E Diel, 1 Nëntor 2026

Historia nuk shkruhet “me sikur”

Nga datat 8 deri në 12 dhjetor të cdo viti pas atij 1990, kujtohen me festime dhe nderim ngjarjet e atij dhjetori që në historinë e Shqipërisë kanë shkruar faqe nga më të rëndësishmet. Ato të rrëzimit të komunizmit dhe themelimit të republikës demokratike shqiptare. Histori e një republike që pasurohet dhe nga datatë tjera që vijnë më pas, e mbase do të shtohen edhe në vitet në vazhdim për shkak të ngjarjeve të mëdha që plotësojnë më së miri këtë histori që shqiptarët i vendosi më në fund në botën e vlerave dhe lirisë.
Për këto arsye, çdo vit, katër ditët mes 8 dhe 12 vjetorit, kujtohen më me festivitet se ngjarje të tjera të mëpasme. Por jo vetëm sepse i hapën rrugën historisë së mëpasme, por sepse ka një arsye mbi gjithë të tjerat. Këto ditë janë ditët kur pluralizmi politik, liritë dhe të drejtat e njeriut, tregu i lirë u legjitimuan njëherë e mirë. Janë pra ditë e legjitimitetit historikc të shqiptarëve, për të kthyer faqen e një historie fatkeqe të deriatëhershme komuniste të mbushur me dhunë, depersonalizim dhe shpërfytyrim të dinjitetit të një shoqerie të tërë. Ndaj këto ditë nuk duhen parë si festë e studentëve dhe e pedagogëve të dhjetorit, apo e Partisë Demokratike, por si një nga pjesët më të ndritura të historisë së Shqipërisë. Këtu ndahen dy epoka, gjendje, morale dhe fate. Sepse kanë qënë ditë të gëzuara dhe dramatike, ku kufiri midis dështimit dhe suksesit ka qënë shumë i hollë. Dhe për fatin tonë të mirë ato i hapën rrugën suksesit dhe jo dështimit. Lirisë dhe jo tiranisë. Mirëqënies dhe jo varfërisë.
Fatkeqësisht historia ashtu siç legjitimon të mirën, mbart brenda vetes edhe harresë apo zbehje. Ajo nën ritmin e aktuales dhe shtrembërimit bëhet viktimë e indiferencës. Ndaj ta kujtosh historinë , ta risjellësh atë nëpërmjet simboleve e bën vetë atë të riaktualizohet, pra të qëndrojë  e lidhur pazgjidhshmërisht me vlerat që na sjell nga e shkuara. Kthimi nëpërmjet kujtimit tek e shkuara, na lidh me të sotmen dhe të ardhmen. Shoqeria është politike dhe për këtë edhe historike, nda ndarja me të krijon boshllëk vleror. Jo më kot kujtojmë brohoritjet “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, sepse sot i jemi afruar asaj më shumë. Ftesa për në NATO dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit nukl janë ngjarje që lindin nga hici apo thjesht nga politika e ditës. Ato  nuk janë retorikë apo produkt burokratik, por përfaqëssojnë projektin më të madh të Shqipëtarëve që për herë të parë doli nga mendjet dhe brohorimat e studentëve më datë 8 dhjetor 1990.
Shkrimi i historisë është një proces i vazhdueshëm. Ajo mbushet, përmirësohet dhe lartëson pjesën e vet më fisnike nëpërmjet virtytshmërisë që i jep koha dhe reflektimi. Kjo s’do të thotë ta manipulosh atë, po ta shohësh nën këndvështrimin e vlerave që sjell një ngjarje e këtyre përmasave. Një ngjarje që nuk prodhon përmbysje të së keqes nuk mund të jetë një ngjarje e madhe historike.
Në këtë optikë nuk kanë munguar dhe përpjekjet për ta zbehur apo ridimensionuar rëndësinë e 8 dhjetorit dhe ditëve të mëpasme. E rëndësishme është ajo që mbetet. Ndryshimi i historisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›