Kuvendi i ri i Kosovës do ndjejë mungesën e disa zërave dinjitozë
Zgjedhjet e 17 nëntorit në vete ngërthyen të dyja anët e medaljes. E mira e këtyre zgjedhjeve ishte se në përgjithësi kaluan pa eksese, përveç ndonjë rasti tepër të izoluar, i cili kurrsesi nuk mundi ta zbehë imazhin vërtetë të mirë që dha organizimi i këtyre zgjedhjeve. Pra, në Kosovë u votua ashtu siç përgjithësisht votohet në vendet demokratike. Ndërsa ana tjetër e medaljes flet për mendësinë e votuesve të mundshëm, të cilët në datën e 17 nëntorit ia mësynë kutive të votimit. Gjithsesi, këto zgjedhje vunë në pah mendësinë përgjithësisht të ulët të votuesve shqiptarë, pra paaftësinë e tyre në përzgjedhjen e deputetëve të cilët do të zënë karrigen e deputetit në Parlamentin e Kosovës. Jo se jam kryekëput kundër përbërjes së Parlamentit të këtij mandati zgjedhor, por vërtetë, jashtë këtij Parlamenti mbetën disa figura poliedrike, zëri i të cilëve do t’i mungojë qytetarit të Kosovës. Duke marrë parasysh se Kuvendi është organi më i lartë legjislativ i një vendi, patjetër që në vete duhet të ngërthejë personalitete të shquara, prezenca e të cilëve ndihmon në implementimin e pikave të caktuara, të cilat kanë të bëjnë me rregullimin e jetës shoqërore të një shteti.
Përgjithësisht, një pjesë e mirë e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që përfaqësuan këtë organ në mandatin e kaluar, nëse shprehem në zhargonin e rrugës, kanë marrë rroga “belesh”, duke mos e çelur gojën asnjëherë, në fakt ata i ngjanin statujave. Ndoshta tingëllon paksa cinike, por vërtetë një pjese të madhe të deputetëve të këtij mandati zgjedhor, të cilët tashmë e kanë marrë epitetin e deputetit në Kuvendin e Kosovës, nëse nuk u hyn në punë, së paku ju duhet ky shpjegim: fjala deputet vjen nga gjuha latine deputatum - që në shqip do të thotë- i dërguar, pra ju jeni përfaqësues të atyre që ua kanë dhënë besimin.
Aktrimi bëhet në teatër, dhe njerëzit që ushtrojnë këtë profesion quhen aktorë. Profesione të ndryshme definitivisht. Kaq njëherë përnjëherë.