Merrnin 1000 euro për çdo klandestin, policia arreston dy persona
Policia e Gjirokastrës ka arrestuar dy persona, të cilët ishin duke trafikuar pesë emigrantë klandestinë, mes të cilëve edhe dy fëmijë. Sipas burimeve, ata merrnin 1000 euro për çdo person që do të kalonin në anën tjetër të kufirit. Ditën e djeshme, në prangat e specialistëve të kufirit dhe migracionit të Gjirokastrës ranë Ardian Bullari, 34 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Gërmenj Divjakë, të rrethit Lushnjë dhe Albert Mici, 29 vjeç, lindur në Bushtricë të rrethit Kukës dhe banues në fshatin Gërmenj Divjakë të rrethit Lushnjë. Dy të arrestuarit janë shoqëruar për në qelitë e paraburgimit në Gjirokastër, në pritje për të dalë përpara Gjykatës së Rrethit Gjirokastër, për të marrë masën e arrestit.
Sipas policisë, këta persona rreth orës 00:45 të ditës së djeshme janë kapur nga njësiti i shërbimit të Policisë Kufitare në vendin e quajtur rruga e Mullirit, poshtë Pikës së Kalimit të Kufirit Kakavijë, së bashku me 5 qytetarë të tjerë, nga fshati Spolat i Komunës Gradisht të rrethit Lushnjë, pasi po tentonin të kalonin kufirin për në Greqi në mënyrë të paligjshme. Dy nga pesë personat, të cilët po tentonin të kalonin kufirin në mënyrë ilegale ishin fëmijë të moshës katër dhe shtatë vjeç. Punonjësit e shërbimit kufitar arritën që të bënin rrethimin e tyre, duke kryer më pas arrestimin. Ata gjatë patrullimit përgjatë vijës kufitare natën, kishin arritur që të binin në gjurmë të këtyre shtatë personave. Nga hetimet paraprake të kryera, gjatë punës së bërë nga ana e efektivave të policisë, është arritur në përfundimin se të dy personat e arrestuar kishin marrë përsipër kalimin e kufirit në mënyrë të paligjshme për në Greqi të 5 qytetarëve nga fshati Spolat, kundrejt pagesës prej 1000 euro për secilin. Rruga që ata do të ndiqnin ishte në zonën e Gjirokastrës, poshtë pikës kufitare të Kakavijës. Ardian Bullari dhe Albert Mici janë shoqëruar në qelitë e komisariatit. Ata akuzohen për konsumim të veprës penale të “dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit”.