E Diel, 1 Nëntor 2026

Cikli/ Eksperimenti me emrin komunizëm/ Pushteti i liderëve të sëmurë

Për 18 vjet me radhë, Leonid Brezhnjev udhëhoqi superfuqinë sovjetike. Thuajse gjysmën e kësaj periudhe, ai e kaloi me shëndet të rënduar: emri i tij lidhet me stanjacionin total dhe nisjen e rënies së eksperimentit sovjetik. Cilat ishin tiparet, mendimet dhe veset e pasardhësit të Hrushovit? Si jetonin qytetarët sovjetikë asokohe dhe çfarë e bënte atë regjim të cilësohej si "i sëmurë" e i pashërueshëm?

Pushteti i liderëve të sëmurë

Vitet shtatëdhjetë e tetëdhjetë - në lidhje me ato që ndodhnin në Bashkimin Sovjetik - ishin një errësirë e vërtetë informative për shqiptarët e atij brezi që i ka jetuar ato kohë. Në tekstet e librave mësimorë mund të hasje ndonjë informacion të shkurtër, të paaktualizuar e me shprehje shabllon mbi ekonominë, zhvillimet politike e sferat e tjera të jetës në atë që cilësohej tashmë prej kohësh si "vendi që udhëhiqej nga klika revizioniste në shërbim të kapitalizmit" apo ndryshe "socialimperializmi sovjetik". Fare pak dihej konkretisht nga populli i thjeshtë mbi nivelin e mirëqenies, problemet e përditshme apo reformat që besohej se kishin nisur në atë kohë. Kishte shumë që besonin se ai ishte vërtetë vendi i madh i sovjetëve me burime të pashtershme e standarde të larta jetese. Por situata duket se ishte shumë e ngjashme me atë që po ndodhte në Shqipëri, gjithsesi me ngjyrime e dinamikë më të ndryshme. Kjo ishte dhe periudha që njihet si ajo "e stanjacionit", e cila do të shtronte edhe rrugën për kolapsin e plotë të ish-Bashkimit Sovjetik dhe eksperimentit me emrin komunizëm. Materiali i mëposhtëm na jep në detaje problemet dhe atmosferën e erës "Brezhnjev", parë nga sytë e studiuesve, korrespondentëve e gazetarëve gjermanë. Cilat ishin tiparet, mendimet dhe veset e pasardhësit të Hrushovit? Si jetonin qytetarët sovjetikë asokohe dhe çfarë e bënte atë regjim të cilësohej si "i sëmurë" e i pashërueshëm?

* * *

Ishte një takim i një lloji të veçantë. Për një gazetar e autor librash - siç ishte asokohe korrespondenti gjerman i revistës "SPIEGEL" që ecte me makinën e tij rrugëve të ish-B.S. - vëzhgimet që regjistroi në mes të masiveve pyjore ruse në një pasdite vere të vitit të largët 1981, e bënë atë sa të rrezikshëm, aq edhe sensacional.

Shpejt u shpërfaq vështrimi nëpër pyll mbi një sipërfaqe të stërmadhe në formë kryqi. Një trase jashtëzakonisht e madhe, me ç’ duket e sapobetonuar, nga të dyja anët, pajisur me tabela që të ndalonin kalimin dhe me tela me gjemba, kalonte mbi autostradën "M-10", Leningrad-Moskë. Atje një kolonë ushtarësh me mjete ushtarake në motive kamuflazhi, mbinë nga e majta duke ndaluar papritur gazetarin. Ushtarët me automatikë u mblodhën duke bllokuar rrugën nga të gjitha anët. Më pas, një zhurmë kërcënuese motorësh. Në pistën e betonit, të mbuluar me rrjeta maskuese u derdhën pajisjet automobile të telekomanduara me shumë akse. Tek to ishin montuar një mori tubash në dukje, nga 20 metra të gjatë e 2 metra të larta, të shtypura nga përpara e nga pas të mbuluara me mbulesa, një lloj brumbulli në formë të stërgjatur.

Edhe për syrin më të pastërvitur, çdo gjë ishte mëse e qartë: këtu do të kalonin raketa të fuqishme. Mund të ishin të famshmet SS-20: ato armët e reja "mrekulli" sovjetike që asokohe me rrezen e tyre prej rreth 5000 kilometrash dhe me deri në tri mbushje atomare në kokë, mund ta bënin Europën Perëndimore të dridhej.

A ishte ky rasti për të sjellë një scoop gazetaresk? Akoma në asnjë media nuk ishte shfaqur ndonjë foto e armës deri në atë kohë sekrete. Kamera rrinte aty në makinë si e ngrirë. Por aty jashtë ushtarët vëzhgonin çdo lëvizje dhe Mercedes-in me numrin e korrespondentit e kishin vënë në shenjestër. Të zbrisje nga makina ishte gjithashtu e pamundur, dhe një shkrepje aparati po ashtu, shumë e rrezikshme. A ia vlente të bëje një foto, kur e dije se kjo ishte e barazvlefshme me një burgim afatgjatë me akuza për spiunazh? - Llogjika e ftohtë të thoshte jo. Fotot e para të SS-20 arritën të shohin dritën e botimit vetëm vite më pas, pasi konfrontimet për raketat ishin mprehur edhe më shumë. Ato të çonin tek kundërpërgjigja e Nato-s me sistemin raketor "Pershing", duke sjellë edhe një herë në pah garën e armatimeve mes Lindjes e Perëndimit, kostot astronomike të së cilës sollën në thelb edhe shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik.

Kjo ishte "era Leonid Brezhnjev", që udhëhoqi për 18 vjet Perandorinë e Kuqe, ku gjysmën e kësaj periudhe e kaloi nën sëmundje të rënda – ajo kohë, kur vendi kishte njohur prej kohësh stanjacionin. Eksperimenti me emrin Bashkimi Sovjetik kishte ngecur në një qorrsokak. Ish-kancelari gjerman, Helmut Shmidt, e krahasonte superfuqinë e atëhershme botërore me një vend afrikan në zhvillim, kur ai e cilësoi atë njëherë si "Volta e Sipërme me raketa". Në tetor 1964 udhëheqja e PKb të BRSS kishte organizuar një puç kundër shefit të vet, Nikita Hrushov dhe e kishte larguar atë nga pushteti. Kishte qenë një ndërrim pushteti pa gjakderdhje: burokratët e Politbyrosë shfrytëzuan rastin kur Hrushovi ishte me pushime në Detin e Zi dhe komunikuan thjesht lajmin se ai tashmë ishte nxjerrë në pension.

Pasuesi i tij, Leonid Iliç Brezhnjev, asokohe 57-vjeçar, u zgjodh si kandidati i kompromisit dhe madje i lejoi paraardhësit të vet një sërë privilegjesh – një pension mujor prej 500 rublash, daça ( vilë në fshat apo provincë) dhe një banesë në qytet, ngrënie në sallën e Kremlinit si dhe një automobil me shofer. Ashtusikurse të gjithë paraardhësit e tij, shefi i ri i Kremlinit vinte nga provinca, nga qyteti ukrainas i Dnjepërpetrovskit. Në luftë ai ishte angazhuar si komisar politik e kishte arritur gradën e Gjeneral Majorit. Asokohe në dosjen e tij shkruhej "ukrainas". Vetëm më vonë, pas fillimit të karrierës së lartë në Partinë Komuniste, ai u shndërrua në një "rus".

Nga pamja, Brezhnjevi të ngjante me "profilin e një rusi të mirëfilltë", siç shkruante asokohe një korrespondent i mediave gjermane nga Moska: një burrë me flokë të zinj të dendur dhe me vetulla shumë të trasha që binin në sy, në kundërshtim me aparatçikët sovjetikë, deri diku i sjellshëm dhe i ndërgjegjshëm për ndikimin që kishte me veprimet e sjelljet e tij tek gratë. Për këtë dëshmonin "gratë e ushtarëve", të cilat gjeneralit të dikurshëm gjatë udhëtimeve të veta i shërbenin si "shoqëruese", ashtusikurse edhe infermieret e tij në vitet e fundmit të jetës: njëra prej tyre, ish - e dashur që i ndenji besnike deri në fund, dhe i shoqi i të cilës bëri karrierë duke u graduar edhe gjeneral. Për historitë e tij me gra, Brezhnjevi ishte shumë krenar. Kur partneri i tij i preferuar perëndimor, Villy Brandt, pas një skandali që lidhej me shefin e tij të kabinetit, ish-spiunit të RDGJ-së, Gunter Guillaume dha dorëheqjen dhe një moment ra fjala për gratë, Brezhnjevi bëri sikur s’ mund madje as ta kuptonte se çfarë përbënte kjo: "Foto me gra? Për këtë unë do të vija edhe më shumë para në tavolinë... ".

Era post-Stalin e shefit partiak që i zgjati më shumë pushteti se sa e asnjërit shef para e pas tij, ishte kontradiktore. Ajo ishte sigurisht në një farë mënyre edhe periudha më e qetë e të gjithë historisë sovjetike. Por ajo u ravijëzua edhe nga ndonjë akt dhune, siç ishte Pranvera e Pragës, në 1968. Pas një droje të gjatë, Brezhnjevi vendosi për një fund ushtarak të përpjekjeve të vlerësuara në rang ndërkombëtar të Partisë Komuniste çekosllovake, për të lidhur demokracinë me socializmin. Nga tri anë marshuan më 20 gusht 1968 trupat e Traktatit të Varshavës drejt Çekosllovakisë. Që nuk pati gjakderdhje, ashtusikurse ndodhi në Budapest më 1956, kjo i dedikohej udhëheqësve të revoltës së Pragës – ministrit të mbrojtjes, gjeneralit Martin Dzúr që i la ushtarët në kazema.

Shokët "e lëvizshëm" të Pragës duhej të nënshkruanin një protokoll në Moskë. Dekretohej një përfundim i shpejtë i reformave në Pragë. Një shaka politike që vjen nga ato kohë thotë se: "gjatë një takimi në Moskë, partitë motra komuniste vendosën që shokun Dubçek, duke iu referuar shërbimeve të tij në favor të kauzës së socializmit , ta varnin. Ekzekutimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë e miqësore". Në Bashkimin Sovjetik, disidentët reaguan kundër këtij akti dhune me demonstrata të veçuara që u shpërndanë gjithsesi shumë shpejt. Në aspektin e zhvillimeve politike ndërkombëtare, invazioni i Moskës ishte një humbje shkatërruese për Bashkimin Sovjetik. Madje edhe më shumë se 50 parti, të ashtuquajtura "motra" protestuan ndaj këtij akti ose të paktën preferuan heshtjen - ndër to renditeshin shtete si Jugosllavia, Kina apo Rumania, si dhe Partia Komuniste e fuqishme në Perëndim, e Italisë.

Vetëm pak prej tyre patën guximin të dilnin hapur në krah të Moskës. Ato u arrestuan dhe u dënuan, siç ishte rasti i shkrimtarit Julij Daniel dhe Andrej Sinjavski, apo mbajtësi i çmimit Nobel, Andrej Saharov që u dëbua, pasi në vitin 1968 kërkoi që Moska të niste kursin e propagandauar nga Pranvera e Pragës me kahje demokratike. Pati raste kur disa disidentë u rrasën në klinika psikiatrike – siç ishte rreshteri që në vitin 1969 kishte qëlluar para Kremlinit makinën e Brezhnjevit. Nëse Hrushovi kishte kërkuar të distancohej edhe më tej nga Stalini, Brezhnjevi preferonte të mbante veshur vetëm mantelin e heshtjes mbi "të pabërat" e Gjeneralizmit. Ky i fundit qëndronte aty para varrit të tij në muret e Kremlinit – atje ku Hrushovi e kishte dërguar kufomën e hequr nga Mauzoleumi i Leninit – madje kishte ngritur edhe një bust graniti. "Kultin e individit", të mallkuar nga Hrushovi, ai e ringjalli ndërsa mosha e sëmundja e tij sa vinte e rëndohej. Kështu ai rivendosi sërish postin (titullin) e Sekretarit të Përgjithshëm të partisë.

Ministri i mëvonshëm i jashtëm, Eduard Shevarnadze, e përkëdhelte me servilizëm shefin e madh, ndërsa e cilësonte si" timonieri që drejton popullin nëpër qiellin e pamatë, në majat e komunizmit" – dhe që lundroi më shumë nga të gjithë në një "gjendje qetësie" krahasuar me të tjerët – do të shtonte më pas ish-ambasadori sovjetik në Bonn, Valentin Falin. Brezhnjevi u emërua kryetar shteti dhe Marshall ( gjë e cila sillte me vete goxha privilegje – siç ishte dhe e drejta ekskluzive për të trashëguar një pronë e tokë të vetën) si dhe një masë të madhe nderesh që pasonin. Vetëm 21 dekorata sovjetike mbante ai në gjoks si një "mur ikonash" e përveç tyre, edhe nja 15 tituj, dekorata nderi e urdhëra të huaj. "Çmime të Leninit" ai i mblidhte me të dyja krahët – gjithsej nja shtatë - njëri pas tjetrit vetëm për letërsinë: njëri prej tyre iu dha atij për rrëfenjat apo kujtimet e tij që lidheshin me bëmat e kohës së luftës, të cilat ia përmblodhi një tufë autorësh të destinuar të mbeteshin anonimë.

Sekretari i Përgjithshëm vetë nuk lexonte thuajse asgjë, përveç fletoreve të cirkut dhe revistave të automobilave. Sipas njerëzve të tij të afërt, ai madje nuk kishte lexuar kurrë as "Kapitalin" e Marksit e as veprat e Leninit. Dogma e tij ishte: "vendi është stabël, i qetë dhe në gjendje të mirë. Unë gëzohem që tek ne çdo gjë po shkon normal vetvetiu". Socializmi i zhvilluar", edhe kjo një shprehje e farkëtuar nga koha e Brezhnjevit, në përditshmërinë sovjetike, lirshëm po njihte njollat e mangësitë e veta. Kur qarkullonte thashethemi se në "Dom mebeli" të Moskës, do të kishte mobilje të përdorura, mijëra moskovitë bllokuan rrugët dhe u organizuan në një rreth njerëzish që thirret Sotnjas – qindra njerëz, ashtusikurse kozakët në kohët e luftës. Vetëm kështu sigurohej qëndrimi ditëgjatë për të përfituar më lirë një tavolinë apo një raft.

E asokohe, vendi i madh që shtrihej në plot 12 zona orare dhe bekuar me pasuri nëntokësore të të gjitha llojeve, për shkak të burimeve të pashtershme energjetike mund të arrinte nivelin më të lartë të mirëqenies në botë. Por përveç armatimit ekstrem dhe shërbimit të fshehtë, me milionat e informatorëve, gjërat nuk funksiononin siç duhet. Në vend të socializmit të deklamuar "për popullin", kishte zënë me kohë vend një "sistem feudal" ( sipas Volkogonov ) i udhëhequr nga disa qindra-mijëra të privilegjuar. Kështu dukej gjendja nga Kaliningradi deri në Vladivostok: qytetari i thjeshtë, mesatarisht fitonte rreth 177 rubla në muaj në vitin 1982, në fund të erës Brezhnjev (sipas përllogaritjes, me kursin e atëhershëm zyrtar, rreth 300 Euro, por në tregun e zi, ajo konvertohej vetëm maksimalisht 100 Euro). Secilit qytetar sovjetik, në atë kohë, sipas planit i takonin nëntë metër katrorë banesë. Por në praktikë, kishte plot raste kur familje me katër kurora ndanin një apartament të përbashkët - gjë e cila rriste kriminalitetin e nuk i lejonte dot çifteve asnjë hapësirë për sferë private.

Mosha mesatare e njerëzve tek burrat arrinte në 61 vjeç, për të cilën fajtori kryesor shpallej alkooli, monopolin e të cilit e kishte vetëm shteti. Gjysmën e të ardhurave, qytetarët sovjetikë e shpenzonin për ushqime, marrjen e të cilave duhet ta arrinin ndërsa kalonin mesatarisht rreth 550 orë në vit në radha që jepnin lodhje, stres e harxhim energjish. 37 miliardë orë pune humbeshin në këtë mënyrë kot. Burimi kryesor i vitaminave të rusëve asokohe ishin lakrat , të cilat zbrazeshin nga kamionët e kolkozeve direkt në dyqane, ashtusikurse shpeshherë edhe patatet e prishura apo të ngrira. Vezëve, klientët duhej t’ u merrnin erë për të marrë vesh se nuk ishin të skaduara. Vetëm buka gjendej në kualitet të pranueshëm , por edhe kjo falë importeve të stërmëdha nga

Perëndimi me drithë – deri në 42 milionë tonë në vit. Për këtë, eksportoheshin jo vetëm gaz e naftë, por edhe qindra tonë metale të çmuara e ar.

Një mall defiçitar, siç ishin artikujt e sipërpërmendur, shitësit i shisnin shpesh poshtë banakut. Kur gjatë Lojërave Olimpike të vitit 1980, në qytetet ku kishte gara, doli në shitje dhe gjalpë gjerman, u regjistruan madje edhe sherre e zënka skandaloze mes klientëve në radhë dhe shitësve, të cilët e ruanin mallin për një klientelë më të pasur. Një e treta e prodhimit të përgjithshëm zhdukej pa lënë gjurmë: ai ekzistonte vetëm në letër, porse vidhej, prishej ose përfundonte në treg të zi. Me këtë realitet, qytetarët normalë duhej të luftonin çdo ditë. Nëse bëhej fjalë për piper apo kafe, syze apo çizme llastiku, bileta teatri apo avioni – çdo gjë duhej siguruar në rrugë të shtrembër.

Pjesa 2

Përkundrazi, kush zotëronte rubla mjaftueshëm, gjithsesi mund të jetonte mirë. Në tregjet private të fshatarëve të kolkozeve, oferta nuk mbaronte: kishte domate dhe tranguj, mollë dhe dardha, kërpudha dhe luleshtrydhe, rrush, limona dhe fiq nga Kaukazi, bostan kokërmadh nga Uzbekistani, por edhe peshk, gjalpë e vodka, zogj e gica të njomë. Gjithçka gjendej me disafishin e çmimit të tregut zyrtar. Kjo ishte në mënyrë të përmbledhur dita në shtetin e "hiperindustrializuar", ku mezi gjendej madje edhe një furçë dhëmbësh, një llampë elektrike apo bateri, një radio, një kaçavidë apo dhe pilula antishtatzanisë.

Ndërkohë abortet, të cilat dhjetra-mijëra vajza të reja, duhej t’ i nënshtroheshin, kushtonin vetëm pesë rubla. Kur vendi po festonte nën udhëheqjen e Brezhnjevit, 60-vjetorin e Revolucionit, superfuqia sovjetike ekzistonte prej kohësh tashmë vetëm në letër – me ekonominë, por edhe sferat e tjera që "zhvilloheshin" në një plan pesëvjeçar nga një burokraci e stërmadhe, por që në praktikë nuk zbatohej kurrë i plotë. Më shumë se 60 ministri – ndër to edhe për "ndërtimin e makinerive të mesme" apo të "centraleve bërthamore" – administronin një ekonomi realisht inekzistente. Puëntorët ("ata aty lart bëjnë sikur na paguajnë, e ne bëjmë sikur punojmë") silleshin vërdallë në këto rrethana duke sjellë një alternativë ndaj grevave. "Vjedhje, shmangie nga detyra, apo dhe mani për të pirë pa fund derisa të deheshin", ishin bërë asokohe, sipas një disidenti të emigruar rus, mënyrat e sjelljes më normale të shoqërisë sovjetike.

Për elitën udhëheqëse, kjo ishte, ashtusikurse e dinin të gjithë, një "kohë e artë" për vetëshërbim – kështu shkruante Georgij Arbatov, një bashkëpunëtor i Brezhnjevit. Brezhnjevi vetë, një i marrë i kënaqur me veten, kishte në zotërim një park automjetesh me plot 80 makina luksoze, ndër to edhe marka si "Rolls-Royce" e një limuzinë të blinduar jashtë serie të tipit "Zil". Kur ia jepte të dilte për gjah, mund të zgjidhte ndër më shumë se 100 armë. Një koleg të tijin të gjuetisë - që atij i nxirrte në shteg derra të egër e kapronj - ai e bëri gjeneral. Ambasadori Falin, që ishte ankuar një herë për rrogat e ulëta të diplomatëve, ai i dërgoi në Bonn një dosë si dhuratë (si përgjigje) për të kujtuar edhe një herë kartën e mensës sovjetike. Edhe një ditë para vdekjes, ai donte të ushtronte pasionin për gjueti në Savidovo, 120 kilometra në veri të Moskës.

Edhe anëtarët e tjerë të nomenklaturës zotëronin sigurisht banesa, privilegje e daça, makina e prona, blinin në dyqane të rezervuara dhe trajtoheshin në klinika speciale. Në klasën e re të komunizmit në degjenerim, përveç prominencës partiake, renditeshin sigurisht, edhe ministrat dhe shefat e republikave, oficerët e lartë, menaxherët e ndërmarrjeve të mëdha shtetërore, shkencëtarët, sportistët elitarë, kryeredaktorët dhe drejtuesit e gazetave më të rëndësishme, shkrimtarët, artistët, kozmonautët dhe "heronjtë e punës socialiste". Ndër demonstratat më të njohura të erës së Brezhnjevit ishte ajo e organizuar pikërisht në ditët e lojrave olimpike të vitit 1980 në Moskë, kur poeti rebel rus, këngëtar dhe aktori Vladimir Vyssozki, vdiq në moshën 42-vjeçare.

Ai qysh në rini kishte provuar burgun e gulagun, para se të bëhej një këngëtar disident i respektuar dhe shumë popullor në mbarë vendin. Kur ai vdiq, më shumë se 50.000 vetë u mblodhën në teatrin "Taganka", ku ai kishte luajtur më parë "Hamlet"-in. Në varrimin e tij u mblodhën edhe një herë dhjetra-mijëra, duke e shndërruar varrezën në një det lulesh. Turma u shpërnda me brutalitet nga policia, në mediat ruse kjo ngjarje më pas u shndërrua në tabu. Trazirat në vend ishin gjëja e fundit që Kremlinit i duheshin në atë kohë. Pasi ato ishin shtypur për herë të dytë gjatë kohës së Brezhnjevit me dhunë. Invazioni mbi Afganistan i lajmëruar në media në mëngjesin e datës 27 dhjetor 1979 nga ana e Bashkimit Sovjetik ("në përmbushje të detyrimeve ndërkombëtare "në mbrojtje të socializmit") ishte gabimi me pasojat më të rënda.

Ai do të përfundonte me një disfatë pas një lufte dhjetëvjeçare me rreth 15 000 ushtarë të vrarë, gjë që ndikoi shumë në shpërbërjen dhe kolapsin e Bashkimit Sovjetik. Shefi i Kremlinit, Leonid Brezhnjev, që vuante ndërkohë nga një sklerozë celebrale e vazhdueshme, ishte simbol i agonisë. I turbullt dhe i rënduar nga verbëria , me një shikim të humbur, me një gjuhë që mezi kuptohej dhe lëvizje të pasigurta, ai shfaqej si fantazmë në TV. Në paradat e mëdha të 1 Majit dhe ato të nëntorit në Sheshin e Kuq, ai duhej të mbahej nga ndihmësit në krahë e shpatulla për të qëndruar më këmbë. Leonid Brezhnjev vdiq në moshën 75-vjeçare më 10 nëntor 1982. Pasuesi i tij, Jurij Andropov, 68-vjeç, ishte kandidat i dy shtyllave kryesore të pushtetit sovjetik – i shërbimit të fshehtë KGB, të cilin ai e udhëhiqte prej 15 vitesh, dhe të ushtrisë. "Ai ishte më i zgjuar se sa të gjithë udhëheqësit e tjerë sovjetikë, e ai e dinte se ç’ po ndodhte në vend", shkruan biografi i tij, Volkogonov. Por ai vazhdonte përpara: "këndvështrimi i tij çekist e policor, gjithsesi nuk mund të dëshmohej si një vizion bazë për kthesën radikale". Shpenzimet ushtarake të BRSS –së në vitet tetëdhjetë u rritën me 70% të buxhetit.

Nga Afganistani ktheheshin gjithnjë e më shumë ushtarë të vdekur në arkivolë plumbi. Dhe më pas u sëmur edhe Andropovi rëndë dhe kaloi pjesën më të madhe të mandatit të tij në krye të shtetit në spital. Veshkat e tij tashmë kishin marrë fund, duke bërë që ai të vdiste në shkurt 1984. Bashkimi Sovjetik në dekadën e shtatë të ekzistencës kishte mbërritur tashmë thuajse në fund të udhës; ai s’ ishte më në gjendje të nxirrte një lider në formë fizike të pranueshme. Kjo pasi edhe pasuesi i Andropovit, Konstantin Çeernjenko, 72 vjeç, një aparatçik strikt, që edhe gjatë zgjedhjes në postin më të lartë shtetëror vuante ndërkohë nga një emfizëm mushkërish, mund të lëvizte me vështirësi e që s’ mund të fliste dot qartë, duke e humbur shpesh fillin. Në mars 1985 vdes edhe Çeernjenko. Kryetari i komisionit të ceremonisë funerale u bë Mihail Gorbaçov, asokohe 54 vjeç. Më në fund nisi një epokë e re. Por tashmë ishte shumë vonë. Sistemi kishte marrë tatëpjetën.

Brezhnjevi në sytë e analistëve vendas

Gazetari dhe analisti politik i agjencisë ruse të lajmeve "RIA Novosti", Andrei Kolesnikov, në 100–vjetorin e lindjes së ish-udhëheqësit sovjetik, Leonid Brezhnjev, në vitin 2006, ndërsa sillte aspekte nga jeta dhe atmosfera e kohës së një ere, e cila u bë simbol i Bashkimit Sovjetik, shkruante: Ekzistojnë shumë barsoleta e qarkullojnë shumë thënie satirike mbi Leonid Brezhnjevin, ish-liderin sovjetik, jubileu i 100-të i lindjes së të cilit plotësohet pas pak ditëve më 19 dhjetor 2006). Shumë njerëz kthejnë kokën prapa e shohin nga "Era Brezhnjev" me nostalgji dhe besojnë se ishte pikërisht koha e pushtetit të tij, kur kombi arriti majën e fuqisë.

Bashkimi Sovjetik dhe kultura sovjetike do të jenë përherë të lidhura ngushtë me emrin e Brezhnjevit. Ajo ishte koha e tij – vegjetariane dhe e dhunshme, absurde e racionale, jashtëzakonisht e kufizuar në mundësi dhe në të njëjtën kohë, pabesueshmërisht edhe shumë interesante. Shumë njerëz thonë se Brezhnjevi ishte një lloj njeriu sentimental, i këndshëm dhe i thjeshtë. Në fakt, në ato kohë, nëse i përmbaheshe rregullave të lojës, mund të jetoje një jetë të qetë e pa shumë pretendime, duke marrë një rrogë prej 120 rublash në muaj e duke pritur që ajo të rritej në 150 me kalimin kohës. Disa ia dilnin madje që të fitonin edhe më shumë se kaq: një instruktor partie nga Komiteti Qendror merrte dhe 300 rubla. Por dështimi për të ruajtur rregullat solli turbullira: ekzilin për të famshmit, kampet e punës për të pabindurit dhe tanket për vendet satelite rebele. Ekonomia e Brezhnjevit ishte një ekonomi reduksionesh e kursimi, një lloj barazie në varfëri. Në të njëjtën kohë ishte një ekonomi e pabarazisë mes rajoneve të një vendi super të madh. Kjo është dhe pse-ja që ne tashmë kemi një hendek kaq të madh mes Moskës e pjesës tjetër të vendit. Përveç Moskës dhe Leningradit, vetëm vendet baltike, me një sektor të fortë agrikulturor, kishin një jetë pak a shumë të denjë, por ky fakt ndikoi shumë pak për të ndryshuar pasqyrën e errët ku ndodhej ekonomia vendase si e tërë.....

Deri sa ai u shndërrua në një burrë të pafuqishëm, nga mesi i viteve ‘70, Brezhnjevi, me aftësi të konsiderueshme ia doli mbanë të mbante në këmbë një balancë të brishtë mes partisë dhe interesave politike e ideologjike të kohës. Ai shkatërroi vazhdimisht dhe pa mëshirë grupin e udhëhequr nga ish-kreu me influencë i KGB-së, Aleksander Shelepin, i cili e konsideronte Brezhnjevin një figurë kalimtare. Duke vepruar kështu, Brezhnjevi dashje pa dashje, pengoi përpjekjet për rivendosjen e stalinizmit që në rrënjë.

Nga fundi i viteve ’60 - fillimi i viteve ‘70, Leonid Brezhjnev nuk mbështeti asnjë krah, kur liberalët e revistës "Novy Mir" u përplasën me nacionalistët e vijës së ashpër të "Molodaya Gvardia" dhe konservatorët ortodoksë të "Oktjabr". E vërtetë që "Novy Mir" e Tvardovskit u mbyll, porse partia e jashtëligjshme ruse dhe madje dhe stalinistët morën një goditje vdekjeprurëse. I paaftë të përballej dot me faktin e humbjes së revistës liberale, Tvardovski vdiq në vitin 1971. Por, kryeredaktori, aspak i talentuar i konservatives "Oktjabr", Vsevolod Kochetov, kreu edhe ai vetëvrasje në 1973-in.

Shumica e njerëzve që jetonin në Bashkimin Sovjetik e kujtojnë Brezhnjevin si një babaxhan të pafajshëm, të këndshëm e plot humor, i cili ishte shumë i dhënë pas makinave të shpejta dhe cigareve me filtër të bardhë të markës "Novost". Ata e mbajnë mend atë si një gjuetar të pasionuar të derrave të egër dhe seksit të pastër, me një pasion të vërtetë për zinxhirët e varëset e grave, të cilat akumulonin pa fund çmime e urdhra dhe që nga fundi i jetës kishte bërë shumë gafa gjatë fjalimeve të veta, pasi kishte vuajtur nga disa atake në zemër.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›