E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Zgjidhja - zero"



Moska shpreson që qeveria amerikane e drejtuar nga Barak Obama të jetë e gatshme për të bërë kompromise në grindjet për raketat. "Zgjidhja - zero" e propozuar nga Medvedev, u refuzua nga ministri amerikan, Gates.

Në grindjet për stacionimin e sistemit amerikan të raketave mbrojtëse në Poloni dhe Çeki, Ppresidenti rus, Dmitri Medvedev, është shprehur i sigurt se do të mund të gjendet një zgjidhje e problemit. Në një intervistë për gazetën franceze “Le Figaro” ai ka folur për shpresat që ekzistojnë se Presidenti i ardhshëm amerikan, Obama, mund t`i shqyrtojë edhe një herë vendimet e marra. “Reaksionet e para të administratës amerikanë na japin shpresa. Sidoqoftë, partnerët tanë të ardhshëm janë duke menduar sa i nevojshëm dhe i dobishëm është sistemi amerikan i raketave. Duket sikur ka ende për të diskutuar. Ne jemi të gatshëm për bisedime, njëkohësisht favorizojmë një opsion - atë zero. Kjo do të ishte dalja krejtësisht normale nga kjo situatë”.

Në këtë mënyrë Moska ofron heqjen dorë nga stacionimi i raketave të saj në eksklavën ruse të Kaliningradit, me kushtin që SHBA-të të heqin dorë nga ana e tyre nga sistemi mbrojtës me raketa. Medvedev kritikoi edhe një herë mungesën e gatishmërisë për kompromise që qeveria e Bushit pati sinjalizuar në këtë çështje. “Ne i kemi shtruar partnerit amerikan gjithnjë të njëjtën pyetje: ‘Pse ju duhet ky sistem, sa efektiv mund të jetë ai dhe kundër kujt drejtohet?’ Por ne nuk kemi marrë kurrë përgjigje të sakta”.

Përveç kësaj, Uashingtoni nuk ka pranuar propozimet e Moskës për ngritjen e një sistemi global sigurie. SHBA-të i kanë bërë planet për sistemin e raketave pa rënë dakord më parë me partnerët evropianë ose të NATO-s. “Ne nuk kemi zgjidhje tjetër, përveçse të reagojmë ndaj vendimit të njëanshëm, të marrë nga kolegët amerikanë. Dhe unë e kam bërë të qartë përgjigjen time edhe në Asamblenë Federale. Unë mendoj se ky është një hap i matur. Në fund të fundit, nuk kemi qenë ne ata që e kanë filluar këtë”.

Në një reaksion të parë, ministri amerikan i Mbrojtjes, Gates, e quajti të papranueshme propozimin e Moskës për të hequr dorë nga sistemi i raketave. Gjatë një takimi të ministrave të Mbrojtjes së NATO-s, të mbajtur në Estoni, ai tha se nuk ka mirëkuptim për planet ruse për vendosjen e raketave në Kaliningrad. Megjithatë, qeveria e ardhshme amerikane do të duhet të bisedojë për këtë çështje me Moskën. Presidenti rus, Medvedev, tha se ai sheh mundësi për një fillim të ri të marrëdhënieve ruso-amerikane.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›