Vijon “Skai”, ndalohen edhe dy të tjerë për drogën e Lazaratit
GJIROKASTËR – Droga e Lazaratit, që u zbulua nga operacioni “Skai”, ka çuar në pranga edhe dy persona të tjerë. Policia e Gjirokastrës ka ndaluar në orët e para të ditës së djeshme, në aksin rrugor kombëtar Gjirokastër-Kakavijë, dy shtetas shqiptarë, pasi dyshohen si organizatorët e transportimit drejt Greqisë të 42 kg lëndë narkotike të tipit marijuanë, ngjarje kjo e ndodhur në javën e tretë të muaj dhjetor të vitit të kaluar. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së qarkut Gjirokastër pohuan se të ndaluarit janë Idriz Derxho, 37 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Lazarat (Gjirokastër) dhe Pajtim Hysllari, 34 vjeç, lindur në qytetin e Beratit dhe banues në Laprakë të qytetit të Tiranës. Ndalimi është bërë pas hetimeve të specialistëve të Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së qarkut Gjirokastër. Materialet në ngarkim të dy shtetasve të ndaluar i janë përcjellë Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për hetimet e mëtejshme. Më datën 20 dhjetor të vitit të kaluar policia ndaloi në aksin rrugor Gjirokastër –Leskovik, në Çarshovë, shtetasit Shkëlzen dhe Jetmir Madani, Leonard Luzi dhe Oljan Mucollari si dhe sekuestroi 42 kilogramë lëndë narkotike e llojit marijuanë, e cila vinte nga fshati Lazarat dhe kishte destinacion Greqinë. Të prangosurit janë me banim në Tiranë. Tashmë është mbyllur lista e personave të përfshirë në këtë trafik dhe çështja po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë.
Vrasja e Mnelës çon në polici 25 persona
SHKODËR – Atentati mafioz i ditës së shtunë ka çuar në polici 25 persona, ku pjesa më e madhe janë me banim në fshatin Mnelë të komunës së Vig-Mnelës në rrethin e Shkodrës. Por, me gjithë numrin e madh të personave që janë marrë në pyetje, ende nuk ka një autor të vrasjes së shtetasit Paulin Përgjini, trupi i të cilit u gjet i pajetë pasditen e së shtunës, me 5 plumba në kokë. Për zbulimin e këtij krimi ka shkuar në rrethin verior edhe ish-drejtori i Policisë së qarkut, Nikolin Bala, i cili tashmë është në strukturat e larta të Policisë së Shtetit.
Në kërkim për vjedhje, kapet i dënuari
POGRADEC - Kapet një person i shpallur në kërkim për vjedhje. Policia e Pogradecit tha se ditën e hënë, rreth orës 15:30, është bërë ndalimi i personit të shpallur në kërkim, Astrit Kume, 56 vjeç, banues fshatin Selcë të Poshtme të rrethit Pogradec. Ky person është ndaluar pasi është dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec, me 2 muaj heqje lirie për veprën penale të “vjedhjes”.
Identifikohen grabitësit e kasetofonëve të makinave
KORÇË - Identifikohen hajdutët e dy vjedhjeve të bëra në qytetin e Korçës. Burime zyrtare nga policia lokale thanë se është bërë i mundur zbulimi i autorëve të “vjedhjes” së kasetofonit në automjetin me targë KO 7991 B, të cilët janë: Myftar Vlashi 23 vjeç, nga fshati Cërric i Skraparit dhe Entil Hysi, 24 vjeç, nga fshati Dushk i Lushnjës. Po kështu, nga veprimet e kryera del se këta të rinj janë autorë të vjedhjes së kasetofonit në mjetin me targe KO 9881 A.
Institucionet publike në shënjestër të grabitjeve
DURRËS – Një shkollë 9-vjeçare dhe Zyra e Punës në qytetin e Durrësit kanë rënë pre e grabitjeve nga disa persona, të cilët janë vënë në kërkim nga policia. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit pohojnë se dy ditë më parë është vjedhur shkolla 9-vjeçare “Pren Simoni” në fshatin Draç të komunës së Ishmit, ku raportohet se janë marrë dy kompjuterë të markës “MS-Industrial”, të cilët ndodheshin në kabinetin e Informatikës. Po ashtu janë marrë edhe 38 mijë lekë të vjetër dhe një celular tip “Nokia” në mjediset e Zyrës së Punës, në qytetin e Durrësit. Për të dyja rastet nuk ka asnjë të ndaluar.
21 Janar 2009