“Historianët të zbardhin të vërtetat mizore të diktaturës”
Kryeparlamentarja Topalli, në përurimin e Institutit për Studimet e Krimeve të Komunizmit
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ishte dje e ftuar në përurimin e Institutit për Studimet e Krimeve të Komunizmit dhe Pasojat e tij, ku me këtë rast u çel dhe ekspozita “Gjeografia e Genocidit të Komunizmit në Shqipëri”.
Kryetarja e Kuvendit vlerësoi rëndësinë e ngritjes së këtij instituti, ndërsa siguroi se Kuvendi i Shqipërisë do të jetë në mbështetje të çdo dëshmie, çdo monografie e memorie, të kërkimeve në arkiva e të dëshmive të ndryshme të asaj pjese të historisë që, siç e konsideroi ajo, është pjesa më e zezë e historisë së kombit tonë. Me këtë rast, Topalli përsëriti edhe njëherë ftesën ndaj historianëve që të zbardhin të gjitha të vërtetat e krimeve të komunizmit dhe të hedhin dritë mbi tragjedinë që ky regjim mizor hodhi në mijëra familje shqiptare.
“Historianët, duhet të bëjnë detyrën e tyre për të ditur se çfarë ka qenë komunizmi, që të mos përsëritet më kurrë dhe që të vlerësojmë atë që ne kemi sot lirinë, vlerat evropiane dhe përpjekjet tona drejt bashkimit evropian. Është dëshmi e gjallë e diktaturës më mizore, më represive dhe këtu ne shohim vetëm një fragment shumë të vogël të arrestimeve, të torturave, duke i shkelur, duke i tërhequr mishin të dënuarve, të përdorimit të mjeteve antinjerëzore. Është detyra jonë, jo vetëm si Kuvend i Shqipërisë, por edhe e çdo qytetari që nëse ka për të dëshmuar diçka ta bëj sot, jo më vonë. Unë dua t’i ftoj edhe një herë historianët, në qoftë se ata të vjetërit që bëjnë historinë zyrtare që nuk ishte historia reale e shqiptarëve dhe nuk kanë kurajën për të përgënjeshtruar veten dhe për të thënë më fal. Historianët e rinj kanë për detyrë për të shkruar histori jo si e themi ne, por ashtu siç ka qenë, larg emocioneve, larg propagandës. Të mos lejojmë që memoria jonë të mbetet e shkurtër dhe unë besoj se harresa dëmton. Duke kujtuar atë që ka qenë, duke kujtuar këto engjëj që qëndruan që qëndruan jo për vetën e tyre por për besimin e tyre, për një idealizëm tek liria, te vlerat e perëndimin drejt së cilës ne përpiqemi që të shkojmë sot përulemi para tyre por edhe një herë kërkojmë me ngulm që memorien ta kthjellojmë, të ajrosim mendjen e çdo qytetari. Unë nuk pres që të kërkojnë të falur ato që sot janë ndoshta në disa institucione ndoshta edhe të drejtësisë. Nuk e pres më. As nuk e dua më!”, tha Kryetarja e Kuvendit.
Drejtori i Institutit për Studimet e Krimeve të Komunizmit dhe Pasojat e tij, Agron Tufa tha se ky institut është i hapur të bashkëpunojë e të kërkojë ndihmën dhe mbështetjen e studiuesve, historianëve, botës akademike e intelektuale shqiptare për të zbardhur krimin e gjatë të mashtrimit, deformimit dhe manipulimit të jetës sonë në komunizëm në të gjitha rrafshet e saj nga përditshmëria, deri tek arti dhe shkenca.