73 vota pro. Projektligji që nuk u votua në seancën e Kuvendit, parashikon që për punonjësit e ish-Ndërmarrjeve Bujqësore që kanë marrë tokë në përdorim, qeveria ua merr një tokë të tillë, duke i kompensuar fizikisht me 600 metër katrorë truall në bregdet. Sipas republikanit Madhi, ky është një ligj selektiv, pasi merret me kategori të caktuara dhe jo të përgjithshme.