"Nuk iki nga kjo jetë, pa u qetësuar nga hakmarrja"
Rrëfimi i Lirie Labajt, nënës së vajzës së masakruar me tetë thika 17 vjet më parë në Vlorë. Pas ekstradimit të vrasësit ajo kërkon rigjykim dhe premton se do të marrë vetë pjesë në gjyq
VLORË- Pothuajse 17 vjet më parë, Vlora u trondit nga masakrimi me thika që iu bë një vajze të re. Krimi makabër tronditi pothuajse të gjithë Shqipërinë e ditëve të para të demokracisë. Enkelejda Labaj, asokohe 23 vjeç, u masakrua nga një seri goditjesh me thikë, në të cilat ndoshta ishte bashkuar çmenduria, inati, xhelozia dhe pamundësia e një personi për ta pasur të vetën. Dëshmitarë që e njihnin, teksa u kujton ngjarjen, me një psherëtimë, kujtojnë vajzën e qeshur, e cila u bë viktimë, pa pasur asnjë faj. "Ai e donte- tregon një nga ish- punëtorët e rrobaqepësisë, i cili sot ka një pikë shitjeje. Ajo jo. Nuk duhet njeri me pahir. Ishte vajzë e shkëlqyer. E mbaj mend si sot, pasi askush nuk mund ta harrojë një krim të tillë. Ka qenë turni i pasdites, pasi rrobaqepësia atëherë punonte me turne. Dine punonte mekanik te ne. E mbaj mend qe ishte errësirë dhe e ka vrarë te shkallët. E ka vrarë vajzën barbarisht. Nuk kishim dëgjuar krime, si dëgjojmë sot. Por ai nuk ishte thjesht krim, ajo vajzë u masakrua".
Ngjarja makabre ka ndodhur mbrëmjen e nëntë janarit të vitit 1991 dhe janë dashur tërë këto vite që autori i vrasjes, Skënder Dine, të rikthehej në vendlindje me pranga. I dënuar me 20 vjet burgim në mungesë Dine u arrestua në Itali. Por ardhja e tij me pranga nuk ka shuar aspak dhimbjen e nënës së Enkelejda Labajt, e cila tashmë kërkon dënim maksimal për vrasësin e të bijës. Plaga nuk është mbyllur ende për Liri Labajn, e cila derdh ende lot për Enkelejdën që nuk e pa dot nuse. "Nuk duhet të ketë mëshirë për kriminelët. Nuk duhet të shqyrtohen lehtësira për ta. Pasi për vrasje të tilla, nuk duhet të ketë nen në botë që justifikojë rrethanat në të cilat kryhen. Ai e ka goditur çnjerëzisht vajzën time. Barbarisht. Nuk kam për ta harruar kurrë pamjen e vajzës sime. Ai nuk është njeri. Ai është monstër",- thotë Liria. Për vite të tëra ajo ka punuar si infermiere në ambulancë, ndërsa sot në pension, të pret me një pamje fisnike e të tregon foton e së bijës, një vajzë e bukur dhe e ëmbël. Por këtë foto të lejon vetëm që ta shohësh pasi për të është tepër e shtrenjtë dhe nuk lejon askënd që ta prekë.
"Vajzën time e njihnin që ishte e përkryer. Shkonim e merrnim dhe e çonim në punë atëherë. Ose burri ose i vëllai, se kishin nisur trazirat. Ishte punëtore dhe me të gjitha cilësitë e mira. Nuk e di pse mori aq shumë thika, që edhe t'i numërosh, lodhesh. Nuk e qëlloi vetëm me një thikë, që ndoshta edhe t'i thoshim, epo hajde. Por e qëlloi me tetë thika. Tetë thika si i ka duruar vajza ime, që kur doja ta përkëdhelja, nuk prekja trup, por vetëm pambuk, aq thellë e kishte shpuar. Kam 17 vjet që qaj",- thotë Liria mes lotëve. "E kam bërë derëne policisë dikur si shtëpinë time. Shkoja bashkë me tim shoq dhe pyesnim nëse e kishin gjetur vrasësin. Shkonim ditë për ditë. Nuk më mbante shtëpia. Këtë punë kam bërë, dhe sot i falem shtetit, që e gjeti dhe e solli. Por dua të përballem me të. Dua të më thotë me gojën e tij pse e ka masakruar vajzën time. Vajzën time ai as që e kishte prekur me gisht. Pse. Pse...",- thotë mes pikëllimit gruaja e moshuar. Ajo nuk është aspak e kënaqur nga dënimi që ka marrë vrasësi i të bijës dhe tashmë kërkon që të gjykohet nga e para. "Do të marr pjesë vetë në gjyq, dhe do të lëvizë dhe fëmija në bark të nënës. Pasi kam 17 vjet që qaj. Ai për tërë këto kohë ka ndenjur jashtë. Kur unë qaja te varri i vajzës, familja e tij ndërtonte shtëpitë me lekët që ai sillte. Sot unë dua vetëm hakmarrje. Si vajza ime mori 8 thika, ashtu t'i japë drejtësia dhe atij. I falem shtetit që më gjeti vrasësin, por ikërkoj shtetit të ndëshkojë kriminelët siç e meritojnë. Nuk iki nga kjo jetë, pa u qetësuar nga hakmarrja. Nuk dua hakmarrjen e familjes sime por dua hakmarrjen e shtetit",- thotë mes lotëve nëna e Enkelejdës.
Babai i Enkelejdës vdiq nga brenga
"Ai e kishte shpallur që o e marr grua, o s'ka. Por vajza nuk e donte. Mund të falja një thikë, nëse vajza ishte e lidhur, mund të falja shumë, por tetë thikat e vajzës, nuk i fal kurrë",- thotë Liria, ndërkohë që risjellja edhe njëherë e tregimeve në kohë, i ka thelluar brengën. "Gjashtë vjet më pas i ati i Enkelejdës, vdiq nga brenga- thotë Liria. Nuk gjente qetësi, pavarësisht se mua nuk donte të më lëndonte. Kur shkonim në varreza me largonte, kur donte t'i fliste ai. E priti në krahët e tij, dhe ajo skenë e kishte torturuar shpirtërisht tregon Liria, derisa i shkaktoi tumor nëkokë dhe i vajti vajzës pranë".
Ngjarja
Vrasja e Enkelejdës teksa dilte nga rrobaqepësia
Mes lotëve Liria pranon të tregojë edhe ngjarjen që ka tronditur të gjithë Shqipërinë në fillim të viteve 90'. "Vajza punonte në rrobaqepësi, në godinën që ndodhej pranë kishës së Shën Todrit. Rrobaqepësia ishte çeke. Kishim vetëm një vit qe e kishim futur në punë dhe e merrnim dhe e çonim, pasi sa kishin nisur trazirat e para. Atë ditë kishte shkuar ta merrte i ati dhe po e priste poshtë. Vajza kishte dalë në dritare dhe i kishte thënë: Ja babi erdha. Zbrisnin me gati 30 vajza të rrobaqepësisë. Por ai i kishte marrë masat të gjitha. E kishte menduar që më parë skenën. Kishte hequr siguresat e dritave dhe kishte bërë dhe gati daljen nga kati i dytë ku e priste poshtë një makinë ushtrie", nis tregimin nëna e Enkelejda Labajt. Sipas saj, Skënder Dine doli përpara tyre dhe u tha, hapuni të gjitha, derisa mbërriti te vajza e saj. "Çfarë ke me mua, i tha vajza. Por kur pa thikën ajo ngriti çantën për tu mbrojtur, por çanta ju bë shoshë. Goditja e parë e thikës e preku në qafë e të tjerat, nuk u morën vesh ku përfunduan. U dëgjuan britmat e grave, por fillimisht burrit ju tha se kushedi, bërtasin gratë se nuk ka drita. Pastaj kur të bërtiturat zgjatën, burri u ngjit dhe ai e ka marrë vajzën në krah për ta dërguar në spital. Te gjashtëkatëshi vajza vdiq. Unë isha në punë. Më kanë marrë nga puna dhe nuk do ta harroj kurrë atë natë. Unë që ju jepja ndihmë kaq e kaq personave se punoja në kirurgji atëherë, nuk i dhashë dot ndihmë vajzës sime",- thonë Liria. Eja nuk mund ta harrojë kurrë atë ditë tragjike kur një dashuri imagjinare, një dashur e sëmurë i mori jetën vajzës së saj.