Roni Ud harxhon 9 milionë dollarë për të dashurën
Rokeri i grupit Rolling Stones, Roni Ud, është duke planifikuar të harxhojë 9 milionë dollarë për një apartament në Londër, ku do të jetojë me të dashurën e tij ruse. Roni i dha fund martesës 23-vjeçare me Xho Ud gjatë kësaj vere, pasi afera e tij me 20-vjeçaren Ekaterina Ivanova u bë publike përmes shtypit. Ai u largua nga familja e tij në muajin tetor dhe tashmë është në kërkim të një vendbanimi të ri, të cilin do ta ndajë me bukuroshen ruse. Por këto lajme të harxhimeve të tij e kanë shqetësuar tepër ish-bashkëshorten e tij. “Roni dëshiron ta qerasë të dashurën e tij me një apartament luksoz në Hyde Park... Ajo është shumë e shqetësuar pasi Roni gjithmonë ka qenë shumë i kujdesshëm me paratë, por tashmë që është me Ekaterinën, ai po harxhon para si kurrë më parë”, - ka thënë një burim.
Blum dhe Kerr mohojnë spekulimet për martesë
Orlando Blum dhe e dashura e tij, Miranda Kerr, kanë mohuar spekulimet se ata janë fejuar dhe planifikojnë të martohen shumë shpejt. Mediat britanike kanë spekuluar se aktori i filmit “Pirates Of The Caribbean” i ka propozuar martesë modeles australiane, gjatë një qëndrimi në Venedik. Mirëpo një përfaqësues i Kerr i ka mohuar këto spekulime duke thënë se çifti nuk është duke planifikuar martesë në një të ardhme të afërt.
“Këto spekulime nuk janë të vërteta. Gjithçka që është thënë këto ditë është plotësisht e pavërtetë. Miranda nuk është e fejuar”,- ka thënë përfaqësuesi i Kerr-it.
2 Dhjetor 2008