Historia përmes emrave
Emrat janë më të spikaturit e futbollit. Ata që të mahnitin me fantazinë e aftësitë e tyre të jashtëzakonshme. Ata që kanë lënë gjurmë të përjetshme në historinë jo vetëm të “Topit të artë”, por të vetë “topkëmbës”. Udhëtimi ia vlen.
Fituesi i parë
Lojtari i parë që fitoi “Topin e artë” apo Futbollisti Europian i Vitit, ishte legjenda Stenli Metjus, në vitin 1956. Gazetarët u lejuan të votonin vetëm për lojtarët europianë në klubet europiane, që do të thoshte se legjenda të tilla braziliane si Pele e Garinça, të cilët nuk mund të ishin të vlefshëm për të fituar. Metju, atëherë 41 vjeç, ishte një nga lojtarët më potentë të Blekpullit e Anglisë, fitoi duke mposhtur konkurrencën me legjenda të tilla si sulmuesi i Realit të Madridit, Alfredo di Stefano dhe francezin Rajmond Kopa. Gjithsesi, Di Stefano triumfoi në vitin 1957 e 1959 dhe Kopa e ngriti trofeun në vitin 1958.
VITET ‘60
Vitet ‘60 panë dhjetë fitues të ndryshëm, duke përfshirë disa nga lojtarët më të mëdhenj në botë. Mesfushori çek Josef Masopust (1962) fitoi pasi udhëhoqi ekipin e tij në finalen e Kupës së Botës, ndërkohë që ish-sovjetiku Lev Jashin (1963), vazhdon të mbetet edhe sot e kësaj dite i vetmi portier që ka vendosur emrin e tij në këtë trofe. Hungarezi elegant Florian Albert dhe fantazisti me aftësi magjike, italiani Xhani Rivera, triumfuan respektivisht në vitet 1967 dhe 1969. Sulmuesi portugez Eusebio fitoi në vitin 1965, pasi më parë kishte qeni i dyti në vitin 1962.
VITET ‘70
Edhe pse ekipet angleze shijuan suksese në Europë, lojtarët e tyre nuk arritën të fitonin trofe individuale në vitet 1970, i vetmi anglez fitues ishte Kevin Kigan, i cili fitoi dy herë në vitet 1978 e 1979, por pasi ai ishte larguar nga Liverpuli në drejtim të Hamburgut. Në këto vite dallohen dukshëm dy nga ikonat më të mëdha të futbollit europian e botëror: holandezi i madh Johan Krujf, fitues në vitet 1971, 1973 e 1974, si dhe mjeshtri gjerman Franc Bekenbauer, i cili triumfoi në vitet 1972 dhe 1976. Një tjetër gjerman ishte i famshmi Gerd Myler, i cili fitoi në vitin 1970 falë 10 golave të tij në Kupën e Botës. Ukrainasi Oleg Bllohin, atëherë në radhët e Bashkimit Sovjetik, fitoi në vitin 1975, ndërsa danezi Allan Simonsen fitoi në vitin 1977.
VITET ‘80
Teksa dy legjendat e mëdha botërore, Diego Maradona e Ziko, nuk mund të zgjidheshin fitues për shkak të rregullave të atëhershme, futbollistë të tjerë europianë mbresëlënës lanë gjurmët e tyre në historinë e “Topit të artë”. Karl-Heinc Rumenige fitoi Kampionatin Europian dhe “Topin e artë” në vitin 1980, përpara se ta fitonte sërish atë një vit më pas, 1981. Legjenda franceze Mishel Platini fitoi në vitet 1984, 1983 dhe 1985. Sulmuesi holandez Marko van Basten fitoi në vitet 1988 e 1989, ndërkohë që Rud Gulit e kishte në vitin 1987.
VITET ‘90
Lotar Mateus fitoi në vitin 1991, përpara se një vit më pas Marko van Basteni të kompletonte tripletën e tij në vitin 1992. Në vitin 1995 u vendos që të lejoheshin edhe futbollistë joeuropianë të fitonin, por me kushtin që ata të luanin për një klub europian. Sulmuesi nga Liberia, George Ueah, i cili në atë kohë luante për Milanin, fitoi edhe “Topin e artë” në vitin 1995. Ronaldo u bë braziliani i parë që fitoi trofeun në vitin 1997 dhe patrioti Rivaldo e pasoi atë në vitin 1999. Francezi Zinedin Zidan ngriti trofeun në vitin 1998, pasi paraqitjes së jashtëzakonshme në Kupën e Botës të po këtij viti.
VITET 2000
Luis Figo është fituesi i parë i viteve 2000. Portugezi fitoi pikërisht në këtë vit, para se Ronaldo ta fitonte “Topin e artë” për herë të dytë në vitin 2002. Mesfushori çek, Pavel Nedved, i Juventusit fitoi në vitin 2003, i pasuar nga ukrainasi i Milanit, Andrij Shevçenko (2004). Në 2005-n aftësitë e jashtëzakonshme të brazilianit Ronaldinjo i dhuruan trofeun e çmuar. Një vit më pas fitoi italiani Fabio Kanavaro (2006), një ndër mbrojtësit e pakët që e ka fituar atë, për t’u pasuar nga Kaka (2007). Tani është radha për një tjetër legjendë.
Të parët
Sipas shteteve
7: Gjermania
(Gerd Myller (1970), Franz Beckenbauer (1972, 1976)
Karl-Heinz Rummenigge (1980, 1981), Lothar Matthäus (1990)
Matthias Sammer (1996),
Sipas ekipeve
8: Juventus
Omar Sivori (1961), Paolo Rossi (1982), Michel Platini (1983, 1984, 1985), Roberto Baggio (1993), Zinedine Zidane (1998, Pavel Nedved (2003)
2 Dhjetor 2008