E Diel, 1 Nëntor 2026

Thelbi ynë është liria, asgjë s’është më e rëndësishme sesa investimi në ekselencën e kombit tënd

10-11-2011 / Nga Sali Berisha

Nga Sali Berisha
Fjala e Kryeministrit në Universitetin e Evropës Juglindore të Tetovës, gjatë marrjes së çmimit për “Lidership të Suksesshëm” nga Instituti për Demokraci dhe Zhvillim
 
“I nderuar zoti Rektor,
Zoti drejtor i Institutit për Demokraci dhe Zhvillim,
Të dashur profesorë, studentë, miq të Universitetit të Evropës Juglindore,
Të nderuar ambasadorë,
Jam shumë i prekur nga pritja juaj kaq e ngrohtë dhe dua t’ju garantoj se ndihem jashtëzakonisht i nderuar që vizitoj sot këtë universitet. Ndaj dua që me nderim të madh të përulem para jush, para të gjithë atyre burrave dhe grave, pedagogeve e pedagogëve, profesoreve dhe profesorëve, studenteve dhe studentëve, të cilët këto dhjetë vite krijuan këtu në Tetove një tempull të madh të dijes, të lirisë, të dritës, për shqiptarët në tërësi, por edhe për të gjithë shoqërinë e Maqedonisë, e këtij vendi mik. Themeluar dhjetë vjet më parë, universiteti juaj mban emrin e një burri të madh, një evropiani të shquar (Max van Der Stoel), të cilin unë pata fatin dhe privilegjin ta takoj rreth trembëdhjetë herë në karrierën time politike. Ai ishte një mik i madh i shqiptarëve, ishte një mik i madh i pakicave kudo në Ballkan. Në Shqipëri ai punoi për pakicat. Ishte një evropian i shquar dhe emri i tij i bën nder çdo universiteti në vendet tona. Juve ju takoi nderi më i madh të keni këtë emër sot.
Universiteti juaj së bashku me universitetin shtetëror kanë shndërruar Tetovën, në një hark të shkurtër kohor, në një nga epiqendrat kryesore universitare të kombit shqiptar. Universitetet janë poliedrike në përbërjen e tyre, të doktrinave, të shkencave, të profesioneve. Universitetet janë poliedrike në përbërjen e stafit të tyre akademik dhe të studentëve, por ato kanë të gjitha një faqe të përbashkët, kanë të gjitha një shpirt të përbashkët dhe shpirti i tyre është liria. Universitetet raportin më kryesor kanë raportin me lirinë. Është ky raport që i bën ata laboratorët më të shkëlqyer të së ardhmes së një vendi dhe një kombi. Është ky raport që i bën ata projektorë të vërtetë të rrugës së kombeve drejt horizonteve më të reja. Është ky raport që çdo ditë konsolidon dinjitetin njerëzor dhe kombëtar në shoqëritë e lira.
Të dashur studente dhe studentë,
Ne shqiptarët, për rrethana të caktuara, kemi dhe universitetet më të reja të Evropës. Ndaj dhe nevoja jonë është jetike për universitetet, për sa më shumë universitete, për sa më shumë studente dhe studentë që mësojnë në to, për cilësinë më të lartë të këtyre universiteteve. Kështu që universiteti juaj me dhjetëmijë studentë është një ogur i bardhë, një tempull i vërtetë i zhvillimit të shqiptarëve, por edhe të shoqërisë maqedonase në tërësi. Universitetet thotë një filozof i madh gjerman, Karl Jaspers, janë shtretërit e nxehtë të mendimit intelektual. Kombi ka nevojë të zhvillojë dhe të ridimensionojë me shpejtësi elitën më të gjerë të mundshme intelektuale. Është ndërgjegjja intelektuale e kombit thelbi i ndërgjegjes së tij qytetare. Ne jemi të profesioneve të ndryshme. Unë kam qenë mjek. Ju këtu keni disa profesione. Nuk duhet të harrojmë kurrë se profesioni është zanati, por thelbi ynë është diku tjetër, thelbi ynë është liria. Thelbi ynë është interesi publik i shoqërisë, avoketër të tij. Me këtë ne përmbushim rolin që na takon, me këtë ne bëhemi fëmijë të vërtetë të kombit që i përkasim, anëtarë të vërtetë të një shoqërie të lirë. Universiteti juaj i ka të gjitha këto dhunti.
Unë ndihem jashtëzakonisht i vlerësuar që sot më nderoni me këtë titull. Dua të rrëfej një sekret timin: shumë shpesh në jetën time e ndjej veten jo lider, por të udhëhequr nga të tjerët, të udhëhequr nga studentët. Dhe ky është rregulli. Askush nuk mund të udhëheqë në qoftë se nuk pranon të udhëhiqet. Askush nuk mund të frymëzojë, në qoftë se nuk pranon dhe nuk kërkon të frymëzohet. Askund nuk mund të gjesh burim frymëzimi më të fuqishëm se universitetet e vendit tënd. Unë do t’ju garantoj ju se do të bëj gjithçka për ta merituar këtë nderim që më bëtë. Do të bëj gjithçka që ju të zgjeroni dhe intensifikon bashkëpunimin me të gjitha universitetet e Shqipërisë. Në interesin më të mirë të bëjmë gjithçka që së bashku, në Tetovë, në Prishtinë dhe kudo ku janë universitetet shqiptare, të rrisim cilësinë. Është jetike kjo që keni bërë ju. Sot kemi në tërësi rreth 30 mijë studentë të shqiptarëve të Maqedonisë. Kaq dhe më shumë duhet. Në Shqipëri kishim shumë pak. Pesë vite më parë kishim 52 mijë studentë, sot kemi 138 mijë dhe 150 mijë do të kemi. Sikundër, unë e kam shprehur dhe në Tiranë, por do ta shpreh edhe këtu, për secilin prej jush, të dashur studente dhe studentë, që do të aplikojë në një nga 15 universitetet më të mira në botë qeveria shqiptare do t’ju garantojë financimin për studime në të. Do ta bëjmë këtë për studentët shqiptarë në Shqipëri, për studentët shqiptarë në Maqedoni, në diasporë, në Kosovë dhe kudo që ndodhen.
Asgjë nuk ka më të rëndësishme se investimi në mendjen e ndritur, në ekselencën e kombit tënd. Sikundër, dua t’ju informoj se këtu po vij nga Shkupi dhe se me Kryeministrin Gruevski, Presidentin e vendit dhe Kryetarin e Parlamentit kemi rënë dakord për të bërë përpjekjet më serioze që të shumëfishojmë lidhjet e gjithanshme midis dy vendeve tona. Kjo në mënyrë që energjia, potencialet e qytetarëve të dy vendeve tona, resurset e tyre të pafundme natyrore të shndërrohen në vlera për qytetarët dhe shoqëritë e vendeve tona.
Edhe një herë dua t’ju falënderoj përzemërsisht për nderin që më bëtë dhe t’ju garantoj se do të përpiqem ta justifikoj këtë titull që më dhatë”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›