E Diel, 1 Nëntor 2026

Historitë e bujshme të vrasjeve dhe zhdukjes së femrave

Që nga historia tragjike e kamerieres Eva Visha deri tek zhdukja e Irena Selit. Historitë komplekse të dashurive dhe marrëdhënieve delikate të biznesit

Tiranë - Që prej vitit 1992 në Shqipëri janë regjistruar me dhjetëra vrasje (e vetëvrasje) të femrave. Pjesa dërrmuese e tyre (nëse i referohemi statistikave policore) kanë ndodhur për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike dhe xhelozive. Ndër këto raste veçohen vrasjet dhe zhdukja e katër femrave që për muaj e muaj me radhë u bënë objekt publik në faqet e të gjitha gazetave duke nxjerrë në pah çdo ditë e më shumë, jo vetëm hetimet mbi autorët por edhe motivet shpesh herë “rozë” që çuan në këto vrasje ndër më të sofistikuarat dhe të mbuluara me shumë mister. Vrasja e parë e bujshme e një femre është regjistruar në atë që u quajt çështja “Juna” Ka qenë fundi i majit ‘97, kur në Shqipëri kishin filluar trazirat, dita kur Eva Visha, nëna e këngëtares së njohur Elsa Lila, është gjetur e pajetë nga kalimtarë të rastësishëm në aksin rrugor Tiranë-Elbasan, në Qafë Kërrabë ndërsa nga këqyrja e viktimës dhe ekspertizës mjeko-ligjore të kryera atëherë, ka rezultuar që ajo të ishte goditur me plumb në kokë. Ajo punonte si kameriere në restorantin “Juna”. Ndërkaq, autori i ngjarjes është larguar pa u vënë re në drejtim të paditur, duke mbetur enigmë për afro tetë vjet. Burimet thonë se nga rifillimi i hetimeve në bazë të një dëshmie, është arritur në një emër konkret të akuzuar për autorësinë, Albenc Ago, i cili menjëherë u shpall në kërkim ndërkombëtar. Nuk vonoi shumë kohë pas evidentimit të tij si autor dhe ai u arrestua në Itali e më pas u ekstradua. Në bazë të hetimeve të kryera nga grupi hetimor dhe nga pyetjet e familjarëve të Eva Vishës, ka rezultuar se viktima në vitin 1997 ka qenë e punësuar si kameriere në lokalin "Juna" në Tiranë. Viktima kishte miqësi me autorin e vrasjes, Albenc Ago, i cili me datën 23 maj 1997, ora 16:30, me mjetin e tij fuoristradë, me targa TR, ka shkuar ne shkollën "Hoxha Tahsim" ku ka marrë 35-vjeçaren. Sipas dëshmitarëve 35-vjeçarja ka qenë e veshur sportive pasi në ato momente gjendej në palestër. Vishaj kishte miqësi dhe shoqëri me njerëz të njohur dhe prokuroria hetoi rreth lidhjeve të saj që mund të kishin sjellë edhe krimin. Nëna e këngëtares Elsa Lila nuk arriti të mbijetonte, ndërsa hetimet u mbyllën shpejt dhe u rihapën vetëm pas 9 vjetësh. Albenc Ago, deri në fund të vitit 1997, ka punuar si shofer në Partinë Socialiste dhe i njohur për miqësitë me ish drejtues të kësaj partie.
Studentja
Një tjetër ekzekutimi bujshëm ka ndodhur vite më parë, ku më 19 shkurt të vitit 1999, u gjet e masakruar pranë Kinoklubit të Qytetit Studenti, 21-vjeçareja vlonjate Kozeta Hyesni. Vajza e ish-prokurorit të Vlorës në atë kohë, e cila studionte në vitin e dytë të degës Gjuhë-Letërsi pranë Fakultetit të Histori Filologjisë në Tiranë. Ajo u gjet nga persona të rastësishëm mëngjesin e 19 shkurtit. Nga hetimet e kryera është konkluduar se peroni që e ka thirrur ka qenë i njohur i saj. Kjo pasi 21-vjeçareja Hyseni ka dalë dhe ka hipur në autoveturën e tij me të cilën janë larguar jashtë qytetit studenti. Tjetër fakt që tregon njohjen e viktimës me atë të autorit të vrasjes, ka qenë edhe veshja e saj. Kjo, pasi Kozeta ishte e veshur me teshat që mbante në dhomë gjë që tregon se ajo ka dalë të takohet me një të njohur. Kjo vrasje është ende e pazbardhur. Hetuesit renditin dy momente që sipas tyre kanë penguar zbulimin e plotë të kësaj vrasjeje. Momenti i parë (hipotetik) është dyshimi se autori i vrasjes së studentes Hyseni të ketë ndërruar jetë, dhe momenti i dytë është fakti se shoqja e dhomës së Kozetës, i fundit person që i ka kërkuar të dalë jashtë godinës, ende nuk ka dëshmuar për hetuesit. Ajo është larguar drejt Gjermanisë, vetëm dy ditë pasi kishte ndodhur krimi. Ky fakt është renditur edhe në dosjen përkatëse. Pas ikjes në Gjermani, shoqja e ngushtë e studentes Hyseni është shpërngulur në Belgjikë, ku edhe ka marrë nënshtetësinë belge. Një enigmë tjetër për hetuesit janë edhe dëshmitë e shoqeve të tjera të studentes. Ato janë marrë në pyetje, por mes dëshmive të dhëna ka shumë kontradikta, sidomos në lidhje me itinerarin e lëvizjeve të fundit të Kozetës.
Avdyli
Një vit pas vrasjes së studentes Hyseni, zhdukja(më pas trupi i saj u gjet) e Erjeta Avdylit, bashkëshortes së ish-shefit të Komisariatit nr. 1 në Tiranë, tronditi gjithë opinionin publik. Ajo u gjet e groposur në fshatin Romanat të Durrësit. Burime të prokurorisë dhe të policisë, thonë se autori i vrasjes, e ka marrë fillimisht në makinë dhe pasi e ka ekzekutuar e ka groposur aty. Fakti që autori fillimisht e ka marrë në makinë Erjetën ka ngritur dyshimet se ata të dy njiheshin me njëri-tjetrin. Erjeta Vadyli, nënë e dy fëmijëve u konsiderua e zhdukur më 30 mars të vitit 2000 dhe u gjet më 14 maj të po këtij viti. Prindërit e saj akuzuan dhëndrin Dritan Avdyli si autor të ngjarjes. Madje ky i fundit u akuzua edhe nga prokuroria, por u shpall i pafajshëm dhe u dëmshpërblye për kohën që kishte kaluar në burg. Ende pas pesë vitesh kjo vrasje mbetet pa autor, ndonëse është rifilluar disa herë hetimi me kërkesë të prindërve. Enes Sokoli, babai i Erjeta Avdylit, në një reagim të tijinpër “Albania”-n disa muaj më parë është shprehur thellësisht i revoltuar lidhur me neglizhencën dhe mospërfilljen vrastare që gjykata u ka bërë fakteve dhe provave që tregonin qartazi se Erjeta Avdyli, pak kohë para se të humbte jetën, kishte jetuar tmerrin dhe kërcënimet nga ish-bashkëshorti i saj. “Erjetën e vranë barbarisht dhe e hodhën në një kanal. Policia dhe prokuroria ende nuk e kanë ‘gjetur’ autorin. Por ishte e thënë që Erjetën ta vrisnin edhe pas vdekjes. Familja e saj bashkëshortore e braktisi kufomën e saj në morg dhe nuk e varrosi. Pra e vranë përsëri. Mbas pak kohësh, nga burgu, ish-bashkëshorti i saj hodhi baltë mbi moralin e Erjetës, e cila nuk jetonte e nuk mund të mbrohej. Por përsëri qenka e thënë që Erjeta të vritet dhe e vdekur. ‘Privilegjin’ e vrasjes kësaj here e ka gjyqtari Artur Kalaja, së bashku me dy kolegët e tij. Ky zotëri duhej të vërtetonte se Erjeta, sa ishte gjallë dhe pas vdekjes, është dhunuar nga bashkëshorti. Nga gjykimi i provave, zoti Kalaja, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, konkludoi se Erjeta nuk është dhunuar. Unë mendoj se ky është një vendim skandaloz. Mendoj se është një vendim që fyen, poshtëron dhe nxin Drejtësinë shqiptare”, - është shprehur Enes Sokoli, i ati i së ndjerës Erjeta Avdyli, vdekja e së cilës tetë vite më parë mbushi faqet e para të të gjitha gazetave.
Zhdukja
Në vitin 2004, zhedukja e Irena Selit bashkëshortes së një biznesmeni të njohur në Tiranë solli sërish në vëmendje “makthin” e ekzekutimeve mafioze dhe plot xhelozi të femrave. Por rasti i Irena Selit ndryshon nga të tjerët, pasi ajo ende nuk është gjetur as e gjallë e as e vdekur, ndërsa fëmijët e saj kanë dalë hapur në mbrojtje të të atit të tyre, Agim Musho, dhe pafajësisë së tij. Emri i Irena është shënuar për herë të fundit në regjistrat e policisë së portit të Triestes. Irena Seli u zhduk në mënyrë misterioze në portin e Durrësit, mbrëmjen e 16 dhjetorit 2004. Gruaja udhëtoi me bashkëshortin e saj, biznesmenin Agim Musho me tragetin e linjës Trieste-Durrës. Çifti ishte nisur nga Gjermania më 14 dhjetor 2004 dhe deri në Itali kishin udhëtuar me makinën e tyre private. Një ditë më vonë ishin ngjitur në traget për të mbërritur në Shqipëri për festat e fundvitit. Por, ndërsa gruaja bionde ishte parë nga pasagjerët teksa ngjitej në traget, asnjë prej tyre nuk mundi të japë ndonjë detaj sesi ajo u zhduk rrugës. Të pyetur nga Prokuroria, pasagjerët deklaruan se gjatë udhëtimit nuk kishin konstatuar asgjë të pazakontë. Zhdukja e Irena Selit, për hetuesit e çështjes “përkthehet” në një sërë pistash dhe versionesh, ndërsa deri më sot deri më sot nuk është përjashtuar apo vërtetuar asnjëra prej tyre, ndaj edhe dyshimet shtrihen që nga arratisja e Irenës nga jeta aspak e qetë bashkëshortore e deri tek një vrasje e mundshme e 40-vjeçares.

Ngjarjet e bujshme

Maj 1997
Gjendet e vrarë Eva Visha, në rrugën Tiranë Elbasan, e qëlluar me pistoletë në kokë. Ajo kishte njohje me shumë personazhe “VIP”-a të kohës, ndërsa pas 8 vitesh u identifikua dhe u arrestua në Itali vrasësi i saj, Albenc Ago, i cili u ekstradua një vit pas.

Shkurt 1999
U gjet e masakruar pranë Kinoklubit të Qytetit Studenti, 21-vjeçareja vlonjate Kozeta Hyesni. Vajza e ish-prokurorit të Vlorës në atë kohë, e cila studionte në vitin e dytë të degës Gjuhë-Letërsi pranë Fakultetit të Histori Filologjisë në Tiranë. Çështja ende nuk është zbardhur

Mars 2000
Erjeta Vadyli, nënë e dy fëmijëve u shpall e zhdukur më 30 mars të vitit 2000 dhe trupi i saj i pajetë u gjet më 14 maj të po këtij viti. Prindërit e saj akuzuan dhëndrin Dritan Avdyli si autor të ngjarjes. Ai u akuzua edhe nga prokuroria, por u shpall i pafajshëm dhe u dëmshpërblye për kohën që kishte kaluar në burg.

Dhjetor 2004
Zhduket Irena Seli, gruaja e Agim Mushos, pronarit të ish-kompleksit "BRUNO". Ngjarja denoncohet nga i shoqi në policinë e Tiranës. Pak ditë më pas edhe i vëllai i Irenës denoncon në policinë e Durrësit zhdukjen ndërsa akuzuan ish bashkëshortin e saj për zhdukjen e saj.

22 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›