E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ema Andrea: “Injorantët nuk duan ta bëjnë teatrin shqiptar”



“Nuk ka shfaqje, trupa teatrale, nuk investohet. Spektatori e dëshiron teatrin, por nuk e gjen atë që kërkon… Nëse e shohim në këtë prizëm, kemi një krizë. Ata njerëz që kanë në dorë infrastrukturën e teatrit nuk e di pse e shpërfillin. Nuk ka një ligj, nuk ka trupa. Mendoj se janë injorantë që s’duan ta bëjnë”.
Kështu është shprehur me tone të ashpra, e pyetur mbi krizën ekzistuese të teatrit shqiptar, aktorja dhe regjisorja e mirënjohur shqiptare, Ema Andrea. Gjatë intervistës së dhënë për (hermesnevvs.org), ajo shton gjithashtu: “Teatrin e kanë cilësuar gjithnjë si degën e fundit të pemës së artit në Shqipëri. Më vjen keq për të. Sepse bota e vërtetë ndihet krenare për artistët. Artistët e teatrit dhe të filmit janë ambasadorët e vërtetë të artit. Këta janë ambasadorët që punojnë dhe lodhen këtu, pa drita dhe shumë të varfër”. E teksa mentaliteti i mangët dhe monopolizimi, sipas artistes Andrea, janë dy problemet kryesore për teatrin shqiptar, Ema vijon më tej të flasë për vështirësitë e jetës artistike: “Ka ndodhur që kam dalë në skenë, nuk kam ndier asgjë dhe jam trishtuar pa fund. Në një festival nuk kam interpretuar mirë sepse kam qenë nervoze, kur kam dalë nga shfaqja jam inatosur me veten dhe kam dashur ta lë profesionin. Kjo ka ndodhur 3 vjet më parë. Isha një aktore me çmime dhe gati-gati kalova në depresion. Më ka ndodhur të mërzitem dhe kur jam ndier jo në vendin e duhur në ndonjë shfaqje. Personalisht në teatër nuk dua të bëhem zanatçie. Por kam pasur dhe ditë të bukura si p.sh. kur kam mbaruar ‘I am from Albania’, shfaqjen e ‘Medea’-s në Greqi, “Nata e fundit e Brehtit” etj”. Ndërkaq, roli më mbresëlënës për artisten ka qenë ai i Kasandrës, për të cilin Ema Andrea thotë se mbetet pa dyshim më i bukuri që mund të ofrohej nga skena shqiptare.

2 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›