E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interesat e shqiptarëve



Këto ditë, lideri i Alternativës Shqiptare, V. Sinishtaj, në një deklaratë për opinion, konstatoi se "pasi që qeveria e ka njohur pavarësinë e Kosovës, me siguri do të vijë deri te rikomponimi i strukturave politike në Mal të Zi".

Konstatimi është i logjikshëm, sepse është më se e qartë se momenti i njohjes së pavarësisë së Kosovës ka qenë test vendimtar për disa nga subjektet më të forta politike në Mal të Zi. Tashmë mund të parashikohet me siguri të madhe se në periudhën e ardhshme do të vijë deri te dobësimi i disa subjekteve politike në një anë dhe forcimi i disa të tjerave në anën tjetër.

Grupit të parë do t’i takojë Lëvizja për Ndryshime, e cila është humbësi më i madh. Kjo është edhe shembulli më i mirë se në politikë nuk mund të rrihet në dy karrige. Në këtë rast e kemi situatën që ka filluar me një program të një partie klasike qytetare, ndërsa në provimin e parë serioz, është bërë flirt me opsionin nacional deri në atë shkallë, sa që janë tejkaluar edhe bartësit origjinalë të kësaj ideje në Mal të Zi - partitë e bllokut serb.

Në grupin e dytë, atë të fituesve, duke shikuar nga rrafshi i përcaktimit të tyre origjinal strategjik, janë partitë e krahut të fortë të bllokut serb. Pse LPN në të ardhmen mund të konsiderohet si subjekt i vdekur politik ndërsa, në anën tjetër, është forcuar krahu serb i skenës politike malazeze? Nga shkaku i thjeshtë se opsionin origjinal serb e përfaqësojnë partitë të cilat qysh në start me programet e tyre janë përcaktuar dhe deklaruar për opsionin konsekuent nacional. Cila do të ishte arsyeja që votuesi i rëndomtë serb (mendoj për serbët etnikë) në Mal të Zi të përcaktohet nesër për diçka që është fake (lexohet "feik", anglisht, shprehje për mallin i cili është imitacion i origjinalit), nëse mund të përcaktohet për origjinalin. Të mos harrojmë se përqindjen e rëndësishme të votave në zgjedhjet e fundit për president të Malit të Zi, që i ka marrë kandidati i LPN (14 %), kanë ardhur nga trupi votues i pakicave (shqiptare dhe boshnjake). Një nga arsyet ka qenë edhe përkrahja e bindshme që LPN i ka dhënë idesë së komunës së plotë të Tuzit. Mirëpo, në testin e parë të madh, atë të Kosovës, lideri i kësaj partie është veçuar për deklaratat e tmerrshme antikosovare. Të flasësh kundër Kosovës, do të thotë të flasësh kundër shqiptarëve kudo që jemi. Pikë!

Strategjia

Çfarë strategjie do të duhej të bënin partitë shqiptare në situatë të re të rikomponimit të skenës politike malazeze? Mendoj se liderët tanë, nëse pretendojnë të jenë liderë të vërtetë e jo vetëm individë që e fitojnë rrogën në politikë, do të duhej të kenë parasysh tri nivele strategjike. Këto do të ishin:

1) Interesat e pakicës shqiptare në nivel lokal.

2) Interesat e pakicës shqiptare në nivelin e Malit të Zi.

3) Vendi i shqiptarëve të Malit të Zi, brenda korpusit mbarëkombëtar shqiptar.

- Niveli lokal përfshin interesat jetike të shqiptarëve në mjedise lokale: Tuzi, Ulqini, Plava, Rozhaja.

- Niveli republikan përfshin rregullimin dhe realizimin e interesave shqiptare në nivelin e institucioneve të shtetit të Malit të Zi.

- Niveli i tretë përfshin raportet me dy qendra më të forta kombëtare - Prishtinën dhe Tiranën, raportet me trojet e tjera etnike shqiptare si dhe me diasporën.

Po ashtu, është koha që liderët e partive politike shqiptare ta ngrenë vetëdijen e tyre intelektuale në një nivel më të lartë, atë strategjik. Hapi i parë në këtë drejtim do të kishte qenë simbolik, por, i rëndësishëm: të pushojnë së shari përmes gazetave, të cilat i lexon mbarë opinioni shqiptar, pra, jo vetëm ai në Mal të Zi.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›