"Puna e lidh njeriun..."
Mendimi paradoksal se mund të ndiesh i çliruar duke lidhur të tjerët, ngjan me historitë apokaliptike ku komandantët e ushtrive pushtuese digjnin anijet e tyre. Sot demokracia nuk është kudo një ideal, ajo, nga disa politikanë është kthyer në një lojë ku fiton ai që bën ligje jo për të lidhur veten, por për të lidhur të tjerët. Të lidhësh veten ka kuptimin e mirë, të atij veprimi që bëri Uliksi kur u zuri veshët marinarëve dhe lidhi veten pas direkut të anijes, me qëllimin e lartë për t'u shpëtuar joshjeve shkatërruese të sirenave. E histori pa sirena nuk ka patur, e kurrë nuk do të ketë, pavarësisht nga emri i popullit, shtetit, partisë, qeverisë apo liderit. Partia demokratike, në vitet 1992-1997,ishte në pushtet të plotë dhe të gjithëfuqishëm. Ajo nuk e lidhi veten me gjendjen, problemet dhe perspektivat e zhvillimit të popullit, të biznesit, të energjisë elektrike, të ujit, të punësimit etj., por u dha, me mish e me shpirt pas gjuetisë së shtrigave, pas luftës politike jo parimore kundër së majtës, pas keqpërdorimit të të përndjekurve e të burgosurve politikë, pas bërjes së ligjeve si ai nr.7105, etj. Edhe gjatë viteve në opozitë po i njëjti avaz. Partia demokratike në vend që të ndihmonte për lehtësimin e çështjeve themelore ekonomiko-sociale, u hipi në qafë rrugëve të Tiranës, me torbë në dorë e duke thërritur "Nano ik", me qëllimin e fshehtë, që Nano të mos ikte. Për të mos u zgjatur, edhe sot, qeveria është e paaftë për ta lidhur veten me punën e vërtetë. Kjo gjendje paraqet një çrregullim serioz për zemrën e demokracisë; tre shtyllat e shtetit si shpesh po lëkunden nga largësia me ligjin. Shteti ka rënë pre e sirenave, prandaj edhe sot na dalluan si më të varfrit në Evropë. Nga ana tjetër e politikës gjendet e majta. Është mëse demokratike që ajo t'i shfrytëzojë paaftësitë komplekse të pushtetit të mazhorancës, dhe me aftësitë e veta të programojë me kujdes dhe përgjegjshmëri fitoren e zgjedhjeve të ardhshme. Në radhët e së majtës, në shkallë kombëtare, është krijuar tashmë një mjedis pune ku nismat politike, ekonomike, shoqërore, arsimore, kulturore etj., po kanë përqasjet e veta publike -ku të tharta e ku të ëmbla- me takime, analiza, promovime e fjalime, me kongrese e zgjedhje, me kandidatura për deputetë edhe nga radhët e grave, rinisë e fshatarësisë së nderuar. Duket fare shkoqur, për ata që ua ka ënda, se e majta e ka lidhur veten mirë me çështjen e së ardhmes. Përsa i përket së tashmes, ajo nuk po u vë barrë as kuvendit e as qeverisë, dhe nuk po i pengon ato aspak, që t'i shkrinë të gjitha prirjet e tyre të mbara për të mirën e popullit. Pra, nuk po ngjet asgjë misterioze në veprimtarinë politike të së majtës. Nukka asgjë për t'u trazuar. Nëse dikush do që ta tregojë të majtën qesharake, është në të drejtën e vet. Por kjo nuk duhet shtyrë deri në talljen e... . Nëse takohen, flasin, hanë e pinë, e, herë-herë edhe moskuptohen midis tyre, në punë e sipër të majtët dhe fshatarët, kjo është një çështje për të cilën duhen pyetur e kërkuar hesap edhe fshatarëve. Jetesën e mirë e duan edhe ata. Mbase del që fshatarët ta pëlqejnë këtë lloj marrëdhënie me të majtën. Provojeni, ka kohë, por pa e zënë hundën me dorë, deri në beharin 2009.