Zoti Ibrahim dhe vajzat me shami
Është një përpjekje e mirë e Kabashit të palodhur që sjell një vepër në korrent me skenat e teatrit në Evropë. Por bie në sy se qoftë me "Apologjinë e Sokratit" qoftë me "Lulet e Kuranit", aktori mbetet tek veprat me karakter predikativ, të paktën të tillë ton përçojnë në një skenë shqiptare
Nuk ndodh dhe aq shpesh të shohësh në sallat e teatrove tona vajza apo gra me veshje myslimane
Aktori Mirush Kabashi fundjavën që kaloi, iu prezantua publikut njëherazi si aktor dhe regjisor. Monodrama "Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit", një dramatizim i romanit të shkurtër me të njëjtin titull të shkrimtarit francez me origjinë hebreje, Eric Emmanuel Schmitt, u shfaq për tri net në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar.
Një skenografi gati-gati naive ishte sfondi i tregimit të historisë së Moisiut që e ndërroi emrin në Muhamet. Në njërin skaj të skenës ishte vendosur një derë, që e zhvendoste historinë në një nga rrugicat me "nam jo të mirë", "Rruga e Parajsës". Një derë bojëkafe që më shumë ngjasonte me derën e një familjeje të respektuar se sa me atë të një hyrjeje për tek familja e përbashkët e "grave me moral të shthurur".
Në skajin tjetër të skenës ishte shtëpia e Moisiut/Muhamet. Kolltuk i vjetër, një abazhur relik që gati ka dalë jashtë kufijve ku ndodh aksioni i të rrëfyerit nga Kabashi dhe një bibliotekë e pikturuar në kanavacë. Të gjitha këto krijonin një gjoja atmosferë.
Një element që bënte kontrast me këtë skenografi, ishte video projeksioni që me foto turistike interneti ilustronte në mënyrë të drejtpërdrejtë fjalët e Kabashit.
Pamjet e lagjes franceze, dyqani i rrëmujshëm i Zotit Ibrahim, bregdeti normand dhe Turqia e sotme, ishin një album i rëndomtë kartolinash.
Aktorit që ka marrë përsipër të bëjë vetë edhe regjinë, i është dashur që të luajë njëherësh disa personazhe, Moisiun/Muhamet, babain dhe nënën e tij, Zotin Ibrahim dhe ndonjë personazh episodik si për shembull Brizhid Bardo që vetëm sa kalon atypari - Kabashi në këtë moment lëkundet dhe peshon më një anë vithet si të ishte belkëputura Bardo.
Të tjerët, ata që Schmitt-i i ka përvijuar dukshëm si karaktere, Kabashi i solli thjesht duke u imituar zërat, duke bërë herë si fëmijë thuthuq, herë si baba i pakënaqur dhe herë si një i urtë (Zoti Ibrahim) që sepse u dashka ta zvarritë zërin dhe gjestet.
Në afishen e shfaqjes është portreti i Kabashit pranë një bukete të rrallë lulesh. Ka veshur një përparëse dhe të jep përshtypjen e një kopshtari.
Por nuk është kështu.
Të vetmet lule në këtë pjesë janë ato që Moisiu gjen në mes të Kuranit të Zotit Ibrahim së bashku me letrën e një miku të dashur. E në një mënyrë jo të drejtpërdrejtë lë të kuptohet se lulet e vërteta të Kuranit, sipas Schmitt-it janë këshillat për të bërë një jetë të qetë dhe të ndershme.
Eric Emmanuel Schmitt u lind më 28 mars 1960 në Sainte-Foy-lès-Lyon. Veprat e tij janë përkthyer në më shumë se 30 gjuhë.
Fetë zënë një vend të rëndësishëm në veprën e tij "Le Cycle de l'Invisible" ku tenton të japë harmoninë e tyre me kulturat. "Milarepa" është pjesa e parë e serisë, në të cilën Schmitt-i përshkruan Budizmin tibetian.
Pjesa e dytë "Monsieur Ibrahim et les fleurs du Coran" (Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit) i dedikohet sektit islam sufi, por nuk lë jashtë edhe judaizmin. Vëllimi i tretë "Oscar et la dame rose" (Oskari dhe dama e kuqe) përqendrohet te krishtërimi. Tek "L'enfant de Noé" (Fëmija i Noes) ai krahason judaizmin me kristianizmin dhe ky është vëllimi që mbyll serinë.
Në vitin 2003 ky monolog përveç teatrove do të ndiqet edhe në sallat e kinemave. Regjisori francez François Dupeyron realizon filmin me të njëjtin titull "Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit" në të cilin interpreton Omar Sharif, (Z. Ibrahim), Pierre Boulange (Momo) dhe Gilbert Melki (babain e Momosë). Në 2004-n ky film u vlerësua në Gjermani si filmi më i mirë.
Gjithsesi është një përpjekje e mirë e Kabashit të palodhur që sjell një vepër në korrent me skenat e teatrit në Evropë. Por bie në sy se qoftë me "Apologjinë e Sokratit" qoftë me "Lulet e Kuranit", aktori mbetet tek veprat me karakter predikativ, të paktën të tillë ton përçojnë në një skenë shqiptare.
Zoti Ibrahim i thotë shpesh Moisiut se sekretin e lumturisë e ka në Kuranin e tij. Plaku arab e këshillon Moisiun se çdo gjë është e mundur nëse ai buzëqesh dhe i fal dashuri njerëzve. "Nëse ti jep dashuri, ti je shumë i pasur, edhe pse tjetri mund ta refuzojë atë. E kundërta ndodh nëse e mban dashurinë përbrenda, askush nuk do të marrë vesh për të", e këshillon Z. Ibrahim.
Vepra me një titull grishës ka ngjallur kuriozitet që shfaqjen e Kabashit të vijnë e ta shohin disa vajzave të besimit mysliman. Nuk ndodh dhe aq shpesh të shohësh në sallat e teatrove tona vajza apo gra me veshje myslimane. Pas shfaqjes njëra prej tyre u shpreh se interpretimi i Mirush Kabashit i kishte pëlqyer shumë, por do të kishte preferuar që pjesa të fliste më shumë për fenë islame. "Duhet të kishte folur më shumë për temën",- shtoi ajo.