Hite me bereqet
Vera 2011 është karakterizuar me hite të shumta verore, ku kanë dominuar kryesisht këngët ritmike. Flori edhe sivjet ishte dominues, ndërkaq hite të ndryshme kanë bërë pothuajse të gjithë këngëtarët e estradës kosovare. Më poshtë do të sjellim disa nga pesë këngët më të klikuara në youtube.com gjatë verës që po lëmë pas.
Flori – Tallava
Vetëm video zyrtare e spotit “Tallava” ka plot klikime, pa llogaritur këtu edhe postimet e kësaj këngë që janë bërë nëpër video të ndryshme. Kënga u paraqit gjatë festivalit “Top Fest 8” dhe me të dalë ishte bërë një hit. Duke shpotitur këngëtarët e muzikës “tallava”, pavarësisht edhe disa këngëve të tjera që bëri Flori, të gjitha mbetën në hije në krahasim me “Tallava”. Tallava nga Mitrovica në Sarandë ishte hiti i preferuar i shqiptarëve.
NRG BAND – Rina, Rina
Mund t’ ju duket e pamundur, por “Rina, Rina” e NRG Band ka shënuar një rekord për klikime gjatë kësaj vere. 1,157,964 vetëm në klipin zyrtar. E kënduar së pari në Top Fest, Rina, Rina është hiti i dytë që këtë verë ishte shumë “in”. Edhe pse shumë e konsideruan si një këngë që adhurohet nga “çikat e vogla”, Rina, Rina e “NRG Band” bëri “boom” dhe refreni u këndua nga plazhet shqiptare deri tek autobusët e linjave Pejë – Prishtinë.
Dafina Zeqiri – Dangerously in Love
1,088,623 klikime ka tubuar kjo këngë vetëm në klipin e saj zyrtar. Edhe pse një këngë e lehtë dhe në gjuhën angleze, megjithatë shqiptarët e pranuan këtë këngë me shumë pozitivitet. Kënga u bë hit, edhe pse mediat u lëshuan në kritika kundrejt Dafinës, se kinse ajo e kishte kopjuar spotin. Pas Florit, kjo këngë mbeti si një këngë e dashur për adhuruesit, sidomos ata që kishin mbetur të thyer nga dashuria.
Elvana Gjata – Afër dhe larg
E kritikuar pse e kishte xhiruar klipin e këngës në Greqi, megjithatë këngëtarja Elvana Gjata ishte hit nëpër të gjitha vendet bregdetare shqiptare me këngën “Afër dhe larg”. Kënga ishte e adhuruar edhe në Kosovë, përderisa Elvana edhe në këtë këngë paraqitet shumë seksi. Klipi i Elvanës u realizua larg Shqipërisë, por megjithatë ishte i afërt me publikun shqiptar.
Genta Ismajli & DJ DaLool – Guximi
Bashkëpunimi i Genta Ismajlit dhe DJ DaLool rezultoi i suksesshëm, pasi që është po ashtu njëra prej këngëve më të dashura gjatë kësaj vere. U realizua në muajin korrik, dhe “Guximi” i Grntës i shoqëroi shqiptarët nëpër klubet më të mëdha në Kosovë, Shqipëri, Shkup, Ulqin dhe në diasporë. “Guximi” e trimëroi Gentën që ajo më vonë të kërkojë një bashkëpunim edhe me këngëtaren Jessie J. Asgjë nuk është e pamundur, megjithatë.