“Historianët të flasin me të vërtetën, ajo nuk dëmton askënd”
Kuvendi i Shqipërisë seancë homazh, në 65-vjetorin e Lëvizjes së Postribës
Kuvendi i Shqipërisë mbajti dje një seancë në nderim të 65-vjetorit të lëvizjes së parë antikomuniste në Shqipëri dhe në Evropë, Kryengritjes së Postribës, e vitit 1946.
Si rezistenca e parë popullore kundër diktaturës komuniste, kjo kryengritje me armë hyn në historinë tonë kombëtare dhe atë të Evropës, si një ngjarje e jashtëzakonshme që dëshmoi trimërinë dhe patriotizmin e kombit shqiptar, fill pas Luftës së Dytë botërore.
Me terror dhe persekutim të pashoq, gjatë dhe pas kryengritjes u vranë dhe u pushkatuan pa gjyq nga regjimi komunist, 78 burra, fëmijë e të afërm të familjeve të tyre; u burgosën e u internuan mbi 1200 persona, u dogjën dhe u sekuestruan shumë shtëpi e pasuri të tyre.
Seanca për ditën e Kujtesës, e organizuar nën kujdesin e Kryetares së Kuvendit, mblodhi familjarë, pasardhës të martirëve të kryengritjes, intelektualë, historianë, dhe drejtues të institucioneve të ndryshme.
Kryetarja e Kuvendit, tha se “kjo është një seancë nderimi, për kryengritjen e parë antikomuniste në Shqipëri, është një seancë nderimi për lëvizjen e parë antikomuniste në Europë. Dhe për këtë, ne shqiptarët duhet të jemi krenarë”.
Kryetarja e Kuvendit, duke përmendur nominalisht emrat e martirëve të rënë, tha se “këta burra e kanë dashur Shqipërinë, kanë sakrifikuar për të dhe për flamurin, ata kanë guxuar për ditët e lirisë, që gëzojnë sot të gjithë shqiptarët”.
Kryetarja e Kuvendit përcolli njëkohësisht apelin që historianët të flasin me gjuhën e të vërtetës, jo vetëm për këtë ngjarje, por për të gjithë historinë famëkeqe të diktaturës së komunizmit.
“Lëvizja e Postribës është e para Lëvizje antikomuniste në Europë dhe unë sot kam një ftesë për historianët; ku jeni? Përse nuk shkruani? Ku jeni? Përse nuk thoni të vërtetën? Flisni me të vërtetën, ajo nuk dëmton askënd, është detyra jonë që të themi të vërtetën”, tha dje Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në fjalën e saj në seancën përkujtimore në nderim të martirëve të Lëvizjes antikomuniste të Postribës.
Në fjalën e tij, Drejtori i Institutit të Studimeve të krimeve të komunizmit Agron Tufa, tha se “kryengritja e Postribës 65 vjet më parë, si e para lëvizje antikomuniste në Shqipëri dhe në Evropë, i jep dinjitet çdo shqiptari në raport me ndërgjegjen dhe lirinë, në raport me historinë dhe të vërtetën, në raport me të shkuarën dhe të ardhmen”.
Drejtoresha e Arkivave të Përgjithshme të Shqipërisë, Nevila Nika, theksoi ndër të tjera se, kryengritja e Postribës ishte dëshmia e shpirtit patriotik e dashurisë për liri dhe demokraci të shqiptarëve.
“Kam pasur fatin të njoh disa prej trashëgimtarëve të familjeve që kanë qenë në kryengritje; familjen Kazazi e lidhur me familjen e Isa Boletinit, familja Meta e lidhur me Bajram Currin. Familje të mëdha, që i kanë dhënë këtij vendi. Shumica e këtyre njerëzve ishin nga familje me tradita të mëdha atdhetare”, u shpreh Nika.
Në seancën homazh dha mbresat e pashlyeshme të kujtimeve rreth ngjarjes dhe i biri i martirit Jup Kazazi.
Hamza Kazazi tha se, “lëvizja e parë antikomuniste e Postribës ishte një lëvizje që bashkoi të gjithë shqiptarët pavarësisht bindjeve politike, kundër një regjimi të egër dhe antikombëtar, siç ishte komunizmi”.
Homazh nderimi për martirët dhe të gjithë heronjtë e kryengritjes së parë antikomunistë, përcolli dhe aktorja e njohur Tinka Kurtit, nëpërmjet recitimit të vargjeve të poetit kombëtar, Ndre Mjeda.