E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historike – Aleanca PD-LSI, për herë të parë, pas 15 vjetësh, merr drejtimin e Qarkut të Beratit

22-09-2011 / Gazeta 55

S’ndalet hemorragjia tek strukturat vendore të Edi Ramës. Pa motiv dhe të shtypur nga krerë partiakë të korruptuar, zgjedhja për këshillin e qarkut të Beratit është shndërruar në njëfarë referendumi për ta çliruar këtë zonë nga kthetrat e nomenklaturës së korruptuar


Këshilli i Qarkut në Berat do të drejtohet nga koalicioni i Aleancës për Qytetarin. Petrit Sina, i koalicionit Aleanca për Qytetarin është zgjedhur në mbledhjen e Këshillit të Qarkut kryetari i ri. Gjatë votimit, Sina mori 3 vota më shumë se ish-kryetari i këtij këshilli, Pelivan Shatri. Zgjedhja e Sinajt në krye të këtij institucioni konsiderohet si fitore për koalicionin e djathtë pasi prej 15 vjetësh kjo zonë drejtohej prej të majtëve. Në mbledhje kanë qenë prezent kryetari i LSI-së Ilir Meta si dhe deputetët e këtij qarku Genc Pollo, Lefter Maliqi, Mehmet Xheka dhe Nasip Naço. Mbledhja për zgjedhjen e kryetarit të ri të këshillit të Qarkut ka nisur me prezantimin e dy kandidaturave. Për Aleancën për të Ardhmen kandidoi kryetari aktual i këtij këshilli Pelivan Shatri, ndërsa nga ana e koalicionit të Aleancës për Qytetarin ka kandiduar sekretari i përgjithshëm i Prefekturës Petrit Sina, i cili vjen nga radhët e LSI-së. Pas procesit të votimit votuan 51 të zgjedhurit vendorë dhe anëtarët e këshillit të qarkut. Aleanca për Qytetarin ka në këtë këshill 24 të zgjedhur, ndërkohë që Aleanca për të Ardhmen ka 27 përfaqësues. Kryetari i këshillit të qarkut për katër vitet e ardhshme do të jetë kandidati i Aleancës për Qytetarin, i cili ka marrë 27 vota, kundrejt kandidatit të Aleancës për të Ardhmen Pelivan Shatri, i cili ka mori 24 vota. Zgjedhja e Sinajt në krye të këtij institucioni konsiderohet fitore e koalicionit të djathtë, pasi deri në zgjedhjet e fundit lokale kjo trevë konsiderohej si një prej bastioneve me orientim të majtë. Aleanca PD-LSI konsiderohet si elementi kyç i kësaj fitoreje.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›