E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anjshtajni, Frojdi, Isadora Dunkan

George Seldes, një nga gazetarët më të mëdhenj të Amerikës, në librin e tij "Dëshmitar i një shekulli", ka shkruar për takimet, intervistat, bisedat me njerëz të shquar të shekullit të njëzetë me politikanë si Lenini, Hitleri, Musolini, Tito etj., me artistë dhe shkrimtarë si Sara Bernardt, Isadora Dunkan, Sinkler Ljuis, Heminguej, D'Anuncio, Teodor Drajzer etj. Një pjesë nga libri i tij po botohet në gazetën tonë.


George Seldes


Në të shumtën e viteve të mia në Berlin, mirrja urdhëra hera herës nga Çikago përmes linjës telegrafike nënshkruar "Zoti Kormik", nganjëherë prej shefit të zyrës të Parisit që më urdhëronte të shpenzoja nga 5.000 dollarë (për letrat e dashurisë së Isadora Dunkanit) deri në 25.000 dollarë (për Frojdin që të vinte në Çikago) dhe ndërmjet këtyre luhateshin edhe shuma të ndryshme.

Mesazhi telegrafik më i përsëritur nga të gjithë ishte, ndonëse në të nuk përmendeshin dollarët. Thjesht thuhej "Pyete Ajnshtajnin çfarë mendon për..." apo "intervistoje Ajnshtajnin rreth..." për çështjen më të rëndësishme të ditës.



Nuk më kujtohet sa herë kam folur me Ajnshtajnin - së paku tri herë, apo ndoshta pesë herë. Çuditesha sepse ai gjithnjë ishte miqësor, pothuajse i përzemërt, gjithnjë i gatshëm - kurrë nuk refuzoi ndonjë hetim.

Madje në një rast propozoi për të shkruar një artikull të shkurtër mbi këtë subjekt. Veçse Anjshtajni ngahera e përfundonte bisedën telefonike me një kërkesë fare të vogël: "A do të mundte Chikago Tribune të merrte në konsideratë, që për një intervistë ose për një artikull t'i paguanin një shumë të vogël ta zemë njëzet e pesë dollarë që i duheshin një fondi për të shpëtuar dhe për t'i vendosur hebrenjtë e Europës në një vend të sigurt?"



Për këtë arsye nuk e intervistova kurrë Ajnshtajnin. Koloneli gjithnjë përgjigjej se ai "nuk po blinte lajme", për asgjë nuk do t'i jepte Ajnshtajnit njëzet e pesë dollarë.

Megjithëse Ajnshtajnët nuk ishin ndonjë familje fetare dhe ai arsimimin e hershëm e pat marrë në një shkollë katolike, ndërsa gjatë jetës e mbante veten për mendimtar të lirë, Ajnshtajni shpjegonte se nuk ishte për shkaqe politike apo fetare që ai donte një komb për hebrenjtë. "Dua një shtet të lirë për çdo komb të shtypur", thoshte ai.



Në vitin 1954 kur fillova të përpiloja materialin për librin "Citimet e mëdha", i shkrova Ajnshtajnit duke i kërkuar të bënte korrigjimet e pjesëve të zgjedhura prej meje nga shkrimet dhe qëndrimet e tij publike.

Për habinë time të madhe mora përgjigjen më të përzemërt. Dr. Ajnshtajni më shkruante nga Prinstoni, "Unë me plot dëshirë dhe gëzim do t'i redaktoja shënimet që kini ndërmend të më dërgoni. Një redaktim i tillë është i domosdoshëm. Sepse shumë gjëra që kanë poshtë tyre emrin tim janë përkthyer keq nga gjermanishtja ose janë trilluar nga njerëz të tjerë".


Më 24 tetor ai ma ktheu dorëshkrimin me disa korrigjime. Ishte hequr vetëm një thënie: e një njoftimit të një gazetarit në një anije në përgjigjen e tij për "një përkufizim të drejtë të teorisë së relativitetit", Dr. Ajnshtajni ish përgjigjur: "Nuk ka hunj të shtrembër në univers."

Frojdi

Ishte viti 1924. Dy burra të pasur, të edukuar mirë, të rinj të quajtur Loeb dhe Leopold kishin vrarë një burrë tjetër të pasur, të ri të quajtur Frank. Dukej sikur nuk kishte asnjë arsye për krim - u emërtua një "vrasje rrëqethëse" dhe shtypi i Çikagos u kap kaq shumë pas kësaj historie saqë u telegrafoi të gjithë korrespondentëve të saj europianë që t'i kalonin lehtë të gjitha ngjarjet e tjera përveç një lufte tjetër botërore.
Në qershor Koloneli McCormick më njoftoi me kabëll që të ftoja Profesor Frojdin të bashkohej me redaksinë e gazetës Tribune për të raportuar mbi gjyqin e Loeb-Leopoldit, por Frojdi nuk pranoi. Në kabllin tjetër telegrafik Koloneli më shkruante: JEPI FROJDIT 25.000$ OSE DIÇKA TJETËR PËR PSIKANALIZË/ LOEB/ LEOPOLD/ KTHE PËRGJIGJE.
Frojdi u përgjigj me letër (këtu "me mundim" është përkthyer prej ndihmësit tim, Sigrid Schultz):
Wien IX, Berggasse 19
29. VI. 24
Sehr geerter Herr:
Telegrami juaj arriti vonërisht sepse adresa gabuar. Përgjigja ime është, nuk mundet të jetë qëllimi im të përhap opinion eksperti rreth personave dhe një veprim nëse mund të besoj njoftimet e gazetës dhe nuk ka asnjë mundësi për ekzaminim personal. Një ftesë nga shtypi Hearst për të ardhur në Nju Jork gjatë bërjes së gjyqit, unë e refuzoj për konsiderata shëndeti.
Hochachtungsvoll, Prof. freud

Ndonëse e dija se letra ishte e vërtetë, mendova se nënshkrimi do të ishte i ndonjë sekretarit - përse ish nënshkruar Prof. dhe përse Freud me "f" të vogël? Por më vonë u sigurova nga nipi i Frojdit, këshilltari i shquar i Nju Jorkut për çështjet publike Edward L. Bernays se xhaxha Sigmundi zakonisht ashtu i nënshkruante letrat e veta.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›