E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historia e presidentëve amerikanë dhe fjalimet e tyre



Me rastin e betimit, Presidenti i ri i SHBA-ve pati mundësinë të përdorte retorikën e zgjedhur ashtu si edhe paraardhësit e tij. Presidenti i parë i SHBA-ve, Xhorxh Uashington, më 30 prill të vitit 1789 bëri betimin historik që filloi me fjalët “Zoti më ndihmoftë“, duke vendosur në këtë mënyrë një traditë mbi 200-vjeçare. Xhorxh Uashington, babai i kombit amerikan, e bëri betimin në Nju Jork dhe në Filadelfia. Më vonë, të gjitha betimet, me vetëm pak përjashtime, janë kryer në Uashington. Që nga inaugurimi i Ronald Reganit (Ronald Reagan) në vitin 1981, ceremonia zhvillohet në krahun perëndimor të shkallëve të Kapitolit. Nga kjo pikë shpaloset një panoramë e mrekullueshme ku ndodhen të gjitha monumentet e mëdha për baballarët e kombit. Lidhur me këtë atmosferë, Regan është shprehur: “Në fund të rrugës përrallore, ndaj së cilës kam hedhur vështrimin, ndodhen monumentet gjigante, mbi shpatullat e të cilëve është bazamenti i kombit tonë”. Fjalimet inauguruese të baballarëve të kombit Uashington dhe Xheferson janë tekste të detyrueshme leximi për secilin president të ri, i cili ka të drejtë të zhvillojë më pas edhe retorikën e tij personale. Franklin Rusvelt përdori në fjalimin e tij fjalinë e njohur: “Amerika s´ka kujt t´i trembet veç frikës”. Ndërsa autorët e fjalimit të Kenedit formuluan shprehjen: "Mos pyet se çfarë mund të bëjë vendi për ty, por pyet se çfarë mund të bësh ti për vendin”. Bill Klinton në vitin 1997 shpalli një politikë të re sociale dhe të arsimit. “Le të ndërtojmë shtëpinë amerikane për shekullin XXI, ku secili të ketë vendin e tij në tryezë dhe asnjë fëmijë të mos mbetet prapa”. Ronald Regan shpalli politikën e forcës kundrejt Bashkimit Sovjetik ndërsa Xhim Karter ishte i vetmi që e përshkoi në këmbë bulevardin. Kur Xhorxh Bush mori mandatin e dytë, pati protesta të fuqishme. Një demonstrues tha: “Shumë amerikanë nuk e duan Bushin dhe e konsiderojnë atë si një katastrofë”.

21 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›