Historia e rrallë e 55 vjeccarit/ Ish gruaja më ka bllokuar pjesën e pronësisë, kërkoj drejtësi!
Njerëz në Udhëkryq
Është rubrika më e re që do të vazhdojë edhe këtë javë në Tirana Observer, dhe që do iu shoqërojë çdo fundjavë. Histori dhe personazhe reale do të rrëfejnë përmes faqeve të gazetës sonë dramën e jetës së tyre… dhunën, lotët, dhimbjen, skamjen apo padrejtësinë me të cilën këta njerëz janë të destinuar të jetojnë. Nuk janë filma as telenovela, por histori të vërteta që fare mirë mund të shërbenin edhe si skenarë kinemaje. Dhunë, varfëri, diskriminim… janë këto fenomene që plagosin dhe vrasin çdo ditë ata që jetojnë pranë nesh. Sot ishte dikush që se njihnim, por nesër mund të jemi vetë ne pre, apo viktimat e radhës. Qëllimi jonë është thjesht një sensibilizim drejtuar shoqërisë që hesht para fenomeneve të tilla dhe një apel i fortë i shkon institucioneve përgjegjëse që të marrin masa dhe të forcojnë ligjin kundër ndodhive të tilla negative; që çdo ditë e më shumë po deformojnë shoqërinë shqiptare…Nëse edhe ju keni një histori për të treguar, tuajën apo të të afërmve tuaj, ngrijeni zërin; denonconi!
Sot në ndryshim me të gjitha historitë e tjera të publikuara më parë ne do të publikojmë, dramën e një 55 vjeçari nga Tirana, një baba i cili është i destinuar që padrejtësisht të jetojë pa e parë dhe pa e takuar djalin e tij të vetëm, për shkak se ish bashkëshortja nuk ja lejon këtë gjë. E si të mos mjaftonte ky fakt, problemi më i madh i 55 vjeçarit Artion Agaj, i cili është divorcuar nga ish bashkëshortja e tij që prej viti 2006 është fakti që ky person nuk ka përfituar gjysmën e pronës që i takon me ligj, për shkak të ndërhyrjeve në institucionet përkatëse të Gjykatës dhe Përmbarimit nga ish gruaja e tij që është punonjëse në Gjykatë. Janë 7 vite sorollatje në Gjykatën e Tiranës ku madje 55 vjeçari ka fituar edhe gjyqin për të përfituar me ligj gjysmën e shtëpisë ndërsa, ky vendim zvarritet pa asnjë arsye nga Përmbarimi. Në lidhje me këtë problem disa vjeçar 55 vjeçari nga Tirana do të dërgojë një letër ankesë edhe në KLD ku do të kërkojë drejtësi për të përfituar gjysmën e pronës së tij. Nëse edhe ju keni një histori të ngjashme që ju shqetëson,: Merrni guximin! Denonconi edhe ju në tiranaobserver@gmail.com. Ju mirëpresim
55 vjeçari: 7 vjet sorollatje për shtëpinë nga përmbarimi
Ish gruaja më ka bllokuar pjesën
e pronësisë, kërkoj drejtësi!
Nga Arta AGOLLI
Nëse zakonisht jemi hasur, e kemi dëgjuar shpesh histori kur bashkëshortët meshkuj bëjnë çmos të mos e ndajnë shtëpinë me ish gratë e tyre pas divorceve, kësaj herë në gazetë do të trajtojmë një rast të veçantë. Kjo histori i përket 55 vjeçarit Artion Agaj baba i një djali i cili vuan që prej fëmijërisë nga një sëmundje që kërkon shpenzime dhe kujdes të veçantë. Kur e takojmë Artionin i vetmi merak për të është të jetojë me të dhe ta takojë rregullisht djalin e tij, gjë e cila prej disa muajsh nuk i lejohet nga ish bashkëshortja. Ndërsa problemi më i madh ka të bëjë me shtëpinë ku 55 vjeçari ka jetuar me ish bashkëshorten e tij dhe djalin para se të kryhej divorci. Edhe pse më një vendim gjyqi, Artioni ka disa vite që nuk mundet të marrë dot pjesën e pronës që i takon me ligj, pasi ish bashkëshortja duke përfituar nga posti që ka në gjykatë ndërhyn duke bllokuar të gjitha proceset.
Cila është historia juaj, sa vite keni që kërkoni të drejtën tuaj?
Historia ime ka nisur që prej kohës kur vendosa të bëj divorcin me ish gruan time, në vitin 2006, që atëherë e drejta ime për të përfituar gjysmën e shtëpisë zvarritet pa asnjë shkak nga zyra e përmbarimit për shkak se ish gruaja duke përfituar nga fakti që është punonjëse në Gjykatë, ka akses të ndërhyjë e të bllokojë të gjitha proceset. Kam vuajtur shumë, kam 6 vite që sorollatem sa në gjykatë sa në zyrat e përmbarimit, dhe asgjë nuk kam zgjidhur, për më tepër që edhe djalin tim nuk mundem ta takoj e për këtë jam shumë i dëshpëruar. Kohët e fundit kam fituar gjyqin që më takon me ligj për të përfituar gjysmën e apartamentit që e kemi blerë bashkërisht ndërsa kur kam shkuar në zyrën e përmbarimit më kanë trajtuar si të isha një endacak duke më thënë që nuk kam asnjë të drejtë të kërkoj pronën pasi të gjitha dokumentacionet janë në favor të ish gruas time. Pra përmbarimi nuk e zbaton urdhrin e Gjykatës dhe për këtë jam i sigurt që ajo duke përfituar nga detyra bën ndërhyrje vetëm që të më dëmtojë e të mbajë gjithë apartamentin për vete.
Ku mendoni se është ndërhyrë në dokumente dhe në çfarë mënyre?
Duke përfituar nga detyra e saj si punonjëse në gjykatë i ka bllokuar të gjitha mundësitë duke u bërë pengesë për përfitimin e gjysmës së pronës që më takon me ligj, madje ka arritur deri atje sa të ndërhyjë edhe në bankën që kemi marrë kredinë që për vite të tëra e kam paguar muaj për muaj me djersën e me punën time. Ajo ka punuar në bankë për disa vite dhe njihte të gjithë drejtuesit e duke përfituar që i kishte vetë dokumentet në dorë i ka ndryshuar. Këtë gjë ma ka pohuar një prej punonjësve në bankë duke më thënë se ajo është kritikuar shpesh herë e ka marrë edhe paralajmërim për pushim nga puna duke ndryshuar dokumente për kredi të tjera të disa personave që kanë aplikuar për kredi. I ka pasur në dorë vetë dokumentet e shtëpisë dhe i ka ndryshuar si ka dashur. Pasi u ndamë, kur jam paraqitur në këtë bankë e kam kërkuar dokumentet ku unë i kisha firmosur, gjithçka ishte ndryshuar dhe kredia paraqitej sikur ishte marrë vetëm prej ish bashkëshortes. Ajo është një person tepër negativ madje ka arritur deri aty sa në emër të djalit të sëmurë të më kërkojë herë pas herë rritje të pensionit mujor. Por problemi më i madh për mua është kalvari i gjatë i mundimeve në dyert e institucioneve shtetërore për të përfituar sipas ligjit gjysmën e pronës.
Kur është blerë shtëpia juaj, në cilin vit keni bërë divorcin?
Shtëpia është blerë në vitin 1995 kur kemi marrë edhe disa miliona para kredi për të plotësuar çmimin e shitjes. Paraprakisht i kemi firmosur të dy të gjithë dokumentacionin përkatës por më pas shtëpia padrejtësisht deklarohej që ishte vetëm në emrin e saj. Këtu kanë filluar edhe problemet mes nesh, situata nisi të përkeqësohej pasi ajo ishte e papërgjegjshme dhe që prej mëngjesit e deri në orët e vona të natës më thoshte që ishte në punë, ndërsa nuk kujdesej as për djalin e sëmurë. Kam sakrifikuar tepër për familjen time, por e vetmja shpresë që kam është që institucionet shtetërore të më ndihmojnë për të vënë drejtësi në çështjen time. E kam duruar si nuk mund të durojë jo një burrë por as edhe një shkëmb sjelljen e saj të pandreqshme, i kam kapur mesazhet në celular e dija që më tradhtonte dhe prap e kam falur disa herë vetëm për shkak të djalit të sëmurë, nuk pendohem për këtë ndaj edhe sot kam filluar jetën time të re por sërish ajo më shfaqet me ligësinë e saj duke bërë çmos që mos ta marr pjesën time të shtëpisë.
Cili është apeli juaj për institucionet shtetërore dhe një mesazh për djalin?
Në lidhje me problemin tim do të ankimoi në emër të ish bashkëshortes time që vazhdon të punojë në Gjykatë një letër ankesë në KLSH, dhe Ministrinë e Drejtësisë për të gjitha shkeljet dhe padrejtësitë që kjo punonjëse e gjykatës i bën në emër të detyrës. I bëj një apel të drejtpërdrejtë Përmbarimit që të zbatojë urdhrin e gjykatës dhe të më japë pjesën e shtëpisë që më takon me ligj. Ndërsa një mesazh shpirtëror ja dërgoj djalit tim që tashmë është i rritur dhe kupton shumë mirë gjithçka, të mos ndikohet nga fjalët e të ëmës por ashtu si jeton me të dëshiroj me gjithë shpirt së shpejti të rikthehet edhe tek unë, pasi unë jam babai i tij dhe do të bëja të pamundurën për shëndetin dhe lumturinë e tij.