E Shtunë, 31 Tetor 2026

Modelet socio-politike përballë atyre të “Vëllait të madh”



Sot pa dyshim që të gjithë kemi vënë re se tashmë mbajtja e flokëve të gjata për djemtë nuk është më e ndaluar, shumë pak prej këtyre të fundit i mbajnë ato të tilla. Minifundet po ashtu nuk janë të ndaluara, por shumica e vajzave të reja tashmë preferojnë pantallona të ngushta me breza shumë pak mbi vithe.

Kjo ndodh kur në anën tjetër vë re vajza dhe gra të cilat kanë vënë shaminë mbi kokë dhe pak prej tyre të cilat mbulojnë deri fytyrën. Këto të fundit përgjithësisht janë të shoqëruara nga djem të rinj të cilët mbajnë mjekër dhe pantallona pak të shkurtra mbi këpucë.

Në fakt, përtej kësaj panorame shumëngjyrëshe, është kënaqësi të vësh re se të gjitha këto dimensione fetare të të jetuarit, për fat të mirë bashkëjetojnë pa probleme me modelet deri të ekzagjeruara të të jetuarit nga shumica e brumosur në mënyrën alla shqiptarçe me kulturën perëndimore!

Sipas mendimit dhe përvojës sime personale, kjo bashkëjetesë mbahet gjallë kryesisht falë traditës tolerante të shoqërisë sonë e cila u imponohet palëve për të pranuar të ndryshmen, por kjo pa dyshim që nuk mjafton.

Këtë shqetësim e konfirmojnë edhe debate te shumta të lira në internet apo edhe në emisione të tjera publike nëpër televizionet dhe radiot e shumta dhe pa dyshim në gazetat e panumërta...

Reagimi klasik i shoqërisë

Në fakt, një nga mënyrat për të krijuar ekuilibra të caktuar në shoqëri, është dhe ndërtimi i modeleve publike të emancipuara të cilat parimisht prezantojnë pararojën e shoqërisë. Më rezulton se mbi këto modele është investuar shumë para në Shqipëri që këto sipërmarrje të këtyre viteve të demokracisë së brishtë shqiptare të bëhen efiçente për shoqërinë specifike dhe komplekse shqiptare.

Askush, besoj, se ka dyshim që me ardhjen e pluralizmit në Shqipëri në vëmendjen publike përtej modeleve protagonistë të politikës u krijuan edhe shumë modele të reja socio-kulturore të individit të cilat duhet të shërbenin si shembull për shumicën.

Dimensionet e këtyre modeleve publike dhe transmetimi i perceptimit të tyre tek shoqëria kanë qenë shumëngjyrëshe dhe pa dyshim që të japin mundësinë të shquash lehtë nuancat e tyre perëndimore, të cilat dominojnë përgjithësisht, por edhe ato lindore të cilat, ndonëse në pakicë, janë të kudondodhura të cilat i përmendëm dhe më lart…

Modelet jofitimprurëse

Në opinionin tim, duke reflektuar mbi jetën publike, personalisht më rezulton se modelet efiçente të shoqërisë civile kanë qenë të pakta dhe modeste. Pa dyshim që këtu mund të përmendim modelet e Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarëve me z. Kreshnik Spahiu, lëvizjen “Mjaft” me z. Erion Veliaj, Forumin për Demokraci dhe Etikë me z. Arian Galdini, Zyrën në Mbrojtje të Konsumatorit me z. Altin Goxhaj dhe të tjera sigurisht. Të gjitha këto së bashku kanë tentuar të ndërtojnë institucionin e opinionit publik i cili ka qenë përgjithësisht i munguar dhe në fakt edhe sot e gjithë ditën i përgjumur.

Mund të kujtojmë organizimet masive të lëvizjes “Mjaft”, të cilat së fundi kanë munguar ose janë realizuar shumë modeste. Mund të kujtojmë organizimin masiv antikorrupsion të Zyrës në Mbrojtje të Qytetarit në qendër të kryeqytetit dhe sot vetëm konferenca shtypi pa dyshim për çështje të rëndësishme, por që janë shumë pak për çka ka nevojë shoqëria jonë problematike.

Këto modele në vëmendjen publike vijnë më pak se “Vëllai i madh”

Ku janë sot organizuesit e këtyre evenimenteve shumë të nevojshme për historinë tonë socio-politike? Në fakt, z. Kreshnik Spahiu tashmë ka një detyrë të rëndësishme shtetërore. Erion Veliaj tashmë është drejtues i një organizimi politik, ndonëse juridikisht akoma si OJF.

Me sa duket, edhe këta zotërinj të nderuar në organizimet e tyre jofitimprurëse respektive e kanë ndërtuar punën e tyre të dikurshme më shumë mbi rolin e tyre individual se në atë të institucionit që drejtonin!

“Sëmundje” kjo historike për stereotipin shqiptar dhe me sa duket, nuk i kanë shpëtuar as organizimet jopolitike dhe drejtuesit e tyre! Ndryshe nuk ka si të ishte kjo situatë kaq e varfër, e cila po prodhon më shumicë modelin divulgativ të “Vëllait të madh” në kafaz ose jashtë tij…

Në anën tjetër, duhet thënë se deri diku të dy organizmat e tjerë të përmendur më sipër, të cilët kanë qenë më modestë se dy të parët, po mbijetojnë në jetën publike me të njëjtat dimensione, por që për fat të keq, mediatizohen më pak se “heronjtë” e fundit, të cilët përziejnë mënyrën e të jetuarit privatisht në ekranet televizive.

Sot, këto krijesa që përfaqësojnë një model më shumë se të zakonshëm, mediatizohen për fat të keq më shumë se të gjithë organizmat jofitimprurës së bashku, të cilat tentojnë të sjellin në vëmendjen publike ndërgjegjësimin e nevojshëm të shoqërisë shqiptare.

Personalisht, më rezulton se modelet e tipit “Vëllai i madh” po prezantojnë “heronjtë” e ditës nga televizione të ndryshme dhe për fat të keq, fëmijët tanë tashmë njohin si model të tyre vetëm këta që mediatizohen pa kriter!

Ndërsa për këta të fundit shkruhet, flitet, shfaqet se ku kalojnë jetën e natës, me kë puthen, buzëqeshen, llafazohen, për të tjerët, organizimet e shoqërisë civile të cilët, ndoshta jo me pak probleme tentojnë të ndërgjegjësojnë shoqërinë tonë, nuk ka hapësirë mediatike…!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›