Në gjakmarrje prej 2003-shit, vritet me 10 plumba emigranti
Lezhë/Fenomeni i gjakmarrjes ka shënuar viktimën e radhës në qytetin e Lezhës ku ka mbetur i masakruar me plot 10 plumba automatiku një 40 vjeçar. Ekzekutimi është kryer vetëm pak ditë pasi ishte kthyer nga Italia. Sipas policisë i kërkuari për vrasje të dyfishtë dhe plagosje në motive gjakmarrjeje Ludovik Ujka, 40 vjeç, humbi jetën rreth orës 18:30 të mbrëmjes së djeshme, në një pritë që i kanë zënë autorë ende të paidentifikuar në hyrje të Tales në Lezhë ku edhe banonte. Policia nisi hetimet dhe u vu në kërkim të të dyshuarve, ndërsa pista kryesore për vrasjen është hakmarrja për një seri konfliktesh me pasojë të vdekur prej vitit 2003. Dhe hakmarrja 10 vjeçare ka shënuar mbrëmë të vrarin e pestë, ku katër ishin bashkëshortë mes tyre dhe një të plagosur. Ludovik Ujka ka qenë i arrestuar për vrasje të dyfishtë dhe plagosje në një aksion të RENEA-s në vitin 2007, i dënuar me 25 vite burg nga Gjykata e Lezhës dhe Apeli, por u lirua më 2007 nga Gjykata e Lartë për një parregullsi në proces, sepse mungonte saktësimi i dëshmisë së një gruaje për autorët dhe makinën e tyre. Çështja u rikthye por gjykim dhe Ujka u largua për në Itali, ku mësohet se pak ditë më parë është kthyer.
Vrasja
Autorët që dyshohet se janë pjesëtarë të fisit Ndoj në Tale, duket se kanë ruajtur lëvizjet e fundit të Ludovik Ujkës pasi mësuan për kthimin e tij nga emigrimi. Ata nuk e kanë përtypur dot që 40-vjeçari fitoi lirinë në atë mënyrë, pasi u vrau 2 pjesëtarë dhe u plagosi një të tretë. Banorët dëgjuan disa breshëri automatiku dhe një makinë që u largua me shpejtësi. Kurse në rrugë u gjet i pajetë trupi i Ludovik Ujkës. Identifikimi nuk ishte i vështirë, ashtu si edhe ngritja e pistës, sepse viktima ishte me precedentë penalë dhe i dënuar. Policia e Lezhës ngriti postblloqe të shumta dhe ushtroi kontrolle në banesat e fisit Ndoj në Tale dhe rrethina, apo në zona të tjera ku kanë të njohur dhe të afërm.
Hetimet
Dyshimet e para bien mbi një gjakmarrje, por nuk përjashtohet edhe vrasja e paguar po për hasmësi. Në vendngjarje u gjetën rreth 20 gëzhoja Kallashnikovi dhe Ujka kishte marrë plagë të shumta. Mendohet se autorët kanë qenë të paktën dy persona që lëviznin me makinë.
Ludovik Ujka u arrestua më 26 janar 2006 nga forcat RENEA, pasi mbi të dhe nipin e tij rëndonin akuza për vrasjen e Zef Ndoj (Biba) dhe Eleni Muri, vrasje këto të ndodhura më 1 shtator 2003. Po në këtë sulm u plagos edhe Kastriot Ndoj, që i shpëtoi vdekjes. Gjykata e Lezhës dhe më pas Apeli e dënuan me 25 vite burg në mungesë. Pas arrestimit Ujka qëndroi vetëm një vit në qeli pasi Gjykata e Lartë vendosi rigjykim nga e para.