Rama: Biseda me Cekën para kandidimit
Kryetari i PS-së flet për marrëdhëniet me Berishën, zgjedhjen e Topit president dhe qëndrimin ndaj Nanos
TIRANË- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka mohuar çdo aludim për bashkëpunim me faktorë të mazhorancës për zgjedhjen e Bamir Topit si President i Republikës. I ftuar në emisionin "Top Story", shefi i selisë rozë ka hedhur poshtë deklaratat e kryeministrit Sali Berisha dhe ish-kryeministrit Fatos Nano për pjesëmarrje në pazarin politik të 21 korrikut, ku dhe u zgjodh kryetari i ri i shtetit. Ai ka pranuar se ka qenë dakord që të mbështeste kandidaturën e Neritan Cekës për President, por vetëm si një kandidaturë konsensuale, pasi ishte pjesë e listës së kandidatëve opozitarë. Por nga ana tjetër ka bërë të ditur se, ka refuzuar që ta votojë atë, për aq kohë sa ai u servir si një kandidaturë që kërkoi të marrë firma në mënyrë individuale nga e djathta. "Gjithçka ka ndodhur në ditën e diellit dhe unë e kam thënë qartësisht që në momentin që Ceka më ka njoftuar për ambicien e tij për të hyrë në garë, duke marrë firma nga e djathta, se ne nuk bëhemi pjesë e asnjë votimi dhe asnjë gare. Nëse mazhoranca e pranonte Cekën si kandidat konsensual, atëherë kjo pranohej se ai ishte pjesë e kandidaturave tona",- u shpreh Rama. Nga ana tjetër, ai ka theksuar edhe një herë se, kreu i ri shtetit u zgjodh falë një bashkëpunimi skandaloz të ish-kryetarit të PS-së, Fatos Nano, me kreun e mazhorancës Sali Berisha. "Histori të tilla bashkëpunimi janë pjesë e alibisë së Fatos Nanos për të justifikuar skandalin për zgjedhjen e Topit, skandal që e orkestroi së bashku me Berishën, për të goditur opozitën dhe PS-në",- u shpreh Rama. Sipas tij, egoja personale e Nanos për pushtet e nxori atë nga gara dhe e vuri kundra interesave të së majtës. Në këtë mënyrë ai ka theksuar se, në rast se Nano nuk do të kishte nisur negociatat personale për t'u bërë kryetar shteti, opozita do të kishte mundur që të detyronte mazhorancën të pranonte një kandidaturë konsensuale. "Po të mos ishte etja për pushtet personal e Fatos Nanos, gjërat do të ishin ndryshe. Po mos të ishte hapja e negociatave paralele të Fatos Nanos, ne do të kishim një rezultat tjetër. Kur besoi se erdhi dita për të marrë shpërblimin për shërbimet që i kishte bërë Berishës, duke tentuar që të hynte nga dera e pasme e Presidencës, ai goditi kandidaturën e tij, ashtu edhe PS-në",- theksoi kreu i PS-së, duke bërë të qartë se ai tashmë nuk është më problem i socialistëve, por një bashkëpunëtor i Berishës. Duke komentuar zhvillimet politike brenda kampit rozë, kreu socialist ka garantuar se nuk do të ketë ndarje të PS-së ashtu siç pretendojnë një pjesë e individëve, që sot janë rreshtuar në krah të ish-kryeministrit Fatos Nano. "Nuk ka asnjë ndarje të PS-së të ngjashme me çka ndodhur më parë, pasi PS sot po bashkohet gjithnjë e më shumë me shqiptarët, të cilët kërkojnë të shkëputen nga e keqja që i dorëzoi pushtetin Berishës. Nuk ka ndarje të re dhe nuk ka asnjë krahasim me këto dy gjëra. E kam kërkuar në atë kohë një qëndrim të matur sepse Ilir Meta shprehte shqetësime, që kishin filluar të ishin shqetësime të publikut. Kush mendon se PS u nda për shkak të një faktori, gjykon gabim. PS e pësoi atë ndarje sepse nuk u shkëput dot nga politika e vjetër",- tha ai. Gjithashtu, ai ka komentuar edhe marrëdhëniet me Berishën, duke u shprehur se zbutja e klimës politike midis dy liderëve të politikës shqiptare ka ardhur si rrjedhojë e politikës së re që PS po aplikon, ndërkohë që ka shprehur gjithë vullnetin e forcës që ai drejton, për të bashkëpunuar për reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore. Sa i përket kësaj të fundit, lideri i opozitës ka garantuar se për PS-në sistemi zgjedhor nuk përbën problem. Ai gjithashtu nuk ka mbetur pa ironizuar dhe kryeministrin Berisha, për të cilin ka deklaruar se e ka mundur tre herë në Tiranë, gjatë fushatave për zgjedhjet vendore. "Besoj që tre të rrahura Berishës i bënë mirë, për të kuptuar që me zotin Edvin nuk mund të sillej si një emër si gjithë të tjerët",- tha Rama.
"Po të mos ishte etja për pushtet personal e Fatos Nanos, gjërat do të ishin ndryshe. Po mos të ishte hapja e negociatave paralele të Fatos Nanos, ne do të kishim një rezultat tjetër. Kur besoi se erdhi dita për të marrë shpërblimin për shërbimet që i kishte bërë Berishës, duke tentuar që të hynte nga dera e pasme e Presidencës, ai goditi kandidaturën e tij, ashtu edhe PS-në".
"Histori të tilla bashkëpunimi janë pjesë e alibisë së Fatos Nanos për të justifikuar skandalin për zgjedhjen e Topit, skandal që e orkestroi së bashku me Berishën. për të goditur opozitën dhe PS-në".
Opozita proteston sot për situatën e rënduar në vend. Flet kryesocialisti Edi Rama
PS, sot protestë në sheshin "Skënderbej"
TIRANË- Partia Socialiste dhe partitë e tjera të opozitës do të mblidhen sot në orën 17.00 në sheshin "Skënderbej" për të protestuar, së bashku me qytetarët, për problemet e shumta që po kalon vendi sot e që sipas opozitës e kanë shkakun tek keqqeverisja. Deri më tani, partitë e majta kanë shpërndarë rreth 20 mijë fletushka, në të gjithë Tiranën, me anë të cilave u bëhet thirrje qytetarëve që të protestojnë kundër gjendjes në të cilën ata ndodhen. Përsa i përket organizimit të protestës së sotme të të gjitha partive të opozitës bëhet e ditur se, në sheshin "Skënderbej" dhe në tribunën ku do të vendosën liderët e opozitës do të vendosen prozhektorë të tillë, që do të simbolizojnë mungesën e energjisë elektrike në të gjithë vendin, që është dhe një prej problemeve kryesore që po kalon sot vendi e për të cilën do të protestohet. Një tjetër element që do të karakterizojë protestën e opozitës, nga pikëpamja organizative, do të jetë dhe vendosja në shesh e përfaqësuesve të partive politike. Bëhet e ditur se, në sheshin "Skënderbej", përfaqësuesit e partive të opozitës do të vendosen në kuadrate të caktuara. Arsyet për të cilat do të protestojë sot opozita janë të shumta. Një pjesë e tyre janë ritheksuar sërish dje nga edhe lideri i opozitës, Edi Rama, si mungesa e energjisë elektrike, ujit të pijshëm, varfëria, papunësia, një taksë e sheshtë, që sipas Ramës është vendosur kuturu mbi pagat dhe ka ulur ndjeshëm nivelin e jetesës, apo dhe çmimet e produkteve ushqimore, që janë shumë më të shtrenjta se sa duhet të ishin në të vërtetë. Ai ka deklaruar se, ekzistojnë të gjitha arsyet që sot qytetarët e Tiranës të bashkohen në protesta me opozitën në sheshin "Skënderbej", për të dëshmuar refuzimin ndaj politikës së vjetër të korrupsionit dhe të errësirës. Ndërsa ka theksuar faktin se, sipas tij, kjo qeveri është më e paafta dhe më e korruptuara në historinë e këtij tranzicioni, çka dëshmohet dhe nga sondazhet e fundit, lideri i PS-së tha se tashmë është koha të kërkohet ndryshimi i madh, përtej të majtës dhe së djathtës. "Është koha për të dëshmuar, edhe nëpërmjet kësaj shfaqjeje të refuzimit dhe protestës, se kërkojmë një ndryshim të madh, përtej të majtës dhe të djathtës, përtej kufijve të vjetër, të vendosura dhe të mbajtura nga një klasë politike e vjetër dhe e dështuar. Përtej paragjykimeve, të cilat i kanë ndarë shqiptarët e thjeshtë në kampe, por i ka lënë njësoj të varfër edhe socialistët edhe demokratët",- nënvizoi Rama. Më tej, kreu i socialistëve renditi disa prej arsyeve për të cilat qytetarët do t'i bashkohen sot protestës së opozitës, si ajo që 50 për qind e fëmijëve të vendit nuk kryejnë dot arsimin e detyrueshëm, në një kohë kur Ministria e Arsimit deklaron se do të ndëshkojë prindërit që nuk çojnë dot fëmijët në shkollë; ekzistenca e 500 mijë pensionistëve, që sipas Ramës nuk arrijnë të garantojnë dot ilaçet më të domosdoshme, etj. "Sigurisht që, lista e arsyeve për të shfaqur refuzim dhe protestë ndaj kësaj politike të vjetër, të mishëruar nga një qeveri e korruptuar që drejtohet nga një Kryeministër i paaftë dhe gënjeshtar, janë ta pafundme, por unë do ta mbyllja duke thënë se është e udhës që çdo njeri, pavarësisht bindjeve politike, të mund ta shfaqë refuzimin ndaj kësaj jete që nuk është e denjë, refuzimin për t'i trashëguar fëmijëve një atdhe si ky",- përfundoi dje, kreu i PS-së.