Përgjegjësitë e klinikave dentare kundrejt klientëve
Emanuela Sako
Stomatologët abuzojnë shpesh me detyrimet qw kanw ndaj klientit. Sapo të hysh në një klinikë dentare, vihet re mungesa e tabelës me tarifat e shërbimeve përkatëse për ç’do kurim që ofrohet. Për një qytetarë të thjeshtë njohja e çmimeve për shërbimin që do të marrin është një element i rëndësishëm. Më problematik qëndron fakti se një pjesë e klinikave dentare punojnë në të zezë, duke mos pasur licencën e dhënë nga Ministria e Shëndetësisë. Në këtë mënyrë, Ministria e Shëndetësisë e ka të pamundur të monitorojë punën e kryer nga stomatologët. Ushtrimi i tillë i profesionit nuk jep garanci për shërbimin e ofruar ndaj pacientëve. Prandaj në shumicën e rasteve, pacientët që kanë hasur shkelje profesionale nga ana e stomatologëve, janë ankuar në strukturat përkatëse të shëndetësisë. Por, këto të fundit e kanë pasur të pamundur identifikimin e klinikës, pasi nuk ka rezultuar e licencuar. Drejtuesit e Urdhrit të Mjekëve, shpeshherë ka bërë publike rastet kur pacientët janë ankuar nga stomatologët dhe që kanë lënë dëme të pariparueshme në shëndetin e tyre. Po kështu, edhe materialet që janë përdorur janë të një cilësie tepër të dobët.
Kontrollet
Ushtrimi i profesionit të stomatologëve në mënyrë të jashtëligjshme është bërë një fenomen i pandalshëm. Specialistët e shëndetësisë, Urdhri i Mjekut, që është kontrollori kryesor, ka pranuar se në Tiranë dhe rrethe ka mjaft klinika private pa licencë. Pak ditë më parë, ky dikaster publikoi raportin e një studimi të kryer në klinikat dentare të qarkut të Tiranës, sipas të cilit problem kryesor mbetet licencimi i këtyre subjekteve, kushtet higjienë-sanitare, si dhe mungesa e energjisë elektrike që ndërpritet edhe gjatë mjekimit. Duke iu referuar të njëjtit studim del se në mbi 60 kabinete dentare, 1/3 janë të palicencuara. Pavarësisht këtij studimi, i cili përfshin vetëm një hapësirë të kufizuar ku zhvillojnë aktivitetin klinikat dentare, në rang vendi nuk dihet zyrtarisht se sa është numri i klinikave të licencuara dhe atyre të palicencuara. Ndërsa, Shoqata e Stomatologëve të Shqipërisë, shpeshherë ka ngritur shqetësimin se po konkurrohet në mënyrë të pandershme dhe se po abuzohet me emrin e tyre.
Gjobat
Shpeshherë klinikat private janë bërë objekt i shkeljeve ligjore dhe specialistët nuk mund t’i kontrollojnë, pasi kanë ngritur aktivitetin në kate pallatesh apo në brendësi të lagjeve. Bazuar në ligjin përkatës, të gjithë personat që ushtrojnë veprimtarinë në shërbimin shëndetësor stomatologjik dhe nuk janë të pajisur me licencë për ushtrimin e aktivitetit, përballen me gjobën 50 mijë lekë dhe me ndërprerje të veprimtarisë, deri në plotësimin e dokumentacionit sipas legjislacionit. Për klinikat që kryejnë shkelje gjatë ushtrimit të aktivitetit, MSH-ja parashikon marrjen e masave penalizuese. Ministria e Shëndetësisë ka propozuar rritje të çmimit të gjobave që do të penalizojnë klinikat dentare në rast se në punën e tyre do të evidentohen shkelje. MSH-ja ka bërë të ditur se shkak për këto penalizime janë bërë problemet e konstatuara në këto ambiente. Specialistët kanë menduar që rritja të bëhet sipas rastit të shkeljes, për shembull, nëse gjoba është 10 mijë lekë, do të bëhet 12 mijë lekë etj.
27 Korrik 2009