E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historia e re ka filluar të shkruhet rrejshëm

Që në momentet e para të pluralizmit në Shqipëri, në vitet “90-të, ka pasur një qëndrim verifikues lidhur me historinë e Shqipërisë, e cila nuk lidhej vetëm më kohën e fundit, e cila “replikon” me Luftën Nacional-Çlirimtare, por dhe me atë më të hershme. Ka pasur dhe ka angazhim intelektual, historianësh, por dhe njerëzish, të cilët nuk janë specialistët e fushës, të cilët janë përfshirë në “betejën” e të vërtetës dhe të pavërtetës historike të Shqipërisë, me çfarë kuptohet se për historianët dhe institucionet shqiptare, që kërkojnë dhe kanë “verdiktin” për t’iu thënë të vërtetën, thënë pak më “pleqërisht”, t’i qetësojnë shqiptarët për këtë të vërtetë, ka punë dhe është e domosdoshme të përfshihen në këtë punë dhe debat njëherësh.

Unë besoj se nuk ka pasur shqiptar që nuk është ndjerë keq dhe i fyer rëndë, për atë që i kanë servirur për më shumë se 50 vjet, lidhur me dokumentin themeltar të Aktit të Pavarësisë më 1912. Në atë dokument historik, është mohuar dhe humbur kontributi i disa nga njerëzit e shquar, që kanë marrë pjesë në Aktin e Pavarësisë. Askush nuk mund të tolerojë të pavërtetën e kësaj ngjarje, që në thelbin e vet ka jo manipulimin, por mohimin e të vërtetës. Si mund të thuash, për rastin në fjalë, se Lef Nosi nuk ka qenë një firmëtar në Aktin e Pavarësisë, kur ai ka qenë.

Në luftërat e fundit në Ballkan, u angazhuan të gjithë shqiptarët. Shqipëria në këto luftëra pati të rënët e vet. Jo pak, por afro 70-të rënë, shumë prej të cilëve kanë qenë nga zona e Hasit dhe e Tropojës, për të cilët është shkruar pak apo aspak. Ka një dëshirë të çuditshme, për ta lënë në harresë këtë kontribut dhe gjak njerëzor, të derdhur në të gjitha luftërat, jo vetëm nga histori-shkruesit e Shqipërisë por dhe nga eksponentët e luftës në Kosovë, të cilët edhe pse nuk e kanë keq-shkruar historinë e fundit të luftës kanë lejuar apo nuk kanë marrë mundimin e korrigjimit për ato gënjeshtra që po vazhdojnë të fabrikohen në Tiranë. Qëllimi i këtij shkrimi ka shqetësimin, që lidhet me keq-shkrimin e historisë, vetëm se ka një rast krejt të freskët që në pamje të parë duket krejt i thjeshtë. Në luftën e shqiptarëve të Maqedonisë me angazhimin e dhunës dhe ushtarakisht të këtij shteti kundër shqiptarëve dhe suspendimit total të lirisë njerëzore dhe të Drejtave të Njeriut, në këtë vend është vrarë dhe një djalë nga Tirana, për të cilin ka pasur dhe ka kontribute të shkruara. Për historinë e tij një kapitull dhe moment entuziast, si i thonë, me dhimbje dhe prelud është ajo që lidhet me përjetimin që patën familja e tij, kur i ati përjetoi atë që ka një prind për fëmijën e rënë në luftë, duke ecur në gjurmët e tij dhe takimi i dhimbshëm me reliktet e të birit. Mirëpo dikush do që të transformojë edhe këtë histori. Është e dhimbshme dhe e rrejshme, për më tepër të mos e thuash të vërtetën, dhe të pavërtetën ta bësh të tillë, kur nuk është e vërtetë. Atribute të tilla kanë kërkuar dhe kanë marrë shumë njerëz (ushtarakë më së shumti) nga lufta në Kosovë, Luginë të Preshevës dhe Maqedoni, aq sa është hedhur teza se luftën atje dhe se çlirimin e Kosovës e kanë kryer ato. Historiografia jonë e re, kur ka mësuar se shumë gjëra na janë servirur të vërteta, kur kanë qenë të gënjeshtërta, nuk duhet të lejojë të gabohet dhe as të manipulohet. Lufta e Kosovës dhe të gjithë luftërat e tjera të shqiptarëve nuk mund të keq-shkruhen. Në rrugë e forma, me mjete dhe situate të shumta po shkruhet historia e luftërave të shqiptarëve në kohët që sapo lamë pas, sipas orekseve të dëmshme për historinë. Po luftohet të na krijohen heronj (?!) të çuditshëm, gjeni (?!) të luftërave të shqiptarëve, për të cilët të vërtetën duhet ta thonë patjetër eksponentë të njohur të luftës së shqiptarëve.

Që nga data 02 maj 2003, ditën kur bashkë me të atin e dëshmorit të lirisë Skerdilajd Llagami (Bardhyl Llagami), jemi nisur nga Tirana për të shkuar në vendet ku luftoi e dha jetën i biri i tij, kemi qenë një grup i caktuar njerëzish, të cilët kishim vendosur ta shoqërojmë atë në “pelegrinazhin” e dhimbshëm por të shenjtë. Në udhëtimin e tij, kemi qenë prezent unë dhe im atë, Bujar Maleçka, nga data 02 maj deri në datën 10 maj 2003, datë kur kemi kthyer në Tiranë, përsëri bashkë. Gjatë gjithë lëvizjes, strehimit, takimeve, ecejakeve, surprizave, rutinës e çdo gjë tjetër të këtyre ditëve, i ati i dëshmorit ka qenë në grupin tonë. Për të gjithë këto lëvizje unë kam një ditar dhe të gjithë kontaktet me njerëzit i kam fotografuar.

Por në librin “Feniksët e Lirisë” në jetëshkrimin për këtë dëshmor shkruhet: ”Pas marrjes së atij lajmi (rënies së dëshmorit R..M), Bardhyli u nis për në Kosovë, ku u prit me nderime të mëdha nga Shpëtim Golemi dhe Adem Shehu, ish–vullnetarë në luftën për çlirimin e Kosovës dhe zyrtarë të Bashkisë së Gjakovës. E shoqëruan Bardhylin deri në kufirin me Maqedoninë, ku atje e pritën përfaqësuesit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, të cilin e çuan atë në selinë e Shtabit të tyre, në Malet e Sharrit…”

Është e çuditshme dhe dhimbshme njëherësh, por kjo nuk është e vërtetë. Këtë të vërtetë babai i dëshmorit Skerdilajd Llagami nuk duhej ta kishte lejuar të shpërdorohej në mënyrë të tillë. Kjo gënjeshtër nuk duhej të fiksohej në librin e shenjtë “Feniksët e Lirisë”, sepse është një gënjeshtër që mbetet gjatë në atë dokument të shkruar, ashtu siç kanë mbetur dhe shumë ngjarje dhe histori kombëtare të Shqipërisë…

Këtë rast unë e kam fiksuar imtësisht me orët, personat dhe itinerarin e lëvizjeve në një ditar në të cilin gjendet gjithçka. Për këtë ngjarje të cilën e kam konsideruar të shenjtë dhe të rrallë, kam shënuar gjithçka ka qenë informuese, e rëndësishme dhe absolutisht e vërtetë. Aq më tepër kur për këtë ngjarje unë disponoj mbi 100 fotografi ekskluzive.

Gjithashtu në librin “Gjaku i Lirisë”, Vëllimi 11-12, me autor Bajram Kurti, në faqet shkruar posaçërisht për Skerdilajd Llagamin (vlerësoj se është bërë mirë botimi i kësaj serie, që ka vlerë jo vetëm për njohjen e të rënëve të luftërave të shqiptarëve, por dhe historinë e tyre), vazhdon të mbetet e njëjta e pavërtetë, e njëjta ligjëratë e drejtë, lidhur me “pelegrinazhin e dhimbshëm të të atit të dëshmorit. Është po ai pasazh i shkëputur nga libri përkujtimorë “Feniksët e Lirisë”. Është përsëritur e njëjta e pavërtetë, e cila po të mos bëhet e qartë do të vazhdojë të shumëfishohet në të gjithë ato gjëra që do të shkruhen në të ardhmen. Për cilësinë e tij dhe angazhimin historiko-njerëzor, për të vërtetën e madhe të çështjes shqiptare, unë jam e sigurt se këtë lloj gënjeshtre Skerdilajd Llagami nuk do ta lejonte kurrë. Nuk është koha për ta keq-shkruar historinë. Nga keq-shkrimi i saj na ka ardhur keq gjithmonë. Sot s’kemi nevojë për këto. Skerdilajd Llagamin e nderon, e lartëson dhe e vlerëson vetëm e vërteta, se ajo është shumë më e mirë se sa ajo gënjeshtër e lustruar.

*Autorja është pjesëmarrëse në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gazetare

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›