Hitch, regjisori që preferonte biondet

Alfred Hitchcock, regjisori i madh anglez vdiq më 29 prill 1980
"Urrente Marilyn Monroe-në e Brigitte Bardot-në. Sipas tij ato e kishin seksin të stampuar në fytyrë. Kërkonte aluzionin seksual, hipokrizinë. Adhuronte gruan angleze, në dukje e ndrojtur, por e aftë për të shpërthyer për hiçgjë. Kështu shkruan në raportin e tij Francois Truffaut pas intervistës të realizuar në vitin 1984 me mjeshtrin e emocioneve, me të cilin vite më parë kishte patur një bisedë të gjatë dhe të detajuar. Më vonë intervista u bë një libër kult për kineastët, me titull "Kinemaja e dytë e Hitchcock-ut". Dhe jo rastësisht, kineasti anglez kishte dëshiruar të drejtonte në filmin e tij një nga muzat franceze, bionden krenare Catherine Deneuve.
Bionde, por jo sensuale të pacipa, të jenë të akullta të paktën në aparencë, ambige dhe misterioze, të afta për t'u transformuar papritur në seks-simbol: nëse joshja bëhet hapur, thoshte Sir Alfred, nuk ka më suspansë. Nuk është pak. Nga platini ekstrem i Kim Novak-ut në "La donna che vissue due volte", tek e arta e ngrohtë e Ingrid Bergman-it në "Notorious", gra të afta për t'i dashuruar që të japin përshtypjen se nuk e vrasin mendjen për këtë. "Janë "viktimat" ideale, ngjajnë si flokë dëbore nga të cilat dalin gjurmë të përgjakshme", thoshte ai.
Me këto aktore, regjisori kishte shpesh raporte të thella dhe konfliktuale. Ra në dëshpërim kur Ingrid Bergman u transferua në Ilali për t'u martuar me Rossellin-in, dhe kur Grace Kelly braktisi kinemanë për t'u bërë princeshë. Është akuzuar tepër nga feministet e misogjinisë, jo vetëm për shkak të shumë grave viktima në filmat e tij, por edhe për figurat e tmerrshme të nënave që ai konturonte në filmat e tij, tek "Psycho" dhe "Gli ucelli".
Biondet e Hitchcock-ut nuk kanë qenë kurrë biondet e barcaletave: përkundrazi gra të forta, me një tis brishtësie në fytyrë, parë përmes një tjetër lenteje të gjeniut dhe të historisë personale të Sit Alfredit. Aspak maskilist, por indiferent i frikësuar, për shkak të respektit të thellë dhe të besimit tek superioriteti i seksit femër.
"Për më tepër" shkruan Truffaut për mjeshtrin "kur u martua, 25 vjeç, ishte akoma i virgjër. Nuk njohu kurrë gra të tjera. Projektoi në ekran emocione që nuk do t'i jetonte kurrë. Shfaqi në ekran një dhunë të pashembullt. Arriti të prezantonte në ekran edhe vrasjen edhe tradhtinë bashkëshortore si skandale. Vetëm ai dinte ta bënte këtë dhe kishte të drejtën ta bënte."