E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri hungarez: Berisha, luftëtar i demokracisë

Berisha e Orban dje në Budapest

Kryeministri Berisha takon homologun hungarez gjatë vizitës së tij zyrtare në Budapest.

Luftëtar i demokracisë, pak liderë europianë i ngjajnë

Kryeministri Berisha, gjatë vizitës së tij zyrtare në Hungari, zhvilloi një takim kokë më kokë me homologun e tij, Viktor Orban. Kreu i qeverisë hungareze vlerësoi gjatë fjalës së tij kontributin e Kryeministrit shqiptar në forcimin e demokracisë në Shqipëri. Liderët e shteteve të Europës do të kishin parë me sytë e tyre se ka shumë pak veta që ngjajnë me mikun tonë këtu sot, pasi ai është një person që ka një rol shumë të madh dhe shumë pozitiv, që nga fillimi i historisë moderne shqiptare.  Dhe historinë moderne shqiptare pa zotin Berisha nuk do të ishte e mundur as ta imagjinonim. Kështu që, jemi shumë të gëzuar që jeni sot këtu me ne, zoti Kryeministër. Në këtë kontekst, është vërtet një nder i madh që të kemi sot këtu një luftëtar të demokracisë si ty, zoti Kryeministër i Shqipërisë, u shpreh gjatë fjalës së tij para mediave, Viktor Orban.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha vlerësoi rolin që kanë luajtur proceset demokratike në Hungari për të nxitur ndryshimet edhe në Shqipëri. Dua ta siguroj se kombi hungarez ishte një burim i madh frymëzimi për të gjitha kombet e shtypura nga diktatura komuniste, përfshi shqiptarët që përjetonin një diktaturë të vërtetë. Drita e revolucionin hungarez dhe më pas, nga fundi i viteve 80, ndryshimet demokratike të këtij vendi, mënyra e zhvillimit të tyre, ishin udhërrëfyeset dhe frymëzuese edhe për ne në Shqipëri, u shpreh Berisha. Kreu i qeverisë hungareze i kërkoi Komitetit Europian të mos adresojë kritika ndaj Shqipërisë. Komiteti Europian nuk duhet të rrijë larg Shqipërisë dhe nuk duhet ta kritikojë Shqipërinë, aq më tepër për demokracinë, sepse z. Kryeministër ka punuar vite të tëra pikërisht për të ndërtuar këtë demokraci kaq të mirë dhe mendoj se Shqipëria, pas diktaturës, ka arritur të ndërtojë një demokraci me standarde europiane, u shpreh Kryeministri hungarez. Sipas tij, në qoftë se ka ndonjë shtet apo person që të vihet kundër Shqipërisë, sepse ka probleme të brendshme, pra në politikën e brendshme, unë mendoj që kjo bën keq, sepse çështjet e politikës së brendshme i takojnë vetëm një shteti, dhe po të shikosh demokracinë në Shqipëri, ajo nuk lë asgjë për të dëshiruar.
Reformat
Për Kryeministrin hungarez, roli dhe perspektiva e Shqipërisë në rajonin e Ballkanit perëndimor është shumë i rëndësishëm. Duke pasur parasysh stabilitetin e Ballkanit, duhet të themi se Shqipëria është një nga faktorët kryesor për këtë stabilitet në rajon. Ne mendojmë se politikë e mirë do të ishte që Hungaria të ndihmonte dhe të merrte parasysh si partnerë strategjikë jo vetëm Shqipërinë, por të gjitha shtetet e rajonit. Unë mendoj se në vitet e ardhshme, potenciali më i madh për rritjen ekonomike në Europë do të jetë pikërisht nga rajoni i Ballkanit, u shpreh Orban. Duke folur për situatën ekonomike në Shqipëri, Kryeministri Berisha tha se edhe pse vendi është prekur nga kriza, ai nuk është në situatë recesioni. Garantimi i rritjes do të jetë faktor kryesor në përcaktimin e ndërtimit të së ardhmes. Kështu që ne vetë jemi të vendosur të vazhdojmë reformat. Ne jemi ndikuar nga kriza dhe nuk është se nuk kemi pasur ndikime, por nuk kemi rënë në recension dhe tani po punojmë për një paketë të re reformash, në mënyrë që të përshtatim ekonominë shqiptare në rrethanat e reja të krijuara nga globalizmi, në një botë postperëndimore, u shpreh Berisha gjatë fjalës së tij në konferencën për shtyp.

Berisha vlerëson Hungarinë për rolin historik
Geraldina, Mbretëresha më e bukur e Europës
Kryeministri Berisha vlerësoi marrëdhëniet e hershme diplomatike mes Shqipërisë dhe Hungarisë. Kjo vizitë e imja përkon me 90-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona dhe me 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Nuk mund të mos ndalem të theksoj këtu dhe të shpreh mirënjohjen se në këtë vend mik u mor një vendim i një rëndësie historike për pavarësinë e vendit tim. Diku nga gjysma e dytë e vitit 1912, themeluesit e pavarësisë së Shqipërisë u ftuan nga sekretari i Shtetit i asaj kohe, Konti Johan Hadik, në bisedime, së bashku me ministrin e Jashtëm të Perandorisë Austro-Hungareze. Konti Hadik dhe ministri i Jashtëm i Perandorisë Austro-Hungareze u dhanë mbështetje të plotë dhe totale themeluesit të pavarësisë, u shpreh Berisha. Sipas Berishës, sot, pas 100 viteve, shqiptarët janë të lirë, por asokohe ky ishte vendimi i parë i vetëm në mbështetje të pavarësisë së shqiptarëve, si një gur i çmuar në kurorën mes dy vendeve tona, si një trashëgimi e shkëlqyer në kurorën mes dy vendeve tona mbetet Mbretëresha e parë shqiptare në kohët moderne, Mbretëresha Geraldinë. Dashuria e saj për kombin dhe vendin tim është legjendë e dashurisë për një vend dhe një komb. Geraldina ishte pa dyshim Mbretëresha më e bukur e Europës, u shpreh Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›