Histori vëllazërim-bashkimi me klane kriminale

Në të vërtetë, në “itinerarin ballkanik”, zinxhiri i koordinuar i krimit, që përfshinë kontrabandën e drogës, cigareve, veturave, prostitucionin dhe mbrojtjen ndërmafioze nga ndjekja e policisë, paraqesin shembujt më tipikë të trendëve të rinj brenda qarqeve rajonale të krimit. Rënia e çmimit dhe rritja e kërkesës, rregullat e ashpërsuara sa i përket tregtisë me droga të lehta, por edhe angazhimi paksa më aktiv i policisë në rajon, i riorientuan zinxhirët kriminalë nga tregtia e deritanishme me drogat më të popullarizuara, marihuanën dhe heroinën, në kokainë. “Pluhuri i bardhë” në rajon shitet si hallva, kurse kanalet e furnizimit shkojnë në drejtim të kundërt nga ai i zakonshmi, kokaina, në rajon arrin nga Evropa Perëndimore. Gazetari kroat i “Jutarnji List”, Tomislav Novak, në një reportazh nga Kopenhageni, javën e kaluar, zbuloi se kryeqytetin danez po e shkundin tre grupe të organizuara kriminale shumë mirë, që përbëhen nga gangsterë me prejardhje kroate, maqedonase dhe shqiptare, të cilët udhëhiqen nga bosët serbë. Policia daneze pohon se ballkanasit tashmë ia kanë marrë primatin edhe mafies së përhapur ruse dhe letoneze, ndërkohë që, përpos “punëve” të zakonshme, si kontrabanda e armëve të ish-APJ-së, tani kanë zbuluar edhe itinerarin e ri për transportin e kokainës. Kokaina niset nga Kolumbia, prej nga me anije transportohet për në Afrikën Perëndimore, ku korrierët e gëlltisin atë për para të vogla. Ata pastaj me aeroplanë civilë udhëtojnë drejt Stambollit, e meqë Turqia s’ka treg aq të përpunuar të kokainës, rruga e saj vazhdon përmes itinerarit të koordinuar ballkanik. Si pika tranziti përdoren portet e Adriatikut, prej nga pastaj droga me anije vazhdon rrugën drejt Evropës Perëndimore dhe shteteve skandinave.
Bashkim-Vëllazërimi
Cinikët do të kishin thënë se kjo “export-import” strategji përputhet me afrimin politik dhe ekonomik në integrimet evropiane, adutin kryesor retorik i politikanëve rajonalë gjatë cikleve katërvjeçare zgjedhore. Mirëpo historia na mëson se strukturat e nëntokës në shtetet e krijuara në hapësirat e ish-Jugosllavisë me të njëjtin intensitet funksiononin edhe gjatë luftërave më të ashpra në këto hapësira. Të përkujtojmë vetëm disa raste: Miodrag Ulemek Legija, organizatori i vrasjes së kryeministrit serb, Djindjic, i cili për këtë gjë është dënuar me 40 vjet burg, nëpër botë shëtiste si Vlado Vukmanovic, gjegjësisht si një bartës krenar i pasaportës kroate i “kontingjentit hercegovas”. Gjatë gjykimit të tij u dëshmua se, madje, edhe pushka me të cilën ishte vrarë Djindjic ishte porositur nga Kroacia. Pasaportë kroate posedonte edhe Ljubisa Buha-Cume, një prej udhëheqësve të “Klanit të Surcinit”, ndërsa dora e tij e djathtë, Milan Narancic, i njohur si Limun e që po ashtu ishte me prejardhje nga Lika e Kroacisë, kishte madje dy vendqëndrime: përveç adresës në Zagreb, ishte i paraqitur edhe në adresën e një ish-oficerit të policisë në Sisak. Gjatë ikjes nga policia serbe, në Opati, dikur ishte strehuar edhe “Escobari serb”, Andrija Draskovic, të cilin policia e lidhte me vrasjen e Zeljko Raznatovic-Arkan. Sipas shkrimeve të shtypit serb, qëndrimin në Kroaci ia kishte mundësuar Tino Bralo, i njohur si “mbreti hercegovas i kafesë”, i cili, siç kishte pranuar edhe vetë, kishte bërë biznes me “koordinatorin” e vrarë të mafies serbe së cigareve, Vanja Bokan, dhe me vëllanë e kryeministrit aktual malazez, Aco Djukanovic, si dhe me Vijeko Slisko. Gjithsesi, edhe fqinjët dinin që t’ua kthenin mikpritjen kolegëve kroatë. Shembulli më i njohur është ai i Ivan Ica Matekovic, i cili pas kidnapimit të djalit të gjeneralit Zagorac, fshihej në Beograd, ndërkaq e “tradhtoi” dëshira për zgjerimin e biznesit në Serbi dhe jeta tejet glamuroze e natës. Përndryshe, kidnapimi i Tomislav Zagorac ishte organizuar sipas modelit të kidnapimit të djalit të Fahreta (Lepa Brena) dhe Boba Zivojinovic, në të cilin thuhej se ishte i përzier edhe Mojmir Radulovic, një prej organizatorëve të zinxhirit të kontrabandës me cigare në Serbi dhe Mal të Zi. Radulovic u likuidua në pushimoren spanjolle Castellefedes, në nëntor 2005. Edhe ai, natyrisht, posedonte pasaportën kroate.
Fronti Jugor
Deri vonë flitej relativisht pak për bashkëpunimin mes-kufitar të grupeve kriminale në zonën e afërme me bregdetin e Adriatikut, ku shkruhej vetëm se Jaksa Cvitanovic-Cvik gjatë ikjes nga policia, e cila e ndiqte për shkak të 96 veprave rekorde penale, fshihej në Bosnje-Hercegovinë dhe në Mal të Zi. Rasti i fundit i bashkëpunimit të grupeve kriminale në rajon vjen pikërisht nga “Fronti Jugor”, ndërkaq opinionin kroat veçanërisht e tronditi fakti se, sipas dyshimeve të policisë, në të mori pjesë edhe ish-shefi i HVIDRA-s në Kastelan, Jozo Certa. Fjala është për plaçkitjen e 15 milionë kunave (rreth 2 milionë euro) nga posta e Splitit, e cila gjë hapi kutinë e Pandorës të lidhjes mes nëntokës së Splitit me grupet kriminale nga Pale, në “rajonin organizativ” të të cilit hyjnë edhe tregtia me vetura të vjedhura, droga dhe prostitucioni. Certa, përndryshe një ish-futbollist dhe kryetar i Shoqatës Komunale të Gjyqtarëve Futbollistikë, policëve u ra në sy me piknikët e shumtë në Pale pak para plaçkitjes, megjithëse pas plaçkitjes e ngarkuan (shih çfarë rastësie?!) edhe për organizimin e vendqëndrimeve të kriminelëve dhe për djegien e veturës me të cilën ikën plaçkitësit. Sipas shkrimeve në media, plaçkitjen e kishin organizuar mafiozi serb, Miroslav Hrsum, dhe “guru” i tij, Goran Przulj, i cili kohë më parë ishte dënuar për vjedhje veturash dhe i cili në Split në të vërtetë ishte nisur për vëzhgim, para atentatit të planifikuar ndaj Djordj Zdral, konkurrentit të tij më të madh në nëntokën sarajevase. “Puna e mirë’ në Split, në organizimin e së cilës ishin përfshirë edhe disa policë, rojtarë dhe zyrtarë të Postës së Kroacisë, megjithatë duket se e kishte shtyrë realizimin e atentatit. Siç dukej, mund të ishim “rajoni më i sigurt në Evropë”? Të përballur me ngjarje të tilla, tingëllon paksa cinik raporti i sivjetmë i Zyrës së OKB për Luftimin e Drogës dhe Krimit, i cili pohon se Ballkani është rajoni më i sigurt në Evropë. Megjithatë, në raport pohohet edhe se Ballkani ende mbetet udhëkryq i rëndësishëm i kontrabandës së drogës, armëve dhe i njerëzve që kanë lidhje me krimin e organizuar. Ndonëse shërbimet policore në rajon, falë donacioneve të mëdha nga fondet e paraanëtarësimit, por edhe të mbikëqyrjes pak më serioze të institucioneve ndërkombëtare, kanë shënuar një përparim në luftimin e krimit të organizuar. Por fjalët e drejtorit të policisë, Marijan Benko, se itinerari ballkanik kurrë as që është ndërprerë, e sigurisht se as që do të ndërpritet, tregojnë se brenda institucioneve edhe më tej ekziston fare pak vullnet konkret për t’i qëruar hesapet me këtë problem. Për “bashkim-vëllazërimin” kriminal ballkanik nuk diskutohet vetëm në Kuvend, sepse ai në qeveri kjo po përjetohet si një punë me stres për përshtatjen e legjislacionit me atë evropian. Ndërkohë, bosët e mëdhenj edhe më tej udhëtojnë nëpër botë, falë koleksionit të pasur të pasaportave të ndryshme.
“T-Portal”, “Express”