Tahiri-Bushati-Fuga prishin marrëdhëniet e Ramës me Fatmir Xhafajn

Treshja edviniste ia ka bërë të qartë kryetarit të PS-së se s’do të angazhohet më në komisione reformash e nismash ligjvënëse sa kohë meritat publike po ua vjedh Fatmir Xhafaj. Ankesa është pranuar e tashmë ish-ministri i drejtësisë është klasifikuar tek lista e të deklasuarve të Grupit Parlamentar
Përplasja e egër e Edi Ramës me ndërkombëtarët, të cilën ai po e konsumon gjatë këtij shtatori, për interesa politike, edhe pse kjo rrezikon t’i kushtojë rëndë aspiratës së vendit për marrjen e statusit të kandidatit, tashmë po merr edhe përmasën e një lufte civile brenda strukturave edviniste. Ditmir Bushati, Saimir Tahiri dhe Endri Fuga, veç e veç, por edhe dyshe, i janë ankuar Edi Ramës se karriera e tyre politike nuk po tutorohej si duhej, për shkak të disa mbetjeve nga e kaluara – siç ata i quajnë protagonistë të PS-së që kanë qenë ministra apo janë deputetë që nga koha e Fatos Nanos. Konkretisht, në këtë muaj, kur PS-së i duhen përgjigje të rëndësishme lidhur me reformën zgjedhore si dhe përmbushjen e 12 rekomandimeve të Bashkimit Evropian, lidhur me marrjen e statusit të kandidatit, kjo trojkë ka identifikuar Fatmir Xhafën si përfituesin kryesor politik nga puna e tyre e përditshme. Burime të sigurta pranë secilit prej këtyre edvinistëve të selisë rozë, bënë të ditur se Tahiri, Bushati e Fuga ia kanë bërë të qartë Edi Ramës se s’mund të ekspozohen më në radhën e parë të imazhit të kursit politik të PS-së, edhe kur ai bie hapur në kundërshtim me interesat e shqiptarëve, pasi meritat prej kësaj sakrifice po i merrte vetëm Fatmir Xhafaj. Kjo protestë e koordinuar ka pjekur kushtet për mënjanimin e një tjetër pilastre të administrimit të vjetër të Partisë Socialiste dhe tashmë, pas mënjanimit të Xhafës, nga të gjitha ekipet e përbashkëta që do të merren me reformën zgjedhore apo atë kushtetuese, po afron edhe koha që Fatmir Xhafa të klasifikohet tek disidentët që duhen mënjanuar në kongresin e 5 nëntorit. Edi Rama mësohet se ia ka bërë të qartë edhe vetë deputetit të Pogradecit se klima politike për të ka ndryshuar, por mbetet për t’u parë nëse vetë Fatmir Xhafaj do të përpiqet të mbrojë karrierën e tij politike duke i denoncuar hapur “qurravitjet” e treshes edviniste dhe duke u rreshtuar me një opozicion të gjerë brenda grupit parlamentar, që s’është më aq opozitë e heshtur, saç thoshte dikur Ben Blushi.
...