Histori të treguara në fundvit
"Trego një histori" është ekspozita e hapur dje në Galerinë e Akademisë së Arteve FAP, ku u përzgjodh dhe artisti më i mirë bashkëkohor i vitit 2007, Ilir Kaso
Portreti i nënës që ndryshon me kalimin e viteve, që mbetet e bukur edhe pse e moshuar, i ka dhënë çmimin si artisti më i mirë bashkëkohor i vitit, të riut Ilir Kaso. Një grup artistësh të rinj, nën drejtimin e Ardian Isufit dhe Najada Hamzës, kanë menduar të ofrojnë një tjetër mënyrë të të bërit art në këtë fundviti. Nuk iu mjaftojnë hapësirat e Galerisë së Akademisë së Arteve, por dalin përtej mureve akademike, në rrugë, në fasada pallatesh e vitrina dyqanesh, për të krijuar një komunikim më të drejtpërdrejtë me publikun. "Trego një ngjarje" titullohet ekspozita e artit bashkëkohor, e hapur dje në mbrëmje në Galerinë FAP, me punët e 8 artistëve. Ata janë Bevis Fusha, Dritan Zeneli, Genta Spahia, Harri Aleksi, Ilir Kaso, Rudina Hyka, Oert Miziri dhe Sonilda Bardhoshi. Artistë këta të përzgjedhur mes shumë syresh për "qëndrimin e tyre të pozicionuar qartë si tendencë e si refleksion i artit të ditës". Përveç "Nënës" së Ilir Kasos, që u vlerësua me 2 mijë euro nga AMC-së, nga ana e jurisë u vlerësuan gjithashtu punët "Identiteti" i Rudina Hykës, "Stuhia" e Oert Mizirit dhe "Rrëfyestorja" e Dritan Zenelit. Kjo e fundit është vendosur që në hyrje të galerisë, si të ftonte çdo vizitor të rrëfente aty pari historinë e vet, përpos 7 historive të tjera të treguara nga artistët. Juria që vlerësoi artistin më të mirë përbëhej nga kritiku i artit bashkëkohor Gianni Pozzi, historiania e artit në Universitetin e Amsterdamit, Arnisa Zeqo dhe artisti Vladimir Myrtezai. Sipas kuratorëve të ekspozitës, "Trego një ngjarje" bazohet në rrëfime, dëshmi, emocione a përjetime individuale artistike, të cilat pretendojnë jo vetëm cilësi në mënyrën e të shfaqurit, por ku mesazhi dhe marrëdhënia personale e artistit me mediumin dhe reflektimin, të provokojë maksimalisht problematikën sociale. "Është një test që i kemi bërë artistëve në lidhje me ndjeshmërinë e tyre artistike ndaj situatave politiko-shoqërore", - thotë Ardian Isufi, të cilin më së shumti jemi mësuar ta shohim në pozicionin e pjesëmarrësit, artistit të angazhuar dhe jo të kuratorit. Veprat e ekspozuara i takojnë mediumeve të ndryshme si pikturë, grafikë, fotografi, instalacion, video art dhe multimedia. Ky është koncepti që përshkon veprat e paraqitura brenda hapësirave të FAP, ku çdo vepër ka një "territor" të vetin, të bollshëm, të pandikuar nga të tjerët për të ushtruar ndikimin e mjaftueshëm tek spektatori. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në 23 janar 2008.