E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historitë e Alendes



Si lexohen sot historitë e shkrimtares Izabel Alende përmes librave të saj. E madhja Isabel, nuk e quajti veten shkrimtare para se të botonte librin e tretë të suksesshëm. Edhe pse tregimet e saj nuk janë biografikë, Alende e merr idenë, frymëzimin dhe paralelet nga jeta e saj vetjake. Nëse shkrimtarja e madhe ndodh të përjetojë shterimin e frymëzimit të saj, ajo ka një mënyrë të pazakontë për rikthimin e tij, duke pirë një preparacion magjik të përgatitur nga shamanët me ujë shiu të mbledhur në pyje dhe pasi e pi atë, ajo rri në vetmi deri sa muza e saj e frymëzimit të ringjallet sërish

Historitë e Alendes

Përktheu: Lorena Kollobani

“Një herë e një kohë unë kam pasur një histori skandaloze, pa lidhje fare me përrallat e “Një mijë e një netëve”. Ndërsa romanca jonë ishte pasionante, ne ishim ngatërruar që në fillim. Shpirti i sipërmarrësit dhe ai i poetit rrallë rastisin të jenë shpirtra binjakë. Shumë vite më vonë, pasi ne morëm të ndarë secili rrugët tona, dashuria ime e vjetër ishte rikthyer në qytet për biznes dhe ne u ritakuam sërish për një gllënjkë ekspresi.

Para se ai të largohej, më pyeti nëse kisha ndonjë libër për të, që ai të mund ta lexonte në aeroplan. Unë i bëra një skanim me mend bibliotekës sime dhe iu përgjigja: “Jo nuk kam” dhe pas kësaj, ula sytë mbi tavolinë. Ai vijoi më tej: “Nuk mendoj ashtu”. Unë ia riktheva, por jo e paedukatë përgjigjen: “Ti nuk më ke kuptuar atëherë kur ishim bashkë, por shpresoj që pasi të lexosh këtë libër, tashmë ta bësh””.

Ai libër në të vërtetë ishte “Shtëpia e shpirtrave” e Isabel Alendes, për të cilin ajo ka thënë se e ka parë jetën e saj në ato faqe. Isabel Alende ka lindur në Lima, Peru më 2 gusht, 1942. Në moshën 3-vjeçare lëvizi në Kili. Për shumë vite me radhë, duke filluar që nga mosha 18, ajo ka dhënë kontributin e saj në gazetari, teatër, televizion etj., por mbi të gjitha njihet si shkrimtarja e 13 librave, të gjithë të njohur botërisht, ku më i pikasuri është novela e saj e parë e titulluar "Shtëpia e shpirtrave".

Libri tjetër me titull “E bija e fatit” (Spanjë, 1999) i sjell personazheve botërore në tjetër heroinë, atë të Eliza Sommers (personazhi kryesor, e bija e fatit) e cila ishte rritur në një koloni angleze në Kili, nga zonja Rose dhe i vëllai i saj Xheremi. Në kohën kur ajo bie në dashuri me Xhoakuin Andieten (i varfër dhe jo në të njëjtën shtresë shoqërore si familja e Elizes), i cili punonte për Xheremin, në kodrat veriore të Kalifornisë, u zbulua dhe floriri. Kështu Joakuin ikën në San Francisko për t’u bërë i pasur dhe Eliza, 16 vjeç, shtatzënë në këtë kohë me fëmijën e tij, vendos të shkojë me të.

Por ndryshe nga gjithë banorët e tjerë të Kilit, Eliza në këtë kohë nuk ishte duke kërkuar “flori”, por dashuri. Një tjetër libër frymëmarrës është edhe ai biografik me titullin “Paula”, tek e cila ajo ka shkruar dhimbjen e humbjes së një nëne.

Isabel tek ai libër tregon për të bijën që i vdiq në 1991, për letrat që këmbente rregullisht me të ëmën, e cila ishte edhe redaktorja e parë e gjithçkaje që Isabel botonte, për djalin dhe nipërit që jetonin aq afër në San Francisco sa ajo (duke e pasur shtëpinë mbi një kodër) kishte "kontroll" të plotë mbi ta.

Por e madhja Isabel nuk e quajti veten shkrimtare para se të botonte librin e tretë të suksesshëm. Edhe pse tregimet e saj nuk janë biografikë, Alende e merr idenë, frymëzimin dhe paralelet nga jeta e saj vetjake. Në librin e saj më të fundit të 2008-s, “Shuma e ditëve tona”, ajo thotë: “Nuk ka larmi dramash në jetën time dhe frymëzimin e marr nga rrethana të larmishme”. Libri përshkruan një imazh jetësor të Alendes sot të rrethuar nga shumë miq dhe të dashur me dramat dhe traumat e tyre, të cilat herë mbaronin në mënyrë tragjike e herë në humor. Por historia fillon në Peru, ku dhe ka lindur Isabela në 1942.

Babai i saj, Tomas, ishte një ambasador kilian në Peru dhe kushëriri i saj, Salvator Alende, president deri ditën kur u vra në 1973. Gjatë kohës së trazirave politike, ajo ka jetuar me alternime sa në Kili, sa në Venezuelë, Bolivi, madje dhe në Liban. Isabela i ka lexuar të gjitha llojet e librave që në moshë të hershme, pasi familja e saj ka pasur shumë libra. Ajo kënaqej shumë kur ulej në një qoshe të shtëpisë, ku dhe ndizte një qiri dhe lexonte Dikensin dhe Zhyl Vernin. Sot ajo ka po të njëjtin zakon, pasi shkruan po nën dritën e qiririt. Përkundrazi, Isabel në adoleshencën e saj gjithmonë ka dëshiruar të jetë mashkull, pasi ajo mendonte se do të ishte më e lehtë për të. Por më pas ajo takoi Miguel Frias dhe çdo gjë ndryshoi. “Në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare takova një djalë dhe rashë në dashuri me të... ndjeja sikur e tërë bota po më hapte dyert e saj për mua”. Ata u martuan në 1962 dhe një vit më pas ajo lindi Paulën. Çifti gjithashtu pati dhe një djalë me emrin Nikolas. Isabel punonte për Shtetet e Bashkuara në Santiago kur ajo filloi të drejtonte një revistë mode dhe një për fëmijë, si dhe duke përkthyer romane nga anglishtja në spanjisht. Nga fundi i viteve ’80, Alende dhe Frias u divorcuan. Pas kësaj ngjarjeje, jeta e saj do të përndiqej nga shumë tragjedi, por dhe triumfe njëkohësisht. Pak kohë më pas, vajza e saj, Paula, e cila vuante e sëmurë, ra në koma për të vdekur pas disa muajve.

Pas kësaj tragjedie, ajo rigjeti forcën e dashurisë tek Willy. Por megjithatë e vuajtur apo e lumtur, kur Isabelës i shteron imagjinata, ajo ka dhe magjinë e rikthimit të saj. Nëse shkrimtarja e madhe ndodh të përjetojë shterimin e frymëzimit të saj, ajo ka një mënyrë të pazakontë për rikthimin e tij, duke pirë një preparacion magjik të përgatitur nga shamanët me ujë shiu të mbledhur në pyje dhe pasi e pi atë, ajo rri në vetmi deri sa muza e saj e frymëzimit të ringjallet sërish. “Kam punuar nga 10 deri në 12 orë në ditë për këtë libër”, - thotë ajo për librin e saj të fundit. “Ai tashmë ka mbaruar dhe unë jam kurioze të shoh rezultatet e tij”, - përfundon ajo për “Shuma e ditëve tona”, që padyshim do të jetë një nga kryeveprat botërore si gjithë krijimet e tjera të saj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›