E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historia e jetës së një diktatori

TRIPOLI- Muamar Gaddafi, 69 vjeç, nuk e gradoi veten kurrë në gjeneral, duke pretenduar se gradat nuk ishin ato për të cilat kishte luftuar për t'u ngjitur në krye të shtetit. Ai morri në dorë drejtimin e Libisë në vitin 1969, pas një grushti ushtarak të suksesshëm, i cili rrëzoi Mbretin Idris, i konsideruar gjerësisht si një kukull në duart e britanikëve. Ai u lind në një familje beduinësh në Sirte, në vitin 1942. Gjatë të gjithës jetës së tij të mëvonshme, ai u identifikua me fiset tribale, veshjet e të cilëve preferonte të mbante vazhdimisht edhe në takimet me udhëheqësit e huaj. Filozofia e tij, e publikuar në "Librin Jeshil", prej të cilit morri ngjyrën edhe flamuri vetëm jeshil i Libisë, bazohej në një udhëheqje të masave. Teoria fliste se Libia është shndërruar në një demokraci prej njerëzve, të cilët janë ata që udhëheqin Këshillat Revolucionarë. I shkolluar në akademi ushtarake në Libi, Greqi dhe Mbretërinë e Bashkuar, diktatori konsiderohej gjërësisht si një manipulues shumë i aftë, i cili arriti të devijonte disa tentativa për ta rrëzuar nga pushteti, duke ndërsyes fiset e fuqishme tribale midis tyre. Gjatë katër dekadave në pushtet, koloneli shpiku një sistem të ri të drejtimit të shtetit, mbështeti grupimet radikale të armatosura, si IRA në Irlandën e Veriut dhe vendosi vendin e tij në listën e shteteve që sponsorizonin terrorizmin. Regjimi i tij u karakterizuar nga një kontroll i rreptë policore dhe nga terrori i shërbimeve sekrete, të cilat praktikisht ishin gjerëisht të përhapura dhe kontrollonin edhe gjërat më të vogla në jetën e përditshme të libianëve. I ashtuquajturi "revolucioni kulturor" ndaloi të gjithë aktivitetin privat dhe librat u ndanë në kategori, me ata që u përfshinë në kategorinë e padëshiruar, që u dogjën në mënyrë demonstrative në rrugët e vendit. Në vitin 1999, lideri libian bëri një rikthim nga izolimi total i vendit, duke pranuar publikisht përgjegjësinë për vendosjen e bombës në avionin që shpërtheu mbi fshatin skocez të Lokerbisë, nga ku ka marrë edhe emrin ngjarja. Megjithatë, gjatë vitete të fundit të jetës dhe drejtimit të kolonelit, tensionet u rritën në mënyrë graduale, duke shpërthyer në një revoltë të armatosur, pas frymës së re që solli lëvizja e "Pranverës Arabe"
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›