Basha mban premtimin, Bashkia e Tiranës nis procesin e hipotekimit të apartamenteve

Bashkia e Tiranës nënshkruan marrëveshjen me Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha nënshkroi sot një memorandum mirëkuptimi me Ministrin e Drejtësisë, Eduart Halimi, dhe me Ministrin e Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, për zgjidhjen e problemit të hipotekimit të apartamenteve në kryeqytet.
Memorandumi është një instrument ligjor që do të shërbejë për paisjen me certifikatën e pronësisë të mijëra qytetarëve në Tiranë që jetojnë në banesa ende të pahipotekuara.
Hipotekimi i apartamenteve është një nga premtimet më të rëndësishme të Bashkisë së Tiranës.
Bashkia e Tiranës do të angazhohet në dhënien e lejeve të shfrytëzimit, cka është momenti më i rëndësishëm për paisjen me certifikatën e pronësisë.
Ndërkohë, memorandumi i nënshkruar sot është një dokument ligjor që garanton bashkëpunimin me pushtetin qëndror, pika tjetër e rëndësishme e procesit të paisjes me hipoteka.
Më poshtë, deklaratat e plota dhënë para medias nga z.Basha, z.Olldashi dhe z.Halimi.
Lulzim Basha, Kryetar i Bashkisë së Tiranës
“Sot kemi një ngjarje të veçantë, që është prania e dy ministrave në Bashkinë e Tiranës, Ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi dhe Ministrit të Drejtësisë Eduard Halimi, me të cilët kemi nënshkruar sot një instrument shumë të rëndësishëm, për të realizuar një nga premtimet kryesore të Bashkisë së Tiranës, hipotekimin e të gjithë apartamenteve, ndërtesave, e banesave të pahipotekuara. Ky proces është shumë i rëndësishëm për qytetarët e Tiranës. Së pari, i jep fund deprivimit të padrejtë nga titulli i pronësisë, të atyre mijëra familjeve që kanë paguar apartamentet ku jetojnë, në mirëbesim se këto apartamente të ndërtuara me leje nga Bashkia e Tiranës, një ditë do të hipotekoheshin dhe do të regjistroheshin si pasuri e tyre, në emër të tyre, për të qenë më vonë instrumenta financiarë të ekonomisë së tyre. Së dyti, vetë qyteti është privuar nga një shumë 500 deri në 700 milionë euro, shumë kolaterali që përfaqësojnë këto apartamente të pahipotekuara, që sot janë thjesht tulla, beton, dritare dhe mobilje, por që nesër me përfundimin e këtij procesi do të jenë jo vetëm pasuri për qytetarët, e regjistruar në emër të tyre, por edhe një kolateral i fuqishëm në bankat e qytetit të Tiranës dhe një garanci për investime, për rritje ekonomike dhe punësim. Në këtë proces, Bashkia e Tiranës do të marrë përgjegjësitë e veta, çka mund të them se nuk e ka bërë për një kohë shumë të gjatë. Lejet e shfrytëzimit, me arsye dhe pa arsye, kanë mbetur peng i mungesës së vullnetit dhe i mungesës së ndjeshmërisë ndaj këtij problemi, mungesës së ndjeshmërisë për qytetarët e Tiranës. Në zgjidhjen e këtij problemi është e domosdoshme që Bashkia të ketë një bashkëpunim sa më të ngushtë, efikas, jo burokratik me institucione të tjera që janë aksionare, në forma, mënyra e momente të ndryshme të procesit të regjistrimit, siç është Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve Publike dhe Transportit. Në këtë bashkëpunim qëndron edhe çelësi tjetër i zgjidhjes së problemit brenda një kohe shumë të shkurtër. Prandaj duke garantuar këto dy institucione të qeverisjes qëndrore për bashkëpunimin e plotë timin personal dhe të Bashkisë së Tiranës që është hallka përgjegjëse, shpreh kënaqësinë e veçantë që ky memorandum shënon, bashkë me bashkëpunimin tonë për të zgjidhur këtë problem, dhe fillimin e një ere të re bashkëpunimi mes qeverisjes më të madhe lokale në vend, dhe qeverisjes qëndrore”.
Sokol Olldashi, Ministër i Punëve Publike dhe Transportit
“Në vazhdim të asaj që tha Kryetari i Bashkisë, është shumë e rëndësishmëe që është vendosur bashkëpunimi mes Bashkisë dhe qeverisjes qendrore për zgjidhjen e një problemi që është i trashëguar, shumëvjeçar dhe prek mijëra familje në Tiranë. Ka qenë një proces që mund të ishte bërë shumë më herët, por për shkak të dallimeve konceptuale që ka pasur Bashkia e atëhershme me Bashkinë e sotme, nuk ka qenë e mundur. Nuk ka qenë e mundur sepse në asnjë cast nuk ka pasur gadishmëri bashkëpunimi , jo thjesht për arsye politike, por sepse besoj se koncepti i Bashkisë së atëhershme ka qenë krejt i ndryshëm nga sot. Basjhkia e djeshme kishte në qendër të administrimit vetëm pallatet, bashkia e sotme ka në qendër, vetë qytetarët. Ndryshim thelbësor substancial i cili sot gjen një zgjidhje me këtë memorandum dhe jam i bindur që me gadishmërinë e të gjithë institucioneve të përfshira në këtë memorandum, të ministrive, Bashkisë dhe institucioneve që janë në varësi të ministrive të linjës, do të bëhet i mundur hipotekimi i pasurisë së mijëra qytetarëve të Tiranës në një kohë shumë të shkurtër, duke i dhënë një zgjidhje përfundimtare problemit”.
Eduard Halimi, Ministër i Drejtësisë
“Falenderoj Kryetarin e Bashkisë së Tiranës për gadishmërinë që tregoi në nënshkrimin e këtij memorandum, sepse të drejtat e qytetarëeve, e drejta e pronësisë qytetare, dhe siguria juridike mbi pronësinë e apartamenteve që ai posedon, janë të drejta themelore për qytetarët, të drejta që derivojnë në sigurinë juridike që qeveria duhet t’u ofrojë qytetarëve nëpërmjet qeverisjes së mirë. Ky proces bëhet gati i pamundur në rastn e mosbashkëpunimit me pushtetin lokal. Sigurisht, është detyrë e ZRPP që të pajisë qytetarët me aktet e pronësisë, por kjo deri më sot ishte e pamundur pa hequr të gjithë barrierat ndaj ZRPP dhe qytetatrëve, për të finalizuar projektin e hipotekimit të apartamenteve në Tiranës. Sigurisht ky proces i hap rrugën hartimit të një sërë aktesh nën ligjore nga qeveria qendrore. Janë kryetari i Bashkisë dhe Ministria e Drejtësisë, ZRRPP që do të bëjnë të mundur implementimin e këtyre akteve nënligjore dhe finalizimin e procesit të regjistrimit të apartamenteve në Tiranë. Edhe njëherë, falenderoj Kryetarin e Bashkisë për mundësinë që i jep qeverisjes qendrore, MInistrisë së Drejtësisë, për një performancë ndaj shërbimit qytetar”.