E Diel, 1 Nëntor 2026

Goditet rrjeti i trafikantëve të klandestinëve, pesë në pranga

Policia e Gjirokastrës ka arrestuar pesë persona, pjesë e një grupi trafikantësh, ndërsa ishin duke u përpjekur që të kalonin për në kufirin grek 51 klandestinë.

Trafikantët merrnin 800 euro për një person dhe sipas hetuesve, në vetëm dy javë, ata kanë tentuar që të kalojnë në mënyrë të jashtëligjshme 96 persona. Agjentët kishin marrë informacion për aktivitetin e këtij rrjeti para disa kohe dhe kishin nisur nga puna për goditjen e tij. Ditën e djeshme u realizua operacioni i koduar “Cikloni”, që bëri të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasve: Laurent Shehaj, Agron Seati, Bujar Seati, Qamil Fejzullai dhe Çlirim Pashaj. Qendra e këtij grupi ishte qyteti i Fierit dhe rrethinat e tij. Klandestinët grumbulloheshin në afërsi të kufirit dhe më pas realizohej kalimi i tyre për në Greqi nga kufiri i gjelbër, në dy drejtime, afër fshatit Radat dhe fshatit Dritë të rrethit Gjirokastër, kundrejt shumës 800 euro për çdo person. Sipas hetuesve, në këtë rrjet të trafikimit të klandestinëve bëjnë pjesë dhe persona të tjerë dhe sipas hetuesve, po punohet për kapjen e tyre.

Arrestimi

Policia e Gjirokastrës vuri në pranga ditën e djeshme pesë persona, të cilët po përpiqeshin që të kalonin në mënyrë të paligjshme 51 klandestinë për në Greqi. Arrestimi i tyre u krye në vendin e quajtur “Qafa e Muzinës”, rreth 20 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës.

Sipas burimeve të policisë, agjentët kishin disa kohë që po hetonin këtë grup. Në prangat e policisë ra Laurent Shehaj, 33 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Plyg (Fier), Agron Seati, 47 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Kasnic (Fier), Bujar Seati, 45 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Vlorë, Qamil Fejzullai, 44 vjeç, lindur dhe banues në Patos (Fier) dhe Çlirim Pashaj, 44 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Fier. Sipas burimeve të policisë, Shehaj dhe Agron e Bujar Seati u kapën në flagrancë së bashku me grupin e klandestinëve. Ndërsa Fejzullai dhe Pashaj u arrestuan pas bashkëpunimit me policitë lokale, pas hetimeve të kryera. Ata janë shoqëruar për në ambientet e paraburgimit, ku pritet të dalin përpara Gjykatës së Shkallës së Parë, për të marrë masën e arrestit. Ata akuzohen për dhënie ndihme në kalim të paligjshëm të kufirit.

Hetimi

Agjentët kishin marrë informacion para disa kohe për aktivitetin e grupit dhe kishin nisur nga puna për goditjen e tij, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, duke bërë të mundur edhe dokumentimin ligjor të aktivitetit kriminal të këtij grupi. Sipas hetuesve, qendra e këtij grupi ishte qyteti i Fierit dhe rrethinat e tij, dhe me shtrirje në qytetet Vlorë, Berat, Durrës, Tepelenë, me stacion të fundit Gjirokastrën. Klandestinët rekrutoheshin nga pjesëtarët e këtij grupi në rrethe të ndryshme të vendit dhe me mjete të ndryshme i transportonin deri në afërsi të vijës së kufirit. Aty, pasi i grumbullonin, realizonin kalimin për në Greqi nga kufiri i gjelbër, në dy drejtime, afër fshatit Radat dhe fshatit Dritë të rrethit Gjirokastër kundrejt shumës 700 deri në 800 euro për çdo person. Vetëm 2 javët e fundit ky grup tentoi të kalonte 96 shtetas klandestinë. Sipas hetuesve, në këtë grup ka persona të tjerë të përfshirë dhe po punohet për kapjen e tyre.

Detaj

800 euro ishte shuma që u paguante një person trafikantëve për të kaluar në anën tjetër të kufirit

51 klandestinë u gjetën në “Qafën e Muzinës”, teksa po përpiqeshin që të kalonin ilegalisht kufirin

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›