PS kërkon që axhendën personale të Edi Ramës ta shndërrojë në parakusht të axhendës parlamentare

Propozimi socialist për Komisionin e Ligjeve s’ka marrë dje një përgjigje zyrtare, por përpjekja për konstruktivitet e së majtës s’e fshin dot dyvjetorin e bojkotit dhe të bllokimit të reformave, të cilat po vonojnë marrjen e statusit të kandidatit për në BE
Ashtu siç edhe ishte parashikuar kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, përmes Fatmir Xhafës, i dorëzoi dje Kuvendit, axhendën e drafteve të ligjeve që kërkojnë 3/5 e votave të Kuvendit. Në dukje një nismë e zakonshme ligjore, me qëllim amendimin juridik, drejt përsosjes dhe përshtatjes së ligjeve shqiptare me ato të Komunitetit Evropian, por në të vërtetë është një bllof, i radhës ky, i kryesocialistit për të zvarritur gjithnjë e më shumë reformat dhe procesin e integrimit. Ligjet të cilat iu imponuan axhendës së Kuvendit dje, më konkretisht komisioneve parlamentare, prej më shumë se 2 vitesh janë konsumuar njëherë te Ligjet, kanë marrë votën e anëtarëve të pranishëm dhe janë adresuar për në sallën e Kuvendit, aty ku prej 26 muajsh ka munguar vota e Partisë Socialiste, e deputetëve të saj. Pas 2 vitesh e 2 muajsh, kohë kjo që është përdorur për demonstrata, protesta dhe dhunë fizike e verbale, Edi Rama bën prapa-kthehu por nuk bën mea culpa për fajin e tij të madh nga bojkoti i parlamentit e deri te bllokimi i ligjeve. Sigurisht që ky hap fals i Partisë Socialiste pati kosto për vendin dhe shuplaka u lëshua më 12 tetor, kur Komisioni Evropian nuk rekomandoi dhënien e statusit të vendit kandidat, për shkak të ngërçit politik të tej zgjatur, çka solli mos realizimin e reformave konsensuale. Ligjet konsensuale, apo e quajtur ndryshe ligjet me 3/5, s’kanë marrë votën e deputetëve të Partisë Socialiste, kjo për arsye se ligjvënësit socialistë kanë qenë të zënë me urdhrat e Kryetarit, për bojkot dhe bllokim, pasi në vizionin destruktiv të Edi Ramës, integrimi evropian nuk i intereson klientelës së tij të biznesmenëve dhe pasanikëve të grupit parlamentar socialist. E njëjta situatë ka qenë edhe një vit më parë, kur Shqipëria priste vendimin e Bashkimit Evropian, për liberalizimin e vizave të qytetarëve shqiptarë. PS s’kishte votuar asnjë ligj në Kuvend, por fatmirësisht kriteret e liberalizimit të vizave, nuk kërkonin votë konsensuale. Gjithsesi, Rama dhe çetnikët e tij u munduan ta paralizojnë këtë proces përmes e – maileve të Erjon Veliajt dhe Ditmir Bushatit drejtuar zyrtarëve të Komisionit Evropian, apo edhe përmes deklaratës publike të Valentina Leskajt se pas marrjes së vizave mbi 1 milion shqiptarë do i drejtohen BE, ndër ta, persona me precedent penal. Ky vit ishte më ndryshe, Rama dhe shpura e tij nuk u mjaftua vetëm me deklaratat kundër perspektivës së integrimit, por vuri veton në Kuvend, duke bllokuar çdo ligj të kërkuar nga Brukseli. Në progres – raportin e KE për vitin 2011, tërhiqet vëmendja për mos miratimin e ligjit të Gjykatës Administrative, projekt ligjor ky që ka qenë në rendin e ditës së çdo seance të Kuvendit. Dhe, ka munguar vota e deputetëve të Partisë Socialiste. Si kjo janë dhe ligjet e tjera si ai për Kodin Rrugor apo dhe zgjedhja e Avokatit të Popullit. S’mjafton thjesht fakti për ngritjen e një axhende personale, duke imponuar komisionin e ligjeve, me një marrëzi që shkon përtej imagjinatës normale, pasi i madh e i vogël e kupton që ky hap pas’, thjesht sa vonon edhe më shumë perspektivën e integrimit. Pikë së pari, Edi Rama duhet të japë llogari për tej zgjatjen e këtij procesi legjislativ. Kjo pasi, përpjekja për konstruktivitet e së majtës s’e fshin dot dyvjetorin e bojkotit dhe të bllokimit të reformave, të cilat po vonojnë marrjen e statusit të kandidatit për në BE
L.Q