Java e Dytë e Filmit Spanjoll starton në Korçë
Në kuadër të aktiviteteve të Vjeshtës Kulturore Spanjolle 2008, dje ambasadori i Spanjës në Shqipëri Manuel Montobio dhe kryebashkiaku i Korçës, Niko Peleshi, kanë përuruar “Javën e dytë të kinemasë spanjolle” në Korçë. Filmat e përzgjedhur nga organizatorët do të shfaqen deri më 3 dhjetor në kinemanë e qytetit të serenatave dhe më pas do të udhëtojnë drejt Elbasanit për ta mbyllur me shfaqjen e tyre (15-19 dhjetor) në Gjirokastër.
Biletat për publikun, si gjithmonë, do të jenë falas. Filmat vijnë të subtitruar në dy gjuhë, anglisht dhe shqip. Ambasadori Montobio nuk harron të theksojë sërish se në vitin e dytë të veprimtarisë kulturore të Ambasadës Spanjolle në Tiranë një nga prioritetet për të ka qenë decentralizimi i veprimtarisë kulturore nga kryeqyteti, duke u kushtuar vëmendjen e munguar edhe provincave kryesore shqiptare. Edhe vitin e kaluar, java e filmit spanjoll “Kinemaja dhe Artet” ka qenë e pranishme në Durrës, Berat, Pogradec, Vlorë dhe Fier. Cikli “Spanja në Kaleidoskop” është një propozim që përfshin këndvështrime dhe vizione të ndryshme të kinemasë aktuale spanjolle, një udhëtim në diversitetin gjeografik dhe kulturor që përcakton Spanjën.
“Imazh dhe Media” shpall nëntë çmime për personalitetet e shquara të çështjes shqiptare
Nëntë personalitete nga fusha të ndryshme të jetës janë nderuar me çmime në mbrëmjen gala të organizuar nga forumi “Imazh e Media” në Pallatin e Kongreseve. Sa u takon çmimeve, ndër fituesit ka qenë edhe znj. Liri Berisha, e nderuar me çmimin “Imazhi i gruas shqiptare”, për kontributin e saj si intelektuale, si nënë dhe si mjeke, ndaj fëmijëve në nevojë jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë kufijve”. Më tej janë dhënë çmime për politikanin Arbër Xhaferri, grupin “Lira” të Korçës, për shoqatën “Jakova” të Gjakovës, për Ramush Haradinajn si “Imazhi i luftëtarit të lirisë” etj. Forumi “Imazh dhe Media” ka për qëllim evidentimin, nxitjen dhe promovimin e vlerave të personaliteteve dhe organizatave të ndryshme, të cilat kanë të bëjnë me realitetin dhe jetën social-kulturore shqiptare.
Ky forum nuk përjashton nga vlerësimet e veta edhe personalitetet e huaja, të cilët japin kontributin e tyre në përmirësimin e imazhit shqiptar nëpër botë. Ky ishte edicioni i tretë për festivalin ndërkombëtar “Imazhi Shqiptar”, i cili startoi me një ekspozitë fotografike, pastaj një simpozium shkencor dhe u mbyll me mbrëmjen gala, në të cilën nuk munguan muzika, të ftuarit specialë, elementë të spektaklit dhe dhënia e çmimeve.
2 Dhjetor 2008