PNUD, prezanton kontratën e re e ujit
Enti Rregullator i Ujit, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Zyrën e Koordinimit të Kombeve të Bashkuara, prezantuan kontratën e re për shërbimet e ujësjellës kanalizimeve. Kjo kontratë, risi në vendin tonë, merr parasysh të drejtat dhe detyrimet mes konsumatorëve dhe operatorëve të ujësjellësit. Kontrata reflekton të gjithë legjislacionin shqiptar lidhur me këtë çështje dhe ka për qëllim përmirësimin e cilësisë dhe përdorimin praktik të ujit. Drejtori i programit të PNUD-it, Hakemi Balul thotë se, për përpilimin e kësaj kontrate kanë punuar ekspertët më të mirë të entit rregullator të ujit dhe të Ministrisë së Ekonomisë. “Jam shumë i kënaqur që kjo kontratë është realizuar me mbështetjen e kombeve të bashkuara. Kontrata qartëson dhe mbron detyrimet e përgjegjësitë e secilës palë, si të konsumatorit, ashtu dhe të operatorëve të ujësjellësit. Kontrata e ujit është shumë e rëndësishme, sepse uji është një komoditet në jetën e gjithkujt. Më duhet të them se jemi shumë të kënaqur nga bashkëpunimi midis entit rregullator dhe Ministrisë së Ekonomisë. Ky bashkëpunim duhet theksuar e të merret si shembull nga institucionet e tjera”, u shpreh Hachemi Bahloul, Drejtor i programit të PNUD-it. Pritet që kontrata e re e ujit të hyjë në fuqi brenda muajit shkurt, pas nënshkrimit të saj nga ana e konsumatorëve dhe e operatorëve të ujit. Në kontratë parashikohet edhe vendosja e ujëmatësve të rinj.