Historia e një gazete që doli vetëm tre numra në 1911
Ka një gazetë shqip që i ka paraprirë ngritjes së Flamurit në Vlorë. Quhej "Trumbeta e Krujës" dhe doli vetëm 3 numra. Numri i parë doli më 20 mars 1911, në Sent Luis (Saint Luis) Misuri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kishte kryeredaktor Faik Konicën. Gjithsej dolën tre numra. Në numrin e parë të kësaj gazete Konica jep kryeartikullin me titull: "Flamuri". Gazeta "Trumbeta e Krujës" doli në një kohë kur ende nuk ishte ngritur flamuri në Vlorë dhe Shqipëria vazhdonte të ishte e pushtuar, por ndjenja e lirisë dhe e pavarësisë tek Rilindësit ishte një problem i shtruar për zgjidhje. Pikërisht në numrin e parë të kësaj gazete ribotohet vjersha "Flamuri" që autori e pat shkruar 12 vjet më parë. Konica shkruan:
"Nën titullin flamuri botova dy-mbë-dhjëtë vjet më parë - te "ALBANIA", mot 1899, faqe 146 - një vjershë, e cila duket sikur u shkrua dje. Me ca ndryshime të vogla e deklamova në disa mbledhje kombëtare t'Amerikës. Me qënë se shumë atdhetarë m'u lutnë ta botoj përsëri që ta mësojnë dhe ta përhapin, se besojnë që mund t'i ndihë përparimit kombëtar, ua mbush sot dëshirën duke shtypur "Flamurin" m'u në krye të gazetës "Trumbeta e Krujës". - Shtoj vetëm një të vënë-re që botova edhe te "Djelli": fjala flamur e ka aksentin në a dhe jo në u: flaamur e jo flamuur…)
***
Në anën e djathtë të gazetës jep artikullin "Kryefytyra e gazetës" ku shkruan: "Kryefytyra e Gazetës". Kryefytyra e Trumbetës së Krujës është përvijësuar me mjeshtëri nga një artist i Bostonit, z.Morse, pas planit dhe dokumenteve që i dhashë. Vëjeni re mirë dhe kuptojeni... Më nj' anë Kalaja e Krujës, gysm e prishur. Në majë te një mur- kullë ka dalë një ushtar i veshur me çelik dhe me hekur, si në kohë të Skënder Beut . Shihni sa madhështor është me helmën e Kastriotit përmi përçët, me kordhën mediavalë të varur! Me sa trimëri e mban trumbetën, nga e cila varet flamuri i Skënder Beut. A u ngrit nga të vdekurit, a e kish zënë nonjë gjumë shekullor në çip të harruar të nonjë kulle, apo është hieja e nonjë luftëtari të rënë në muret e Krujës? Trishtimi dhe habia bashkohen në fytyrën e tij, ndofta nga që sheh Krujën e dashur, Shqipërinë e adhuruar të tija të rënë aqe poshtë… Bjer-i trumbetës o kalorës legjendar, dhe bjer-i fortë: Bjeri të gjëmojë për kombin që e ka zënë një gjum tepër i rëndë.
Vallë ç'na thotë me trumbetën? Ndofta gjëmimi i saj pëlcet në të katër anët e hapësirës këtë vjershë heroike të Shakespeare-it: Sound trumbets! Let our bloody colours wave! And either victory, or else a grave. "Bini trumbeta! Flamurët tonë të kuq si gjaku le të valojnë! Dhe a të mundim, a të hyjmë në varr".
***
Në pikturë jepet emri i autorit C.H.B MORSE. Duke kërkuar në internet këtë mbiemër, menjëherë shfaqet emri i shpikësit të telegrafit Mors, që ka marrë emrin e zbuluesit Samuel Morse (1791-1872), i cili ka qenë piktor shumë i njohur dhe në trungun e tij familjar ka shumë piktorë. Piktori i "Kryefytyrës" duhet që në vitin 1911 të ishte i gjallë sepse ka biseduar me Faik Konicën për "Kryefytyrën" dhe-siç thotë Konica - është përvijëzuar me mjeshtëri nga një artist i Bostonit. Pra, ka qenë piktor i njohur. Në internet një emër i tillë C.H.B MORSE piktor nuk shfaqet dhe nuk mund të them asgjë se kush ka qenë ky piktor?! Ndërkaq edhe në Enciklopedinë Britanike nuk ka emër të tillë. Në anën tjetër të pikturës jepet përshkrimi i flamurit sipas Barletit: "Flamuri me fushë të kuqe dhe me shqiponjën e zezë dykrenare në mes, kurse në anën tjetër teksti i Barletit përkthyer në frëngjisht është marrë nga vepra e Lavarndinit "Historia e Skënder Beut, mbretit të Shqipërisë", Paris 1576. Atmosfera e festa ndihet ende dhe ribotimi i saj do të ishte një tufë lule në altarin e Atdheut.