E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e katërt e Pilatit



Sot është dita e katërt… Sepse “çudia më e madhe 3 ditë zgjat”, ndaj dhe mediat e ndërruan diskun dhe nuk flasin më për problemin e rreziqeve natyrore e humane në Shqipëri. Do ta fusin ngjarjen e Gjirokastrës thjesht tek kronika: prokuroria, gjykata, e gjëra të tilla. Por, ajo tragjedi e Gjirokastrës nga njëra anë, si dhe flakërimi i përkohshëm i mediave për fenomenin “rrezik” nga ana tjetër, janë elementet tipike të asaj që quhet “teza Dauns”, sipas së cilës “entuziazmi fillestar për vëmendjen emergjente ndaj kujdesit mjedisor… shkakton shpejt në shoqëri idenë e gabuar se problemi u zgjidh ose u fut në rrugën e zgjidhjes”.

Po kjo është vetëm njëri element, ai më i pafajshmi. Sepse, nga ana tjetër, fenomeni më solli në mend shprehjen se “duhet të kemi ngjarje të jashtëzakonshme... që të na bëjnë të kthejmë sytë nga gjërat e zakonshme”. Këtë e thotë Lewanski, një autor i njohur i politikave të mjedisit, i cili e lidh këtë me karakteristikën themelore që kanë fenomenet mjedisore: vizibilitetin e ulët të procesit mjedisor dhe karakterin akut të ngjarjes mjedisore. Pra, problemet mjedisore nuk shquhen dot me mënyrat e zakonshme të vrojtimit apo observimit njerëzor megjithëse ekzistojnë, ndërkohë që ne i dallojmë vetëm atëherë kur na plasin menjëherë para syve, me ngjarje akute. Thënë ndryshe, megjithëse problemet ekzistojnë dhe ekspertët i evidentojnë vazhdimisht, të tjerët (përfshirë politikën, dhe mediat sidomos) rrinë indiferent… derisa ndodhin ngjarje si kjo e Gjirokastrës, kur mediat dhe sidomos politika kujtohen dhe e “zbulojnë Amerikën”, në fakt Amerikën e problemeve që e kanë pasur para syve tërë kohën. Derisa ndodhin ngjarjet akute, dhe disa politikanë e përdorin për kapital publik… Dhe kjo është më e pamoralshmja dhe më e padurueshmja.

Ja një shembull skandaloz. Disa politikanë të majtë filluan tani të flasin për ligjin e legalizimeve dhe problemet që ai mund të sjellë lidhur me rreziqet natyrore. Sa tallëse! Në pranverën e vitit 2006 e gjithë politika mori pjesë në diskutimin për ligjin për legalizimin. Dhe të gjitha krahët e politikës u përqendruan vetëm në 2 drejtime të debatit: kostoja ekonomike e tapisë së re dhe paratë për rimbursimin e pronarëve të vjetër. Dhe asnjë krah i politikës nuk trajtoi problemin e rreziqeve natyrore që injoronte procesi i legalizimit. Ndryshe nga ç’pretendojnë sot përfaqësues të së majtës, as ata, as denjuan fare të diskutonin për këtë. Dhe kjo është e dokumentuar. Të mos mundohen sot të marrin rolin e shpëtimtarit. Fatkeqësisht, as që e vunë fare ujin në zjarr. Jo vetëm që nuk e trajtuan atë problem vetë, por as ua vunë veshin ekspertëve që ofruan ekspertizë falas. Ne, një grup prej 3 ekspertësh mjedisorë dhe ligjorë të Rrjetit Shqiptar për Zhvillim të Qëndrueshëm, u kemi dërguar pikërisht në prill 2006 një letër argumentuese me propozime konkrete se si mund të përmirësohej ligji që të shmangej që rreziqet natyrore të shndërroheshin në katastrofa. Ua kemi dërguar këtë studim që e titulluam “Letër miqësore Parlamentit” të gjitha partive politike parlamentare. Absolutisht të gjitha partive një për një, edhe pozitës edhe opozitës. 15 letrat e hollësishme janë të protokolluara në Parlament në atë kohë dhe janë e vetmja ekspertizë e dokumentuar për atë proces, lidhur me rreziqet natyrore. Ofruam mirësisht që në mbledhjet e komisioneve parlamentare të shpjegonim propozimet tona tepër të kujdesshme e të studiuara edhe shkencërisht, edhe ligjërisht, të konsultuara edhe me bashkëpunëtorë të huaj perëndimorë. I kishin gati po të donin. Rezultati? E them me përgjegjësi se asnjë parti politike, absolutisht asnjë parti politike, as e djathtë, por as e majtë ama, nuk na thirri ne për të na dëgjuar, as nuk e bëri kauzën tonë të vetën, as nuk i përdori argumentet tona në debatin politik. Asnjë diskutim në Parlament nuk e ceku fare këtë temë. Madje kujtoj se në disa kontakte informale që ne patëm me përfaqësues të majtë e të djathtë përgjigja ishte: “Ore, e keni parasysh se cili është thelbi i diskutimeve?! Është fjala për sa para do të mblidhen nga privatizimi, dhe si e ku do të rishpërndahen. S’ia ka ngenë njeri të merret me rreziqet natyrore që thoni ju o miq”. Ne shkruam dhe artikuj në gazeta (si tani), bëmë dhe emisione në TV, e me radhë. Por asnjë rezultat nuk pati. Politika diskutoi për paratë e procesit sot, por jo për sigurinë që rrezikohej nesër.

Dhe ja pra ku vijmë. Vijmë aty ku, tani që medias i plasi topi para syve dhe filloi të fliste për të, politika tenton të marrë një rol të vonuar e të pamerituar. Sërish kjo është tallëse. Ku ishte para 2 vjet e gjysëm kjo politikë e majtë, atëherë kur mund ta luante vërtet këtë rol që kërkon të marrë sot për ligjin e legalizimeve? Atëherë as ua vërshëlleu fare ekspertëve të cilët u ofruan në përgjithësi për politikën. Ndërsa tani, kërkojnë të lajnë duart si Pilati. E pra, tani le t’i rikthehen letrës që u ka vajtur në Parlament në prill 2006 partive edhe të majta dhe do të shohin qartë se sa gjëra mund të kishin ndryshuar nëse ata do ta kishin marrë më seriozisht rolin që u ka ngarkuar elektorati, si dhe nëse do ta kishin luajtur seriozisht atë rol që e majta në çdo demokraci do ta kish luajtur: të mbronte interesat e shtresave të varfra… Por, ndoshta në atë kohë ishin akoma në inercinë e madhështisë së humbur. E, tani bujrum, le t’i kthehen e ta studiojnë atë letër… ndonëse për fat të keq, do të shohin se tashmë është vonë për disa gjëra. Pra, në fund të fundit, duke shpresuar se nuk do ta përdorin thjesht për kapital politik, le ta bëjnë të tyren kauzën mjedisore që ne e lobuam në atë kohë pa rezultat edhe me ata. Më mirë vonë se kurrë, edhe për Pilatin. Dita e katërt është sot…

*PhD në Menaxhim i Mjedisit dhe Burimeve të Territorit

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›