Mijëra qytetarë në shesh: Berisha hap kutitë

Përmes një proteste të përmasave të mëdha, opozita ka kërkuar transparencë
TIRANË - Opozita "mësyn" bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Si asnjëherë tjetër më parë, mijëra qytetarë të Tiranës dhe të ardhur nga e gjithë Shqipëria i janë përgjigjur dje thirrjes së opozitës për të protestuar, duke i dhënë jetë kështu shpresës për të bërë transparencën e zgjedhjeve, si çelësi që do mund të shpëtojë demokracinë në vend dhe do të sjellë dhe zgjidhjen e krizës ekonomike.
Ashtu siç ishte parashikuar, tubimi ka nisur në orën 18:00 në sheshin "Skënderbej", ku janë mbledhur fillimisht mijëra protestues të ardhur nga rrethet, për të vazhduar më pas marshimin drejt bulevardit "Dëshmorët e Kombit" dhe për t'u instaluar përfundimisht në sheshin ndërmjet Kryeministrisë dhe Kryesisë së Kuvendit.
Turmës i është bashkuar që në nisje edhe kreu i Partisë Socialiste dhe njëkohësisht lideri i opozitës, Edi Rama, i cili ka dalë nga ana e bashkisë, ç'ka ka rritur edhe entuziazmin tek protestuesit.
Rama së bashku edhe me figura qendrore të PS-së, si dhe i shoqëruar nga aleatët e tij të vjetër dhe të rinj, ka udhëhequr turmën drejt kryeministrisë, por duke mos e pasur aspak të lehtë që të çajë protestuesit e tjerë, të cilët, ndërkohë kishin mbushur hapësirat kryesore të bulevardit, trotuaret dhe sheshin përpara Piramidës.
Turma është ndalur para selisë së Këshillit të Ministrave, ku dhe ishte vendosur podiumi nga ku oratorët përcollën mesazhe qoftë ndaj kundërshtarëve politikë ashtu edhe për gjithë opinionin publik se populli opozitar është i vendosur për t'i shkuar deri në fund kauzës për transparencën e zgjedhjeve.
Nën monitorimin e kamerave dhe snajperëve të forcave speciale që kishin zënë tarracat dhe dritaret e godinave përreth, si dhe nën kujdesin e forcave të tjera të rendit, që kishin rrethuar kryeministrinë, kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, ka hapur zyrtarisht protestën maratonë që pritet të zgjasë jo pak, por plot 12 ditë.
Në fjalën e tij hapëse, Ruçi e ka konsideruar këtë protestë si provën e pashembullt të provës se dinjitetit të qytetarit përballë pushtetit që ndëshkon popullin, ndërsa ka paralajmëruar se kjo protestë ishte vetëm fillimi i një përpjekje që nuk do të ndalet deri sa të arrijë qëllimin e vet, pra hapjen e kutive.
Më pas, në podium janë ngjitur me radhë figura të njohura të PS-së si Valentina Leskaj, Erion Braçe, si dhe krerët e partive aleate të majta dhe të djathta, Skënder Gjinushi, Paskal Milo, Erion Veliaj, Vangjel Dule, Spartak Ngjela, që ashtu si socialistët besojnë se Shqipërinë sot e qeverisë një qeveri jolegjitime.
Ndërkohë që fjalën në fund e ka marrë kreu i socialistëve, Edi Rama, i cili ka renditur edhe një herë arsyet pse e kanë detyruar opozitën të zbresë sërish në sheshe dhe të kërkojë atë që ai e konsideroi si të drejtën legjitime të sovranit për të parë votën e vet. Shqipëria është në udhëkryq, theksoi kreu socialist, ndërsa vlerësoi se është në detyrimin e opozitës për të bërë këtë sakrificë të pandalshme deri në shpëtimin e demokracisë dhe mbylljen një herë e përgjithmonë të shtegut të vjedhjes së votave.
"Jemi këtu për të hapur një faqe të re në librin e kësaj proteste që do të jetë një sakrificë e pandalshme deri kur rruga e transparencës të hapet dhe shtegu i grabitjes së zgjedhjeve të mbyllet", - tha Rama, duke paralajmëruar kështu vendosmërinë e opozitës për të mos u larguar nga sheshi deri në gjetjen e zgjidhjes.
Shoqërohen nga policia disa protestues
TIRANË - Policia e kryeqytetit shoqëroi mbrëmë pesë persona, nga turma e protestuesve, që linin qendrën e kryeqytetit pas protestës së djeshme përballë kryeministrisë. Ngjarja ndodhi mbrëmë rreth orës 22:00, kur një grup prej rreth pesë vetash janë tërhequr nga efektivët e policisë që shoqëronin turmën dhe më pas janë futur në furgonët e policisë. Shoqërimet kanë ndodhur në afërsi të rrugës së "Elbasanit", kur turma e protestuesve që linte qendrën po kalonte pranë disa reklamave në rrugë, të cilat janë thyer.
Në pak sekonda efektivët e uniformave blu shoqëruan personat, me pretendimin se ata kishin thyer xhamat e reklamave ndriçuese, që ndodheshin përballë filialit të një banke. Burimet zyrtare të Policisë së Tiranës u shprehën se të rinjtë kishin nisur të godisnin e të thyenin reklamat ndriçuese, përgjatë rrugës dhe shërbimet e uniformave blu kanë ndërhyrë.
Të rinjtë janë mbajtur për disa orë në ambientet e policisë, ndërkohë që do të hetohen në gjendje të lirë për prishje të qetësisë publike dhe shkatërrim të pronës. Ndërkohë që tjetër incident ndodhi në kryqëzimin e bulevardit "Dëshmorët e Kombit", me atë "Gjergj Fishta", ku një grup protestuesish, bllokuan qarkullimin e automjeteve. Situata është zhbllokuar vetëm pas ndërhyrjes së efektivave të policisë rrugore, që kanë qetësuar protestuesit për të lënë të lirë bulevardin.