E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poezia e Arian Lekës në “Nova Istra”



Pjesë të zgjedhura nga krijimtaria poetike e Arian Lekës, u botuan këto ditë në të përgjashtëmuajshmen kroate “Nova Istra”, pjesë e rrjetit me të njohur të revistave kulturore evropiane – “Eurozine”. Janë 11 poezi dhe 3 poema të botuara në version dygjuhësh, në gjuhën e krijimit dhe e përkthyer në kroatisht. Titulli i ciklit poetik është në gjuhën kroate është “U Moru Potopljeni” (Mbytur në det). Poezitë shoqërohen me një shënim të shkurtër hyrës, ku citohen kritikë dhe poetë shqiptarë, që kanë shprehur vlerësimet e tyre mbi poezinë e Arian Lekës, duke veçuar mes tyre A. Podrimjen, Xh. Spahiun, A. Aliun, E. Kriston, A. Tufën dhe E. Hatibin, të cilët e kanë çmuar këtë krijimtari duke u shprehur se “... Arian Leka është një autor me shqisë të jashtëzakonshme të gjuhës...”, “...poet që harton vargje dhe strofa me muzikalitet të rrallë”.

Shënimi tjetër që shoqëron poezitë si “kartëvizitë për lexuesin kroat” është shkruar nga kryeredaktori i revistës Boris Biletic, i cili mes të tjerash shkruan: “...poezia e tij (A.Lekës) na bën të ndjejmë gjithë çka përfytyrojmë si shpirt shqiptar: fatin e pazakontë të fqinjit që nuk e njohim ende mirë, përjetësinë dhe metafizikën e njerëzve që jetojnë dhe vdesin përditshëm, format e një qyteti, Durrësit, që rikrijohet nga fjala, jehonat e historisë, ndërfutur si në tekstin poetik, ashtu edhe në figuracion befasues, i cili nuk shfaqet drejtpërsëdrejti, si një traktat, veç për të dëshmuar se poeti është i lidhur dhe e çmon gjuhën dhe trashëgiminë e vendit të tij, por si një ftesë që na bëhet për të kthyer kokën më me vëmendje nga gjithçka e mirë që na vjen prej asaj bote poetike, siç është dhe rasti i këtyre poezive të Arian Lekës...”.

Gjithashtu, në vëllimin e zgjedhur “Esej Danas” (Ditë Esesh), mes emrave të njohur të shkrimtarëve dhe eseistëve të rajonit tonë, Drago Jancar, Fedore Petronio, Dasa Drndic, Laura Marchig, Zarko Paic, Aleksandar Prokopiev, Gabriele Reiterer, Ales Debeljak dhe Tomislav Zigmanov, është botuar edhe eseja e Arian Lekës me titull, “Kam lindur në provincë”.

Kjo ese është trajtuar fillimisht si kumtesë në takimin e eseistëve, që mbahet përvitshëm në qytetin Pula të Kroacisë. Përmes lidhjeve të veta me vendlindjen, tek kjo ese autori trajton “çështjen e të qenit i vogël dhe i veçuar në një botë gjithmonë e më globale, rëndësinë e intimes dhe të përveçmes në jetën e një qyteti me kujtesë të gjatë historike dhe kulturore si Durrësi, perpetuum mobile i të cilit ka punuar përherë me aksiomën – “ndrysho të tjerët, por vetë mos ndrysho kurrë!” të një qyteti që sillet kinse si provincë, ndërkohë që ka vetëdijen e thellë se është një kryeqytet i fshehur – një kriptokryeqytet, si për ata që largohen prej tij pa e kthyer më kokën pas, të bindur se - “Non est propheta sine honore nisi in patria et in domo sua”, si për ata që pasi ikin kthehen sërish për të mbyllur ditët pranë tij!

Poezitë e Arian Lekës për Nova Istran janë përkthyer në gjuhën kroate nga Daniel Nacinovic, ndërsa eseja nga Renata Samo. Këto dy botime paralajmërojnë vëllimin me poezi të zgjedhura të këtij autori, të cilat do të botohen gjatë vitit 2009 në Kroaci, Bosnjë dhe Mal të Zi, si bashkëpunim i shtëpive botuese “Plima” dhe “Nova Istra”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›