E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historia e skllavërisë komuniste dhe e urisë që solli komunizmi duhet rishkruar

Në 20-vjetorin e rrëzimit të “Murit tonë të Berlinit”, Kryeministri Sali Berisha vlerëson kurajon e atyre që e kapërcyen urinë dhe luftuan që Shqipëria të mos mbetej “Kuba e Adriatikut”. Duhet ta tregojmë këtë histori, nënvizoi kryeministri, që nga librat për Ledi Makbethin e enverizmit e deri tek ekzekutimet makabre në kufi

Në fjalën e tij në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kryeministri Sali Berisha u ndal dje te ceremonitë festive që do të bëhen për 20-vjetorin e shembjes së murit të Berlinit në Shqipëri, ku në datën 1 korrik do të ketë një miting festiv dhe me 2 korrik një ekspozitë për të kujtuar zhvillimet e 20 viteve më parë. Sipas kryeministrit, ky vit është vit jubilar, ky vit është viti i 20-vjetorit të shembjes së murit të Berlinit në Shqipëri, në Tiranë.
Kreu i qeverisë tha se sistemi diktatorial në Shqipëri, ishte sistemi më skllavërues, pasi qytetari ishte i zhveshur nga të gjitha minimumet jetike për mbajtjen e jetës. “është 20 vjetori i shembjes së murit më të betonuar, më kallkan, të murit të Berlinit në këtë vend. Muri i Berlinit shtrihej nga Kanali i Korfuzit deri në Ngushticën e Beringut, por nuk ka mëdyshje se pjesa më me gjemba, më mizore e këtij muri, kalonte nga Shqipëria, niste në Kanalin e Korfuzit. 20 vjet më parë analistë, dijetarë, publicistë, por mjerisht dhe politikanë, parashikonin se Shqipëria do mbetej ‘Kuba e Adriatiku’, nuk parashikonin shembjen e murit. Por, e vërteta është se pavarësisht nga terrori, pavarësisht nga frika e indoktrinimi ekstrem, skllavëria e thellë, socializmi shqiptarë, ishte një nga format më të egra që skllavëria ka njohur në historinë e skllavërisë së tij. Ai ishte një skllavëri totale ku skllavit nuk i garantohej as ushqimi. Ku në kooperativat bujqësore dhe fermat e tij, skllevërit vdisnin nga sëmundjet dhe uria kronike, ushqimi që ata merrnin ishte i zhveshur nga të gjitha minimumet jetike për mbajtjen e jetës, ndaj dhe Shqipëria ishte e mbuluar nga sëmundje që kishin shekuj që nuk dukeshin më në Evropë, si pelagra dhe sëmundje të tjera. Skllevërit në Shqipërinë e sistemit socialit, vdisnin, të nderuar deputet dhe nga sëmundje të thjeshta, sepse në mënyre absolute sado që me çmime simbolike ishin ilaçet ato nuk ishin falas dhe ata nuk i merrnin dot. Diferenca midis qytetit që jetonte me triska dhe fshatit, që nuk kishte më as triska as tollona, ishte një diferencë e paimagjinueshme nga ata që jetonin në qytet”, u shpreh kryeministri. “Historia nuk ka folur për këtë sistem, tha kryeministri Sali Berisha. Një njeri ka bërë një libër për “Ledi Makbeth”-in e këtij sistemi (monografia “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha” - shën i red), që po përkthehet në të gjitha gjuhët dhe po korr sukses të madh, por në asgjë nuk është përshkruar dhe nuk ka të përshkuar sistemi i skllavërisë së vërtetë, që përjetuan së paku 2/3 e shqiptarëve. Ai nuk është i përshkuar as në letra, as në filma, po për fatin më të keq është pothuajse i paimagjinueshëm nga çdo i huaj, por në shumë e shumë raste i paimagjinueshëm nga shumë shqiptarë që jetuan në qytete, që të paktën kishin disa triska dhe tollona dhe e njihnin këtë realitet, por jo realitetin tjetër, ku nuk kishte asgjë, përveç kripës dhe bukës së misrit, që provokonte pelagrën dhe maksimumi një litër vaj apo një kg sheqer.
Por shqiptarët mendonin ndryshe. Shqiptarët mendonin se nuk mund të mbeteshin ‘Kuba e Adriatikut’ dhe ata duhet të bënin detyrën e tyre. Ndonëse në një terror të pakrahasueshëm me detyrën që bënë qytetarët e Gjermanisë lindore, detyrën që bënë hungarezët, polakët dhe bullgarët, që ishin në krye të kësaj lëvizje, ndaj dhe ata nisën lëvizjet e tyre të fuqishme, të cilat në do i nderojmë bashkarish në këtë 20 vjetor”, tha më tej Berisha, duke theksuar se sipari i këtyre nderimeve në Shqipëri nis me një miting dhe një ekspozitë.
Sipas kreut të qeverisë, mitingu do jetë më 1 korrik pasdite në Qytetin Studenti dhe më 2 korrik do jetë ekspozita. “është zgjedhur Qyteti Studenti për mitingun, jo se kryetari i bashkisë ka ngritur pllakat e sheshit qendror, por është zgjedhur me një simbolikë. 2 korriku përbën përpjekjen e madhe të rinisë shqiptare për të shembur murin e Berlinit në Tiranë, me 2 korrik dhe pak ditë më parë me qindra dhe mijëra të rinj shqiptarë shembën murin dhe hynë në territorin e ambasadave të vendeve të lira. Ne duhet ta nderojmë këtë datë. Duhet ta nderojmë këtë datë si një datë shumë të shënuar në historinë e demokracisë së këtij vendi. Ne përzgjodhëm Qytetin Studenti për ta nderuar këtë datë, sepse në dallim nga të gjitha vendet e tjera ish komuniste, regjimi barbar regjimi diktatorial e rivendosi Murin e Berlinin, ia doli ta rivendose atë, ia doli me terror, me dhunë me ekzekutime. Qindra të rinj shqiptare u ekzekutuan në kufij për fajin e vetëm se u nisën drejt botës së lirë, trupat e tyre u zvarritën në Sarandë, në Shkodër e qytete të tjera. Regjimi bëri çdo përpjekje për të ngritur dhe mbajtur Murin e Berlinit në këtë vend. Kjo përpjekje nuk zgjati shumë, sepse do vinte dhjetori dhe në dhjetor rinia studentore shqiptarë bëri historinë e këtij kombi, rrëzoi në mënyrë përfundimtarë perden e hekur dhe themeloi pluralizmin në këtë vend. Ndaj dhe ne do të nderojmë në këtë ditë të 20 vjetorit të atyre ngjarjeve të mëdha që përmbysën epoka, që përmbysën sisteme, askush në Evropë dhe në botë nuk e ka pasur më të vështirë se shqiptarët. Një komb që përjetonte një terror ishte ndrydhur në një bunker, tek i cili vetë harresa kishte krijuar edhe harresën. Në këtë kontekst nëse mbarë bota e nderoi vitin e kalua 20 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit ata që ishin më të shtypurit e të shtypurve kanë sot 20 herë më të madhe motivin e tyre për të nderuar këtë 20 vjetor, me të gjithë civilitetin, qytetarinë, respektin e madh, por dhe krenarinë për veten e tyre, sepse këto ishin ngjarje të qytetarëve, të punonjësve , të banorëve të qyteteve dhe fshatrave e komunave të vendit në Shqipëri më shumë se çdo vend tjetër ishte masiviteti dhe lëvizja masive ajo që përmbysi diktaturën”, deklaroi kryeministri Sali Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›