Dy të fortët e Laçit refuzojnë dhe më pas qëllojnë forcat e rendit
LAÇ – Dy persona kanë refuzuar t’i nënshtrohen kontrollit policor dhe më pas kanë qëlluar me armë zjarri, duke u larguar nga vendi i ngjarjes. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Lezhës bëjnë të ditur se dy shtetas, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për çështje hetimore, janë në kërkim nga strukturat e rendit. Sipas tyre, të kërkuarit nuk i janë bindur policisë për të ndaluar dhe kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të grupit të gatshëm. Ngjarja ndodhi rreth orës 00:30 të mëngjesit të së martës në mes të qytetit të Laçit, kur dy të rinj, teksa udhëtonin me një motor dhe një “Benz”, kanë refuzuar t'i nënshtrohen kontrollit në postbllok. Burime zyrtare pohojnë se dy të rinjtë ishin në mjetet; tip “Benz 250”, pa targa, me ngjyrë blu, si dhe një motor tip “Yamaha”. Njëri nga personat që ndodhej në motor ka nxjerrë një armë zjarri tip pistoletë dhe ka gjuajtur duke u larguar me mjetin tip “Benz” e duke lënë në vendngjarje motorin. Fatmirësisht nga kjo ngjarje nuk ka pasur të plagosur. Policia tha se është bërë i mundur identifikimi i dy autorëve. Është ngritur grupi hetimor, i cili po kryen veprimet dhe po punohet për kapjen e dy “të fortëve”. Në qytetin e Laçit kanë ndodhur vazhdimisht ngjarje të tilla. Madje, edhe përplasje mes grupeve rivale.
21 Janar 2009