E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hitaj në rolin e gjyshit, tregon përralla me prokurori

Nga Dritan Ikonomi
Me një justifikim patetik të dalë nga goja e shefit Hito Hitaj, Sektori i Garave në FSHF vetëm sa e ka vënë veten në pozita qesharake dhe aspak lehtësuese. "Sikur të ishte prokuroria sportive, do të ndodhte ndryshe", ka deklaruar Hitaj në lidhje me rezultatet e javës së 28-të të kampionatit, ku të gjithë kryesuesit fituan përmes kontestimit nga tifozët dhe akuzave të ngritura zinxhir nga ata që drejtojnë skuadrat. Shefi i garave nuk është aq naiv sa të besojë vërtet atë që ka thënë, në të kundërt vetëm sa do të shkulte gazit ata që trukojnë vërtet rezultatet. Është vërtet qesharake edhe thënia se ata "dëmin vetes i bëjnë me sjellje të tilla, sepse i humbin njëherë e përgjithmonë tifozët". Hitaj ka dashur të prekë telat e ndërgjegjes së njerëzve që një fjalë të tillë nuk e kanë hic në fjalor, teksa bëjnë pazare prej vitesh, diku hapur e diku fshehur. Nëse Hitaj është i prirur të besojë se mund t'i bëjë të skuqen nga turpi korruptuesit dhe të korruptuarit , kjo është punë e tij dhe le të jetojë në "idealizmin" e vet. Por, me të tilla deklarata mallëngjyese për veshët e dëgjuesve dhe sytë e lexuesve, Hitaj nuk mund të mbulojë kurrësesi paaftësinë e sektorit që drejton dhe rrjedhimisht edhe të tijën personalisht. Duke "parashikuar" dëmin që ata i sjellin vetes, shefi i Garave pranon ekzistencën e trukimit të rezultateve. Ndoshta të tilla fenomene nuk i bëjnë më përshtypje askujt, si pasojë e përsëritjes vit pas viti, me të njëjtët protagonistë. Megjithatë, Sektori i Garave dhe shefi i tij ka për detyrë të tundet e jë të bëjë kritika që godasin me pambuk. Të mësuar me inaktivitetin e FSHF-së në të tilla raste, protagonistët që xhirojnë paratë në mjedisin e futbollit nuk e kanë për gajle të bëjnë muhabet gazetave e televizoneve, duke folur thuajse hapur. Nuk është në kompetencën e Sektorit të Garave të marrë masa për pazaret që dalin në media, por është detyrë të përpilojë dosjen e të ngrejë akuzë në Komisionin e Disiplinës dhe i përket këtij të fundit të vendosë, qoftë edhe për vlefshmërinë e provave që servir Sektori i Garave. Asnjë akuzë nuk është bërë deri tani, ndërsa shefi Hitaj luan rolin e gjyshit, duke treguar përralla me prokurori që do të bëjnë namin me pallë kundër kucedrës Korrupsion.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›