E Shtunë, 31 Tetor 2026

E mbajnë peng 72 orë për 7 mijë euro, prangosen tre autorët



DURRËS - Një borxh prej 7 mijë eurosh ka bërë që një i ri të merret peng e të mbahet i mbyllur për tri ditë në një banesë në Lushnjë. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se më në fund është zbardhur kjo ngjarje dhe janë vënë në pranga autorët e këtij krimi. Sipas tyre, rreth orës 01:00 të mëngjesit të djeshëm, forcat speciale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Krimeve të Rënda në Ministrinë e Brendshme dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda, kanë arrestuar në kushtet e flagrancës shtetasit Ismail Hamitin, 47 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale të “vrasjes së mbetur në tentativë; Arselona A., 20 vjeçe dhe Andrea Lekën, 28 vjeç. Që të tre personat janë nga Lushnja.
Rrëmbimi
“Arrestimi i tre personave nga Lushnja është bërë pasi më datën 17 janar, në bashkëpunim me njëri- tjetrin, në afërsi të Muzeut të Dëshmorëve, kanë rrëmbyer Gazmir Lekën, banor i Lagjes Nr. 10 të qytetit dhe më pas kanë kërkuar shumën prej shtatë mijë eurosh që i rrëmbyeri u kishte autorëve të ngjarjes”, - thuhet në komunikatën zyrtare të Policisë së qarkut të Durrësit. Pasi e kanë hipur në automjetin e tyre e kanë çuar në qytetin e Lushnjës, duke e mbajtur të izoluar në banesën e njërit prej autorëve, konkretisht të Ismail Hamitit. Denoncimi është bërë nga familjarët e Gazmir Lekës. Ata kanë thënë për policinë se djali i tyre është marrë peng nga persona të panjohur për ta dhe në këmbim të lirimit të tij duhet të paguanin shumën prej 7 mijë eurosh, gjë të cilën pengmarrësit ua kishin kërkuar familjarëve me anë të telefonit.
Operacioni
Policia e Durrësit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Krimeve të Rënda në Ministrinë e Brendshme dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda, kanë nisur menjëherë hetimet. Pas një pune intensive, duke përdorur edhe mjete e metoda speciale të hetimit të krimit, bënë të mundur identifikimin e vendndodhjen e autorëve, lirimin e pengut si dhe arrestimin e tre personave të lartpërmendur. Nga hetimet është arritur në përfundimin se marrja peng e Gazmir Lekës është bërë pasi në muajin nëntor të vitit 2008 ai i kishte marrë borxh njërit prej autorëve shumën prej 7 mijë eurosh dhe nuk ia kishte kthyer ende.
Gjatë aksionit të policisë janë bllokuar në cilësinë e provave automjeti me të cilin është kryer pengmarrja dhe dy telefona celularë. Dosja me materiale i ka kaluar Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë për veprën penale të “rrëmbimit dhe mbajtjes peng për motive pasurore të personit”.

TË ARRESTUARIT
Ismail Hamiti, 47 vjeç, nga Lushnja
Arselona A., 20 vjeçe, lindur dhe banuese në Lushnjë
Andrea Leka, 28 vjeç, lindur dhe banues në Lushnjë

Merret peng 24-vjeçari për një femër, vihen në pranga 4 të rinj

LEZHË – Një tjetër pengmarrje ka ndodhur dje, por kësaj radhe shkaku ka qenë një femër. Katër të rinj, pas një konflikti me një djalë 24-vjeçar, e kanë rrëmbyer për disa orë, por falë ndërhyrjes së policisë, ai është liruar. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Lezhës bëjnë të ditur se kanë prangosur shtetasit: Sokol Ivanaj, 35 vjeç, Florian Rudi, 24 vjeç; Anton Rudi, 19 vjeç dhe Ferdinand Palaj, 19 vjeç. Sipas tyre, prangosja e katër të rinjve, me banim në fshatrat Gajush dhe Ishull të rrethit të Lezhës, është bërë pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë hequr në mënyrë të paligjshme lirinë e Emiljano Colajt, 24 vjeç, lindur dhe banues në qytetin e Lezhës.
Sipas policisë, të arrestuarit, pasi e kanë hipur me forcë të riun në automjetin tip “Alfa-Romeo”, me targa LE 4064 A, në pronësi të Sokol Ivanajt, kanë ushtruar dhunë ndaj tij, duke e goditur me grushte e si pasoje ka marrë plagë të lehta në fytyrë. Pasi e kanë mbajtur për 10 minuta në automjetin e tyre, e kanë lënë të lirë 24-vjeçarin. Policia tha se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta. Konflikti mes të rinjve ka lindur për një femër. Pas arrestimit të katër personave dosja me materiale i ka kaluar Prokurorisë së Lezhë për akuzën e “heqjes së paligjshme të lirisë”.

TË ARRESTUARIT

Sokol Ivanaj, 34 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Gajush, komuna Zejmen të rrethit të Lezhës

Florian Rudi, 24 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Ishull, të rrethit të Lezhës, me arsim 8-vjeçar

Anton Rudi, 19 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Ishull të rrethit të Lezhës, me arsim 9-vjeçar

Ferdinand Palaj, 19 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Ishull të rrethit të Lezhës, me arsim të mesëm

21 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›