“Arnat e Edvinit”, alibia për të mos u bërë pjesë e reformave integruese
Kreu i opozitës Edi Rama hoqi dorashkat dy ditë më parë dhe gjeti guximin që t’i quajë ligjet e integrimit Evropian, “arna për t’i hedhur sy Brukselit”.
Ky duket të jetë dhe justifikimi i radhës së kryesocialistit, pasi një vit më parë deklaroi se Shqipëria vlon nga kriminaliteti si dhe nga 1 milion të papunët që do vërshojnë drejt vendeve të BE-së, nëse ky i fundit merr vendimin politik për liberalizimin e vizave. Të njëjtin mesazh po tenton të përcjellë dhe aktualisht Edi Rama, duke u përpjekur që t’i thotë Brukselit se draftet ligjore që kanë kaluar në Parlament, nuk janë të tilla mirëfilltazi, por thjesht “arna ligjore” me tendencë errësimin e optikës së Brukselit.
Por Rama bën gafën e madhe duke futur në listën e “arnave” ligje të asistuara nga faktori ndërkombëtar si ligji për Gjykatën Administrative ashtu dhe ndryshimet e kodeve që ndodhen në axhendën e kuvendit janë të asistuar nga organizma të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ky është preteksti, të paktën deri më 12 tetor, kur pritet publikimi i progres-raportit të Komisionit Europian, bllokim me qëllimin politik të radhës që vendi të mos garantojë për të dytën herë statusin e vendit kandidat.
“Arnat”, për të cilat flet kryetari i opozitës, janë të paktën 6 ndryshime në kode dhe projekt-ligji për Gjykatën Administrative, për gjykimin e mosmarrëveshjeve dhe organizimin e drejtësisë administrative.
Duke nisur nga ky i fundit dhe të gjitha kodet që kërkojnë të paktën 3/5 e votave në Kuvend, pra kartonët jeshilë të 84 deputetëve, janë asistuar nga të gjitha institucionet dhe misionet ndërkombëtare që ofrojnë ekspertizë dhe asistencë në Shqipëri.
Shqipëria ka për detyrim kryesor në procesin e integrimit përpilimin e ligjeve në përputhje me standardet evropiane. Në kontekstin e kësaj harmonie mes legjislacionit shqiptar dhe atij të BE-së, ekspertët dhe institucionet shqiptare, në bërjen e ligjeve, asistohen gjithnjë nga organizata dhe organizma ndërkombëtarë.
Kjo dëshmohet në këtë pasqyrë draft-ligjesh që presin prej dy vitesh një kurs të ri politik të opozitës, e cila pas kthimit në Kuvend, ka nisur t’i cilësojë ata “harrna” për t’i hedhur hi syve Brukselit, në një kohë kur cilësia në hartimin e tyre garantohet pikërisht nga asistenca e organizmave që burojnë nga Bashkimi Europian e Shtetet e Bashkuara te Amerikës
Ligjet e asistuara nga ndërkombëtarët
1. SIGMA/OECD kanë dhënë ndihmën kryesore në projektligjin “Për gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative dhe Organizimin e Drejtësisë Administrative.
Me ekspertizë gjatë diskutimeve parlamentare kanë asistuar edhe Euralius, USAID në kuadër të Sfidës së Mijëvjeçarit dhe OSBE.
Deputetët socialistë, gjithashtu kanë ngritur dorën në komision pro draftit final, por jo në seancën, të cilën e bojkotuan për qëllime politike, para zgjedhjeve të 2009-ës
2. EURALIUS, misioni i Bashkimit Europian që asiston drejtësinë shqiptare ka ndihmuar për ndryshimet në Kodin Penal.
Për veprat penale kundër korrupsionit është marrë asistencë nga PACA(Projekti kundër Korrupsionit), ndërsa për veprat penale kundër terrorizmit ka dhënë ekspertizë OPDAT, misioni amerikan, asistues për drejtësinë e vendit tonë.
3. Ndryshimet në kodin hekurudhor janë asistuar nga SEETO, që monitorohet nga BE (Observatori i Europës Juglindore) si dhe nga asistenca e BE-së për ministrinë e Transportit.
4. GTZ dhe Programi i sfidës se Mijëvjeçarit të USAID, kanë asistuar projekt-ligjet për ndryshimet dhe shtesat në Kodin Doganor dhe Kodin Ajror të Republikës së Shqipërisë.
5. Ndryshimet për gjobat në Kodin Rrugor janë hartuar nga Ministria e Brendshme, referuar praktikave të BE-së dhe PAMECA-s, ndërsa në pjesën teknike asistenca është ofruar nga TAIEX.
6. Në Kodin Detar të Republikës së Shqipërisë, amendimet janë bërë me asistencën e BE-së pranë Ministrisë së Transporteve, në kuadër të programit IPA 2005 të Bashkimit Europian.
7. Për ndryshimet dhe shtesat në Kodin Civil, asistenca teknike ka ardhur nga projekti EURALIUS II.