E Diel, 1 Nëntor 2026

Tentojnë të vrasin një 47-vjeçar, në kërkim dy vëllezërit shkodranë



Shkodër - Dy vëllezër me banim në qytetin e Shkodrës, B. Ç dhe Gj. Ç, përkatësisht 39 dhe 29 vjeç, janë shpallur në kërkim nga policia vendore pasi akuzohen për veprat penale: “vrasje me paramendim të mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim” dhe “mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”. Burime zyrtare të policisë thanë për gazetën “Albania” se ngjarja ndodhi në lagjen “Tom Kola” të qytetit të Shkodrës, kur dy vëllezërit tentuan të vrisnin 47-vjeçarin me iniciale Q. H., lindur në rrethin e Malësisë të Madhe dhe banues në fshatin Dobraç, i dënuar më parë për “kanosje dhe armëmbajtje pa leje”. Nga hetimet rezulton se motivi i kësaj ngjarjeje është një konflikt i një viti më parë mes të dëmtuarit dhe autorëve të ngjarjes. Policia arrestoi në flagrancë shtetasin Çel Cuku, 65 vjeç, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij u gjet një armë zjarri pistoletë dhe një krehër me fishekë, të cilat i mbante pa leje.

Kukës, divorcet edhe te martesat me të huaj

KUKËS - Zgjidhja e martesave në Gjykatën e Rrethit të Kukësit tashmë është një dukuri jo vetëm mes bashkëshortëve me shtetësi shqiptare. Të paktën pesë qytetarë të këtij rrethi, që ishin martuar zyrtarisht me shtetase të huaja, janë divorcuar gjatë vitit të kaluar në Gjykatën e Kukësit. “Për herë të parë pas viteve të demokracisë, nga 42 kërkesa për zgjidhje martesore që u depozituan gjatë vitit të kaluar, pesë
prej tyre u bënë nga shtetas të huaj”, - tha për mediat kancelari i Gjykatës së Kukësit, Shikim Korbi. Sipas tij, gjatë vitit 2008 pati rritje të ndjeshme të numrit të zgjidhjes së martesave në rrethin e Kukësit, ndërsa zgjidhja e atyre me shtetas të huaj përbën një dukuri që shfaqet për herë të parë. “Shkak është fakti se martesa të tilla bëhen kryesisht për të përfituar dokumentet për vendqëndrim në shtetet e huaja dhe fenomeni është më i dukshëm kryesisht në Angli”, - vijoi ai. Divorcet po bëhen një fenomen shqetësues në këtë zonë, krahasuar me vitet ‘90. Shkaqet e rritjes së numrit të divorceve janë kryesisht ekonomike e sociale, por edhe emigracioni. Për zbutjen e këtij fenomeni, disa OJQ në Kukës janë duke zbatuar tre projekte për ndërgjegjësimin e komunitetit për familje mbi baza të shëndosha.

21 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›